PD në debat/ Kundërshtohen ish ministrat

Pa kaluar dy vjet nga ristrukturimi i plotë, Partia Demokratik,e për të forcuar strukturat për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, i është rikthyer sërish këtij procesi. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka mbledhur dje kryesinë, duke zgjedhur drejtuesit e grupeve të punës për 12 qarqet e vendit, emrat e të cilëve janë shoqëruar me debate. Ka qenë kreu demokrat që në fillim të mbledhjes propozoi që delegues të grupeve të punës në qarqe për përgatitjen e zgjedhjeve të jenë ish-ministrat e qeverisë “Berisha”, si Genc Ruli, Flamur Noka, Ridvan Bode, Genc Pollo apo edhe Arben Imami.

Kundërshtimet

 Ky vendim nuk është pritur mirë nga disa prej anëtarëve të kryesisë. Burime për “Shekulli”-n bënë të ditur se Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Jemin Gjana kanë shprehur rezerva me emrat e propozuar nga Basha. Salianji, Alibeaj dhe Gjana i kanë cilësuar propozimet e kreut demokrat, si figura që kanë “ndihmuar” në humbjen në zgjedhjet lokale. Ata më tej kanë propozuar që t’u hapet rrugë figurave të reja. Burime nga PD-ja thanë se Salianji i është drejtuar kryetarit Lulzim Basha me fjalët: “Si mund tu besojmë që zgjedhjet të drejtohen nga persona që mbajnë përgjegjësi për humbjen në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale?”. Pas fjalës së tij, kryetari Lulzim Basha, i ka kërkuar Salianjit të moderojë fjalorin, pasi, sipas tij, emrat e propozuar në kryesi janë figura me kontribut dhe me besueshmëri në qarqet ku do të zgjidhen. I menjëhershëm ka qenë reagimi ish-ministrave të cilët kanë kërkuar që të mos identifikohen si shkaktarët e vetëm të humbjes, por të ndahen përgjegjësitë para dhe pas procesit zgjedhor.

Debatet e plota në mbledhjen e kryesisë

Lulzim Basha: Para disa ditësh grupi i punës ka përfunduar procesin e analizës brenda partisë. Grupi i punës për më shumë se tetë muaj ka mbledhur informacione të detajuara për zgjedhjet lokale të 2013-ës, të cilat më pas janë analizuar në secilën degë. Gjatë këtyre muajve ky grup ka bërë një analizë të detajuar për arsyet e humbjes në zona të caktuara. Në fund të kësaj analize grupi ka propozuar disa emra që mendojmë se mund të ndihmojnë zonat e caktuara në zgjedhjet parlamentare. Tashmë lista e emrave për qarqet janë publikuar dhe në media. Jeni të hapur për të diskutuar mbi këto emra si dhe për të propozuar emra të rinj që mendoni se mund t’i shërbejnë qarqeve të caktuara.

Ervin Salianji: Emrat që ju propozuat për t’i deleguar në rrethe janë figura të konsumuara. Mendoj se ka ardhur momenti që të dalë në pah ekipi “Basha”. Duhet ekipi “Basha” dhe ne duhet të shkojmë në zgjedhjet e ardhshme me një fytyrë të re. Zoti Basha, ju jeni shprehur se do t’i jepet më shumë hapësirë të rinjve dhe me sa kam parë unë asnjë prej të rinjve nuk kryeson asnjë nga shtabet elektorale. Në të gjithë qarqet drejtues të shtabeve do të jenë figura që kanë humbur në zgjedhjet e fundit. Nuk më duket e drejtë.

Arben Imami: Nuk kemi vetëm ne përgjegjësi për humbjen.

Flamur Noka: Ne nuk mund të quhemi të konsumuar.

Ervin Salianji: Shqiptarët presin ekipin “Basha”, zotëri. Ka ardhur momenti që të shkojmë përpara shqiptarëve me një imazh tjetër.

Enkelejd Alibeaj: Jam plotësisht dakord me Salianjin. Duhet të kemi një kriter për performacën e tyre.

Jemin Gjana: Jam plotësisht dakord me z.Salianji. Duhet të jemi më të kujdesshëm në këtë pikë, pasi siç e dimë ka jo pak probleme mes deputetëve, kryetarëve të degëve dhe drejtuesve të Grupeve të Punës.

Lulzim Basha: Për të gjithë emrat e propozuar ka pasur një dakordësi pothuajse nga të gjithë anëtarët e grupit të punës. Që të gjithë janë figura me reputacion në qarqet ku janë zgjedhur. Nuk ka qenë e rastësishme, megjithatë secili nga ju mund të propozojë emra të tjerë për qarqe të ndryshme, por gjithmonë duke u bazuar në kredibilitetin e emrave në qarqet ku do të emërohen.

