Përse Perëndimi po tradhëtohet nga Kosova?

Nga Mero Baze

Debati i nxehtë që ka hapur iniciativa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me të ashtuquajturën “korrigjim kufijsh”, ka bërë që shumë vende Perëndimore që u angazhuan për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj, të ndjehen të tradhëtuara.

Jo vetëm debatet e Carl Bildt me Hashim Thaçin, apo zemërimi i administratës gjermane apo franceze, por dhe shumica e shtypit amerikan, ndjehen të tradhtuar jo nga përfundimi i këtij procesi, por nga nisja.

Dhe arsyeja është e qartë.

Ky është i vetmi proces që vlen për Serbinë, vetëm si nisje, dhe jo si përfundim.

Nisja e këtij procesi hedh në kosh të plehrave investimin Perëndimor në Kosovë, luftën për lirinë e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj.

Tani pas 20 vitesh, fare papritur vihen në diskutim kufijtë për të cilët ata u investuan, dhe kjo është një thyerje e marrëveshjes me Perëndimin.

Këtë traumë të Perëndimit zyrtar që e ndjejnë zakonisht diplomatët e racës, e bën dhe më të rëndë fakti që Serbia nga ky proces e ka fitoren paradhënie. Pra, Serbia fiton në këtë proces vetëm se ai nis, dhe jo si ai mbaron.

LEXO DHE :  Si do jetë moti, martë 21 gusht

Nisja e këtij procesi i jep të drejtë Serbisë të tregojë si të gabuar investimin e Perëndimit për pavarësinë e Kosovës dhe kufijtë e saj, dhe fut në lojë faktorët e tjerë gjeopolitikë antiperëndimorë, në atë kohë kundër Kosovës.

Pra, është një proces për të cilin nuk ka rëndësi fundi. Dhe nëse Kosova e jep Veriun, dhe nëse merr ca katunde afër Gjilanit prej Serbisë, dhe nëse nuk bën asgjë, Serbia është e fituar, pasi dokumenton se investimi i Perëndimit për Kosovën ishte i gabuar, dhe këtë e ka të konfirmuar nga pala kosovare. Është kjo arsyeja që Perëndimi ndjehet i tradhëtuar nga ky proces, edhe pse ndonjë politikan i Perëndimit në Bruksel apo SHBA, që nuk e mban mend fare çfarë bëri Perëndimi për Kosovën, mund ta sodisë i pashqetësuar këtë proces.

Ky nuk është një proces që ka ndonjë rëndësi si përfundon për Serbinë, pasi Serbia nuk ka ndërmend ta përfundojë kurrë. Ajo do vetëm ta fillojë, dhe është gati afër suksesit./TemA

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.