Bëhet fjalë për fabrikën më të madhe në Ballkan “Rozafa”. Ajo gjendet vetëm 5 km larg qytetit të Elbasanit, në Labinot Fushë.
Isha atje edhe e pashë me sytë e mi.
Ndërthurja e emrave të kohës komuniste me atë të sotme i jep mister dhe kuriozitet që ta prekësh më nga afër.
Një kompleks prej 52 mijë metrash katrorë, ku brenda kësaj hapësire gjen gjithçka, duke filluar që nga Bar-Restorant-Hotel, Mensa e Kooperativës, shkolla, kopshte e deri tek fabrika e përpunimit të peshkut.
Hoteli vetë është i gjithi një zbulim për historinë që tregon dhe fsheh. Sipas sipërmarrësit Gjergj Luca, nuk tregohet, vetëm zbulohet duke shkuar.
Ambiente romantiko-erotike plot me piktura nudo dhe perde të kuqe e ndriçim të zbehtë.
Sapo futesh në dhomë, mendja të shkon tek filmat, ato me princër e princesha.
Dhomat me pamje piktoreske janë të gjitha të shkëlqyera. Por disa dhoma të tjera të projektuara janë të rralla. Si të rralla? Epo shkoni shikojini vetë!
Këto kanë bërë që shumë njerëz të rezervojnë për të shijuar fundjavën e tyre.
E dizenjuar me çdo detaj, që nga ngjyra edhe deri tek akomodimi. Nga porta e hyrjes së hotelit, i cili ndodhet ngjitur me Bar-Kafe Shtabi i Përgjithshëm Labinot kanë kaluar të ftuar të shumtë, mes së cilëve ministra, njerëz të artit, por edhe vetë Kryeministri Rama.
Pas një nate në hotel ai është shprehur: “Kam kaluar aq mirë, saqë kam bërë një gjumë të lumtur”.
Në fakt kjo kompani njihet për përpunimin e peshkut dhe të frutave të detit në vend. Mirëpo në qendër të saj qëndron edhe “Mensa e Kooperativës” ku përgatitet peshku.
Siç duket edhe nga pamjet, për elbasanasit dhe qytetarë të rretheve të tjera është kthyer një ndër vendet më të preferuar kjo për shkak të menusë së pasur që ky restorant mbart.
Personalitetet, njerëz të artit, njerëz të thjeshtë zgjedhin pikërisht këtë vend për të kaluar fundjavën apo çdo ditë të javës.
Por përse, çfarë ka të veçantë ky vend, pse po flitet vetëm për të?
I kërkova një intervistë të shkurtër për Dritare.net, Luces, për këtë kryevepër që ai e quan “Ëndrrën e tij”. Ai u shpreh: “ A nuk të mjafton gjithë kjo panoramë?”
Busti i Skënderbeut është një ndër statujat më të mëdha në të gjitha trojet shqipfolëse. Me mijëra turistë të huaj edhe vendas e kanë vizituar.
Në fakt vetë skulptori u shpreh për Dritare.net se: “Do të ketë akoma surpriza, ky është fillimi”. Pak metra më lart gjendet një ndërtesë e shkatërruar gati në të shembur, ku në të ka një shkrim interesant ku shkruhet: “Monument Kulture, të mos harrojnë qentë si kanë qënë”.
Mbi të gjithë këtë mrekulli që ka ndërtuar regjisori Luca, ai do të ndërtojë edhe një vepër tjetër, që do të jetë në majën e malit me emrin “Kulla e Pendimit”.
E dini çfarë funksioni do të ketë? Ajo do të stilohet me të gjithë VIP-at më me zë shqiptarë të vizatuar në mure, dhe sipas projektuesit çdo njeri do të japë llogari për mëkatet e tij në jetë.
Kjo zonë nuk ka fund, në të ka gjithçka, shkollë dhe kopshte, parqe lojërash falas për fëmijë,ndërsa për punonjësit e kompanisë ka një sallë të madhe konferencash, gjithashtu dhe një ndërtesë e quajtur “Prokurori”.
Ndërthurja e natyrës me nuancat e modernes i jep këtij vendi një pamje të magjishme.
Dikur një vend i rrënuar dhe i shkatërruar, ku hyrja nuk lejohej sepse kishte rrezik të shembej, tashmë është kthyer në vendin më të preferuar nga të gjithë qytetarët. Punësimi dhe ekonomia e kësaj zone mori një hov të rëndësishëm, çdo njeri mund të punojë madje edhe një 18-vjeçar.
Shumë shpejt ky vend do të përfundojë të gjitha fazat edhe padyshim do të jetë një vepër turistike unike në Ballkan.
E pra nëse jeni akoma në dilemë ku të kaloni fundjavën tuaj, ku t’i çoni fëmijët tuaj për t'i argëtuar apo ku t'i bëni vetes apo shoqërisë një dhuratë relaksuese totale, Rozafa është përgjigja e duhur, ky kompleks është kthyer tashmë në një oaz të Shqipërisë që duam./Përgatiti: Daniel Muçaku/ dritare.net