Edi Paloka: Nuk kemi pse të flasim në përgjithësi. I marrim me rradhë emrat e propozuar nga grupi i punës. E rinisim nga Gjirokastra. Unë për vete nuk ka asnjë kontestim për zotin Tritan Shehu. Kush mund të jetë një figurë tjetër që mund ta drejtojë këtë qark më mirë se sa zoti Shehu? Po ashtu dhe propozimi i zotit Edmond Spaho në qarkun e Elbasanit më duket një emër i pakontestueshëm.

Arben Ristani: Nuk kemi pse të ndajmë diskutimin të rinj-të vjetër. Ajo që do të thoja unë është që të marrim, siç tha dhe zoti Paloka, emrin e gjithsecilit dhe ta diskutojmë nëse është i duhuri për qarkun ku është propozuar. Çfarë janë këto ndarje të rinj të vjetër?

Florjon Mima: I pavend etiketimi i shtruar këtu në të vjetër-të rinj. Le të diskutohet tek e tek, për gjithsecilin.

Edmond Spaho: Mirëpresim propozimin e çdonjërit. Nëse ka këtu ndonjëri që mendon se ka ndonjë emër që mund t’i shërbejë ngritjes së PD-së në ndonjë qark, nuk kemi pse të mos e diskutojmë.

Arben Imami: Mua më ka befasuar në fakt njëri nga emrat që kemi propozuar.

Edmond Spaho: Seç kam përshtypjen që e di për cilin propozim e ke fjalën.

Arben Imami: Unë nuk jam dakord me propozimin që më keni bërë para dy ditësh në grupin e punës për të drejtuar shtabin elektoral të qarkut të Vlorës. Edhe pse personalisht do të ishte një privilegj, por këtu fjala është për të treguar më shumë rezultate. Unë do të propozoja që një nga drejtuesit e qarkut të Vlorës të ishte Flamur Noka.

Edi Paloka: Edhe pse Flamur Noka është një nga njerëzit që do të merrte maksimumin e votave në qarkun Kukësit duke drejtuar shtabin elektoral, mbeten i mendimit se propozimi që zoti Ndoka të jetë pjesë e qarkut të Vlorës, është një propozim interesant.

LEXO DHE :  Foto/ Ja si kanë qenë vipat para se të bëheshin të famshëm!

Flamur Noka: Meqë zoti Imami shprehu dëshirën që të drejtoj ndonjë qark tjetër, dhe këtu gati të gjithë ranë dakord për zhvendosjen nga Kukësi në Vlorë, unë mendoj se qarkun e Kukësit mund ta drejtojë zoti Sherefedin Shehu.

Lulzim Basha: Edhe unë mendoj se zoti Shehu është një figurë e përshtatshme për të drejtuar qarkun e Kukësit, ndërsa z. Imami propozoj që t’i prijë ekipit të qarkut të Durrësit së bashku me zotin Eduard Halimi. Nga ana tjetër dikush këtu lakoi emrin e zotit Jemin Gjana për të drejtuar qarkun e Lezhës. Më duket një propozim i drejtë, pasi dhe prania e zoti Bumçi në Tiranë është shumë e nevojshme për shkak se është një nga njohësit më të mirë të elektoratit në kryeqytet dhe mungesa e tij në zgjedhjet lokale është vërejtur.

Edi Paloka: Nuk e di nëse ka ndonjë kontestim për figurat e tjera të propozuar në qarqet e mëdha? Besoj se të gjithë jemi dakord se zoti Ruli është një nga personat që e njeh shumë mirë qarkun e Korçës, ashtu siç zoti Bode është mirëpritur nga dega e qarkut të Beratit.

Lulzim Basha: Duhet ta kemi të qartë të gjithë që në caktimin e atyre që do të mbikëqyrin mbarëvajtjen e çdo grupi pune janë patur parasysh përvoja dhe mungesa e konfliktit të interesit. Pra, të gjithë drejtuesit e caktuar shërbejnë në zona ku nuk kanë shërbyer apo kanë shërbyer para shumë vjetësh. Procesi i riorganizimit të demokratëve pritet të përfundojë pas muajsh.

