Ismail bej Vlora është një nga emrat më të lakuar të historisë së popullit shqiptar të fund shek XIX dhe fillim shek XX. Për vite me rradhë në histori, por edhe në studimet dhe diskutimet e grupeve të intelektualëve flitet dhe lartësohet mjaft figura dhe emri i tij, duke iu referuar jo vetem momentit të shpalljes së pavarësisë, apo edhe përpjekjeve të tij, por edhe për formimin e tij intelektual, karakterin, postet e larta në perandori, titujt dhe deri tek aftësitë e tij për të zotëruar pa vështirësi artin e hollë e të rafinuar të diplomacisë.
Rastësia nuk ka vend kur përmendet familja Vlora, pinjoll i të cilës ishte vetë Ismail Qemali. Themeluesi i kësaj familje Sinan Pasha për vite me rradhë shërbeu si vezir pranë Sulejmanit të Madhërishëm. Po ti referohemi kontributit kjo familje për gati katër shekuj ka shërbyer pranë perandorisë, por duke ruajtur me besnikëri patriotizmin dhe dashurinë për vendin, element të cilin e shohim qartazi dhe në vetë jetën e Ismail Vlorës. Babai i tij Mahmut bej Vlora ka meritën e jashtëzakonshme, duke u munduar që ta bënte atë një shqiptar të vërtetë, por duke e edukuar me shijen dhe prirjet europiane.
Gjatë viteve të karrierës së tij në perandori ai shfaqi një simpati të madhe për Anglinë, kulturën e tyre madje dhe një pjesë e madhe e miqve të tij ishin anglezë, simpati kjo e lindur qysh në moshë të re. Ende pa i mësuar mirë ligjësitë e diplomacisë, në sajë të të atit, por edhe xhaxhait të tij Selim Pasha kishte pasur kontakte me guvernatorë apo edhe konsuj sidomos në Janinë atje ku u shkollua dhe kaloi një pjesë të mirë të jetës si funksionar. Qysh herët familja i kushtoi rëndësi formimit të tij intelektual, mësimit të gjuhëve të huaja, adhurimit të mitologjisë helene. Sot përmenden shpesh aftësitë e tij diplomatike, por pakkush përmend se ai ishte i shkëlqyer në shkencat ekzakte dhe i jepej për tu marrë me çështjet industiale.
Përmendet shpesh gjatë viteve të karrierës së tij në perandori si një njeri i matur, por edhe liberal, jo më kot cilësohej si i tillë kur pjesën më të madhe e kaloi duke bashkëpunuar me vezirin liberal dhe reformator Mithat Pasha, i cili ishte edhe mik i tij. Nëse sot përmendet si diplomat e jo si politikan kjo nuk është rastësore pasi pjesa më e madhe e posteve të tij lidheshin me Ministrinë e Punëve të jashtme të perandorisë. Në fakt nga vëzhgimet ai kishte më shumë talent për diplomaci, sesa për politikë. Të gjitha ngjarjet i shikonte me realitetin e tyre historik dhe jo mes lojës së interesit.
Në eksperiencën e tij shumëvjecare si guvernator i perandorisë në Danubin e Poshtëm, Varna, Bolu, Galipoli, Bejrut apo Tripoli ai manifestoi vlera të larta drejtuese dhe menaxhuese të situatave të vështira. Për të ishte shumë e rëndësishme të njihte popullsinë, natyrën karakteristikat e etnive, duke i trajtuar ato në mënyrë kalorsiake siç i ka hije një fisniku dhe jo me forcë, duke siguruar prej tyre sakrifica të mëdha. Ai kurdoherë bëri të mundur që administrata të ishte në funksion të popullsisë, dhe që kjo e fundit të ndjente se ligji dhe sulltani ishin pranë problemeve të tyre për tu dhënë zgjidhje. Ishte mjaft vizionar, duke kapur ritmin e vendeve perëndimore në mënyrën e administrimit si guvernator, duke kuptuar se nëse populli do të ishte i kënaqur dhe i trajtuar me drejtësi, do të kishte gjithmonë rend dhe qetësi. Drejtimi i Shqipërisë nuk ishte ndonjë gjë e re për të dhe as i vështirë për të gjitha arsyet e lartëpërmendura, por mesa duket vështirësia qëndron tek koncerti europian dhe interesat e tyre.
Në natyrën e tij nuk kishte vend për egoizëm apo prepotencë, lakmi për poste të larta, pasi ato i kish gëzuar gjithmonë aq sa nuk kishte luksin të tërhiqej në jetën e tij private, pasi në perandori e çmonin për rolin, dobinë dhe mendimin e tij vizionar sidomos në politikën e jashtme dhe në kursin që duhet të mbante perandoria lidhur me Rusinë dhe Britaninë. Jo pa qëllim sulltan Abdyl Hamiti i besoi atij poste drejtuese në rajone delikate dhe kjo flet mjaft për referencat e tij të shkëlqyera në drejtim, por edhe si njohës i mirë i ligjeve dhe zgjidhjes së situatave problemore mes pushtetit lokal dhe atij qëndror, por edhe një sërë çështjeve juridike të karakterit civil dhe penal. Spekulime të ndryshme mbi lakmitë e tij për ofiqe dhe tituj bien poshtë, mjafton të përmendim rastin kur ai refuzoi titullin Pasha për shkak të moshës së re dhe se ky titull e pengonte në karrierën e tij.
