Për ata që ëndërrojnë standartin Rusmali për Fatmir Xhafajn!

Nga Mero Baze

Për të disatën herë ditët e fundit njerëz të Partisë Demokratike, po më shumë propagandistë të saj, po përpiqen të përdorin precedentin e Ilir Rusmalit për të bërë analogji me Fatmir Xhafajn. Është interesante kjo dashuri e papritur e PD-së për standartin “Rusmali”, ndërkohë që askush nga ata që e përdor, nuk i flet as me gojë Ilir Rusmalit, dhe ndërron rrugë po t’iu dalë përballë.

Ashtu siç ka ndodhur dorëheqja e Rusmalit, dhe nën dritën e fakteve që kanë pasuar armiqësinë e Berishës ndaj Rusmalit, është e qartë se ai ngriti një valë kundër korrupsionit në vend, me përpjekjen për të standartizuar  disa hallka kyçe kundër korrupsionit në administratë. Në deklaratën e tij të dorëheqjes, ai e ka pas thënë qartë se “në punën time unë e dija që po ngrija një valë kundër korupsionit. Por e dija që vala mund të më kthehej dhe kundër. Tani vala erdhi dhe unë duhet t’i rezistoj valës”.

Historia  e vëllait të tij ishte e gjitha një stisje e njerëzve të Sali Berishës për ta larguar nga rrethi i tij i afërt, njeriun që nuk i kishte firmosur të birit kontratën e Gërdecit dhe njeriun që i kishte firmosur ardhjen e Izet Haxhisë në Shqipëri, me garancinë që të rigjykohej. I vëllai ishte një sajim banal për ta bërë pis.

Atë thjesht e goditi në formën e reagimit hakmarrës, vala e korrupsionit që ai donte të godiste, duke e marrë seriozisht detyrën e tij si zyrtar i lartë.

Nëse ka ndonjë analogji me Fatmir Xhafajn kjo histori, është pikërisht përpekja për të prodhuar një problem me vëllain e tij, për të goditur një zyrtar të lartë, që e ka marrë seriozisht detyrën kundër krimit. Hakmarrja e korrupsionit dhe hakmarrja  e krimit, janë njësoj për çdo zyrtar serioz në detyrë.

Por nuk kam dëshirë të bëj historik analogjirash, por të kthehemi dhe një herë tek dashuria e papritur e PD për standartin “Rusmali.”

Njeriu nuk është kurrë vonë të adhurojë diçka të rëndësishme, një standart të lartë moral që nuk e arrin dot vetë, apo një person me integritet. Dhe nëse PD sot do të kishte filluar vërtetë të kishte  dashuri dhe adhurim për standartin e Rusmalit, do të ishte lajm i mirë.

Por kjo nuk është e vërtetë. Ilir Rusmali është për PD-në një rrezik më i madh se PS, pasi ai standart dërgon jo në shtëpi, por në burg, shumicën e kupolës së PD.

Përfytyroni ta adaptojë këtë standart Lulzim Basha, i cili nuk ka dhënë dorëheqje asnjëherë në jetë të vet për asnjë arsye, as kur është akuzuar nga Prokuroria se ka vjedhur 220 milionë euro, as si ministër i Brendshëm kur ka vrarë katër qytetarë, as si kryetar partie kur ka humbur thellë dy herë zgjedhjet.

LEXO DHE :  Mbrëmë ata ishin heronjtë e mi. Analisti tregon natën në urgjencë

Përtej banalitetit dhe dashurisë së papritur për Rusmalin, PD duhet ta dijë se nëse kërkon një standart si ai i Rusmalit, duhet të mos përfaqësohet në parlament nga hajdutë ordinerë të dënuar, si Grida Dume, që shet nga dy herë apartamentet e partnerit jo vetëm në biznes, nuk duhet të përfaqësohet nga hajdutë legalë si Lulzim Basha, nuk duhet të përfaqësohet nga injorantë si Flamuri, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të përdorë dy standarte, një standart pushteti, në të cilin përjashtohet Rusmali, dhe një standart opozite ku gjoja “adhurohet” Rusmali.

Kjo, sepse PD  nuk ka standart aktin e Rusmalit, por zbimin e Rusmalit për shkak të atij akti. Ai me atë akt, vendosi standartin e tij, jo të PD-së.

PD nuk mund të adhurojë standartin dhe të vrasë njeriun që e ka vendosur. Nëse janë penduar dhe u duhet Rusmali, le ta marrin Rusmalin në PD, por kujdes, se me standartin e tij, do t’u boshatiset selia.

Dhe të rrezikuarit kanë të gjithë emër e mbiemr, që nga Sali Berisha, Shkëlzeni, Argita, Lulzimi, “Mulërat” dhe gjithë kokëtulërat banalë në atë seli.

Standarti real që ka krijuar PD kundër krimit dhe korrupsionit, jo vetëm është mijëra vite larg standartit Rusmali, por si standart e mban Shqipërinë të korruptuar dhe kriminalizuar.

Nëse PS do të vendoste të qeveriste me standartin e PD, Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri jo që s’duhet të preken, por të dekorohen, dhe nëse Edi Rama vret 30 veta (26 t’i vrasë Gregu, plus 4 në demonstratë t’i vras vete Edi, dhe të mburret) dhe nëse Gjiknuri akuzohet për 220 milionë euro nga Prokuroria për ndonjë rrugë si Lulzim Basha, dhe nese Arben Ahmetaj do vendoste drejtor tatimesh dikë që ka  zhdukur njerëz të gjallë si Arben Sefgjini, askush nuk duhet të preket. Por për fat të mire, PS nuk ka standartet e PD dhe po i përball njerëzit e saj me ligjin. Dhe po i përball me dinjitet dhe një kosto të lartë për të për të.

Diferenca e PS me PD, është e frikshme, pasi PS po përball njerëzit e saj me thashethemet e PD, ndërsa PD ka mbrojtur njerëzit e saj nga provat ligjore që i implikonin në vrasje, zhdukje njerzish dhe korrupsion galopant.

Ndaj është mirë që PD të mos bëjë shaka duke folur për standarte, aq më pak me standartin “Rusmali”, se si standart, është një armik real për PD. Një armik që i heq PD-së dhe rojen e parkingut, se dhe rojet janë nga ata që  kanë vjedh ndonjë biçikletë, e jo më politikanët./ TemA

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.