Degët për të cilat do të votohet në Tiranë

 Dega Nr.1 Aktualisht drejtohet nga Dilaver Laçi

Dega Nr.2 Aktualisht drejtohet nga Albert Farruku

Dega Nr.3 Aktualisht drejtohet nga Uran Metko

Dega Nr.4 Aktualisht drejtohet nga Ervin Goxhaj

Dega Nr.7 Aktualisht drejtohet nga Lefter Gështenja

Dega Nr.12 Aktualisht drejtohet nga Arben Shkoza

Drejtuesit për organizimin zgjedhor të PD-së

Tiranë – Edi Paloka

Durrës – Arben Imami

Shkodër – Arben Ristani

Kukës – Sherefedin Shehu

Lezhë – Jemin Gjana

Gjirokastër – Tritan Shehu

Fier – Genc Pollo

Elbasan- Edmond Spaho

Korçë – Genc Ruli

Vlorë – Flamur Noka

Dibër – Gent Strazimiri

Berat – Ridvan Bode

Performanca e dobët, shtohen 14 degë të reja në PD

Krahas përcaktimit të krerëve të grupeve të punës për 12 qarqe për fazën e parë përgatitore, ku dominon eksperienca gjatë viteve të opozitës dhe qeverisjes së demokratëve, kreu i PDsë ka bërë publik vendimin për futjen në zgjedhje të mbi 50 për qind të degëve aktuale, të konsideruara me performancë të dobët si dhe ka propozuar që numri i degëve të shkojë nga 53 degë në 67. Edhe pse demokratët janë kundër ndarjes së re administrative ata kanë shtuar degët e reja, për t’iu përshtatur ndarjes administrative. Shtimi i degëve dhe rioragnizimi i degëve aktuale do të prekë rreth gjysmën e tyre, siç tha Basha. Kreu demokrat pohoi një rishikim të imët të listës së anëtarësisë, pasi në zgjedhjet e shkuara një ndër problemet e shfaqura ishte fiktiviteti i saj në masën 20 për qind. Kryesia aprovoi disa sekretarë e drejtues departamentesh të komanduar për arsye vakante apo poste të reja si sekretarin e aksionit qytetar, Ervin Salianji, drejtuesin e departamentit te rendit dhe sigurisë, Enkelejd Alibeaj. Ndonëse për të nuk u ndoq zgjedhja me Këshill Kombëtar si sekretarët e tjerë, ai ishte i vetmi që u ankua për krerët e grupeve, duke provokuar reaksionin e gjithë kryesisë. Lulzim Basha i kujtoi se hipotekën e kontributeve në parti e ka ai si kryetar i saj. Basha paralajmëroi një mbledhje të Këshillit Kombëtar, të cilit kryesia i përcjell edhe vendimin për 35 për qind të listës së kandidatëve për deputetët me të rinj, të cilët do të përzgjidhen nga gara e primareve në FRPD.

Debatet

Lulzim Basha: Në kuadër të ristrukturimit, Partia Demokratike do t’i nënshtrohet dhe një ristrukturimi të thellë në bazë. Nga 53 degë aktuale, ato do të shtohen në 67, kjo në funksion të mirëorganizmit. Shtimi i degëve të reja, por dhe analiza post zgjedhjeve vendore të 2015-ës ka bërë që në rreth 35 degë aktuale edhe pse kryetarët u zgjodhën vetëm 2 vite më parë të këtë sërish zgjedhje. Qarqet e mëdha do t’i nënshtrohen zgjedhjeve për kryetar duke sjellë dhe ndarjen e tyre në disa degë të reja. Procesit të ristrukturimit nuk do t’i shpëtojë as Tirana.

Edi Paloka: Degët në kryeqytet në të cilat pritet të ketë zgjedhje, është një që aktualisht drejtohet nga Dilaver Laçi, dega numër dy që drejtohet nga Albert Farruku, dega numër 3 që drejtohet nga Uran Metko, ajo numër 4 që drejtohet nga Ervin Goxhaj, dega numër 7 që drejtohet nga Lefter Gështenja dhe dega 12, që drejtohet nga Arben Shkoza.

Arben Ristani: Është mëse e domosdoshme të bëhet ndryshimi në disa degë. Strukturat duhen fuqizuar dhe po ashtu krijimi i degëve të reja do të rrisë kontrollin në të gjithë vendin, pasi për shkak të numrit të vogël të degëve në qarqet e mëdha ka qenë i pamundur angazhimi në zgjedhjet lokale.

Ervin Salianji: Nuk janë dakord me vendimin për të krijuar degë të reja. Do të krijohen përplasje me degët aktuale. Nuk kemi pse e minimizojmë rolin e kryetarëve në rrethe. Ata janë pika jonë më e fortë.

Lulzim Basha: Duhet ta kemi të qartë të gjithë, se vendimi për të krijuar degë të reja është marrë pasi jemi informuar dhe kemi analizuar situatën në terren. Vendimi ynë për të propozuar shtimin e numrit të degëve vjen në bazë të analizës që ka bërë grupi i punës, ku ka konstatuar mosfunksionim të strukturave.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.