Përpjekje për të mbijetuar deri më 26 maj!

Nga Mero Baze

Opozita po përpiqet të qëndrojë gjithnjë e më larg “de jure” nga skenat e inskenuara në një kasetë mes personazhit të famshëm “Babale” dhe vëllait të Fatmir Xhafajt, duke shpresuar se mund ta mbajë fabulën gjallë deri më 26 maj, duke ndërruar prezantuesit e saj.

Historia nisi duke pasur si prezantues tre deputetë të PD, pastaj vazhdoi duke pasur prezantues Lulzim Bashën, i cili mendoi se e gjeti veten më në fund si lider opozite, duke imituar skenarin maqedonas. Pastaj kur provat shkuan në Prokurori, filloi sprapsja dhe nxorën në skenë një gazetar, i cili po ashtu nuk mori përsipër përgjimin.

Dhe në fund fabulën po e vazhdon një emision televiziv që shfaqet “part time”.

Kjo histori prej një jave ka vetëm një vazhdim, dhe ai vazhdim duhet të vijë nga Prokuroria dhe gjykatat. Nëse Prokuroria çertifikon një vepër penale, qoftë për Xhafajn, qoftë për “Babalet”, ata duhet të përballen me pasojat e saj juridike dhe politike.

Skenari për ta mbajtur gjallë deri më 26 maj, është një skenar politik, i cili përpiqet të zëvendësojë spotet propagandistike për mitingun.

Problemi që ka Lulzim Basha me histori të tilla, tregojnë pasigurinë që ai ka ndaj asaj që bën, çka krijon dhe pasigurinë e të tjerëve tek ai si lider opozite.

Kur një kryetar opozite i ka dalë zot asaj kasete një herë publikisht, ose duhet t’i qëndrojë vetë deri në fund, ose duhet të kërkojë ndjesë për atë që ka bërë dhe të përballet me pasojat.

Përdorimi i një inskenimi për të nxitur revoltë kundër një ministri dhe për të marrë përfitime politike prej tij, është një thikë me dy presa për një lider opozite, sidomos kur është e qartë se inskenimin e ka nxitur vetë.

Pra, në kushtet kur e di që e ka bërë, ai duhet t’i qëndrojë deri në fund asaj që ka bërë, dhe jo ta degdisë fabulën dorë më dorë, për të fshehur shenjat e gishtave të tij.

LEXO DHE :  Durrës/ Rama: Ja si më kërkoi falje turisti politik!

Nëse Lulzim Basha është inspiruar vërtet nga “bombat” e Zaevit, duhet të dijë se ato pikë së pari ishin të vërteta, dhe nuk kishte rëndësi nëse ishin të paligjshme, kurse ky ka përgjime “të ligjshme” për të inskenuar një të pavërtetë. Dhe e dyta, Zaev u qëndroi atyre deri në fund, duke i prezantuar vetë dhe duke i bërë objekt hetimesh edhe të Prokurorisë Speciale, ndërsa Basha të gjithë këtë e bën vetëm që të mos hetojë Prokuroria dhe sidomos të shmanget ngritja e Prokurorisë Speciale, SPAK.

Ai nisi t’i dalë zot një inskenimi dhe sapo çështja shkoi në Prokurori, u tërhoq dhe e degdisi përgjegjësinë dorë më dorë, ku të gjithë të jenë autorë dhe askush të mos jetë përgjegjës.

Tani pas një jave, kur “Babalja” është bërë personazh popullor, kur gazetari i përdorur nga PD po sulmohet fatkeqësisht për llogari të keqpërdorimit nga PD, kur dhe vetë “Babalja” nuk merr përsipër përgjimet, vazhdimi i kësaj historie për të mbajtur gjallë vlagën deri të shtunën, është një përpjekje për të gënjyer demokratët, më shumë se sa opinionin publik.

Nëse ai vërtet beson se është para një historie të vërtetë, duhet t’i dalë vetë zot asaj në emër të opozitës, dhe nëse është i pasigurtë, duhet  t’ia lërë në dorë drejtësisë, e cila ka filluar punën.

Kjo skema e Lulzim Bashës që edhe qejfi ja ka që kjo histori të vazhdojë dhe b.. nuk ja mban ta vazhdojë vetë, është në të vërtetë portreti real i opozitës.

Është pak a shumë si ajo batuta e famshme tek filmi “Dimri i fundit”, kur një grua e frikësuar se gjermani po i numëronte gratë që po u çonin bukë partizanëve, dha urdhër: “Lëvizni gra, se po na numërojnë”./tema

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.