Është folur shpesh për drejtimin e tij oriental apo për politikën e tij orientale, nga sa u tha më lartë kjo bie poshtë, por vlen të theksoj se ai kurrë nuk pati paragjykime për orientin sepse aty u edukua dhe punoi dhe orienti për të nuk ishte një botë e panjohur, por ai dëshironte të ndryshonte mendësitë e prapambetura të popullsisë, pavarësisht dëshirës ai ishte realist dhe këtu dua të citoj Ismail Qemalin kur thotë: “ Në perëndim liberalizmi ishte vetëm një etiketë e një partie, ose një mjet për të arritur në pushtet. Në vendet autokratike të lindjes mjafton një mendim i vetëm i ideve liberale, për të ngjallur dyshime dhe për të tërhequr çdo lloj rreziku. Ai nuk ndihmon ndonjë që të marrë pushtetin, po përkundrazi ata që kanë këto ide, rrezikojnë të humbasin postin, madje edhe jetën”.
Këtë fakt ai e dinte mirë, pasi e kish provuar në lëkurën e tij, ku disa herë për shkak të intrigave të vezirit Nedim Pasha kishte arritur ti shpëtonte zemërimit të sulltanit dhe dënimeve, sepse mesa duket dinte të zotëronte fuqinë e argumentit me qetësinë dhe taktin diplomatik.
Në çështjet e shtetit theksonte ai është interesi që drejton zgjidhjet politike dhe frymëzon sjelljen, parim të cilin e vuri në zbatim edhe në rastin e Shqipërisë, atëherë kur ajo kishte më shumë se kurrë nevojë për ndihmë. Në shek e XIX atëherë kur lufta bëhej për hegjemoni territoriale ai kishte arritur të parashikonte atë çfarë do të kërkonte shek XX pikërisht fuqinë ekonomike për të cilën popujt e vegjël do të kishin nevojë.
Si diplomat dhe më vonë si kryetar shteti ai njihte mirë bashkëjetesën midis besnikërisë dhe ndershmërisë. Largpamësia ishte aq e madhe sa mundi të nuhaste në kohë trendet e ndryshimit të politikave europiane në raport me njëra-tjertën me perandorinë, por duke menduar edhe për fatin e Shqipërisë, kjo duket qartazi në momentin kur ai nxit sulltanin të miratojë kushtetutën si e vetmja mënyrë për të afruar popujt me perandorinë. Përpjekjet për vendin kishin lindur qysh në kohën ku me ngulm ai i përsëriste sulltanit se kushtetuta është e vetmja garanci për të gjitha etnitë.
Nuk mund të harrojmë se edhe atëherë kur sulltani kishte shpërndarë agjentët e tij në Evropë për ta eliminuar, në 1908 ai merr përsëri riskun të kthehet në perandori në cilësinë e deputetit përfaqësues i sanxhakut të Beratit.
Në të kaluarën është folur dhe do të flitet për dimensionin e tij si diplomat, intelektual apo dhe burrë-shteti, por të gjitha këto burojnë prej dimensionit të tij të madh njerëzor. Me këtë dua të them se përtej aureolës së një njeriu të rëndësishëm jetonte një njeri që e njihte mirë vendin e tij, historinë dhe traditat. Tek ai jetonte njeriu që përtej kornizës së të qenit i madh, mendjendritur apo dhe i rëndësishëm, ishte ai i thjeshti që donte dhe respektonte nënën një grua të nderuar e cila çoi përpara familjen dhe edukimin e fëmijëve apo dhe menaxhimin e pasurive dhe atëherë kur i burgosën burrin, nënën që e shoqëroi gjatë rrugëtimit të tij në perandori, respektonte gruan dhe donte fëmijët dhe familjen, të gjitha këto tregojnë vlerat e një shqiptari të mirëfilltë dhe intelektual e fisnik jo prej pasurisë apo titujve por prej ndjenjave të dashurisë, besnikërisë dhe patriotizmit.
Për figurën e tij do të shkruhet shumë edhe në të ardhmen, duke e trajtuar si modelin e një diplomati perëndimor, ku me krenari do të theksojmë se ai është shqiptar dhe na përket ne.
Mesa duket i gjithë mjedisi, familja, miqtë ,armiqtë, origjina, sulltani, postet, përpjekjet dhe gjithçka tjetër kishin shtruar rrugën dhe kishin paracaktuar fatin e tij për të qenë i pari dhe për të shënuar kthesën në historinë e Shqipërisë, por edhe të vetë jetës së tij. Miqtë dhe armiqtë e tij kishin nuhatur natyrën dhe karakterin e tij dhe kjo dëshmohet në letrën e mikut të tij Gordon, i cili thotë: “ Ju kam thënë që ju do të bëheni një njeri i madh dhe vazhdoj ta mendoj këtë. Qëndroni larg aventurave”.
Ai kur nuk u shpreh se në krye do të jem vetë, por tha: “Ndoshta mund të jem unë”/ Dritare.net
*Specialiste historie ne Muzeun Kombetar te Pavaresise