PD-LSI padisin Arta Markun, për largimin e prokurorëve të Tahirit
Dritare.net
Në emër të opozitës, kryetarët e grupeve parlamentare të PD-LSI, Spaho dhe Vasili, kallëzimin e kanë depozituar në prokurorinë e Tiranës.
“Arta Marku ka ndërmarrë veprime aktive që kanë shkaktuar pasoja të rënda për funksionimin e organit të prokurorisë”, thuhet në kallëzim.
Opozita i cilëson lëvizjet e paligjshme të prokurorëve të urdhëruara politikisht, dhe padititi kryeprokuroren për shpërdorim detyre, pasi ajo vendosi të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Padia e opozitës i referohet edhe çështjes Shullazi, për të cilën theksohet se Prokuroria ka dështuar të përfaqësojë akuzën dhe shtetin në gjykim e për këtë përsëri bëhet fajtore kryeprokurorja Marku.
Aktet e saj konsiderohen si të paligjshme nga opozita, sipas së cilës ato provojnë tërësisht se qëllimi i Arta Markut në detyrë është shërbimi politik ndaj Edi Rama dhe dëshmi i pengimi i hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë të Qeverisë apo organizatave kriminale të lidhura me të.
“Në mbështetje të neneve 240-243 të Kodit të Procedurës Penale, paraqitjen e kërkesës për marrjen e masës ndaluese “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin”, thuhet në kallëzim penal të opozitës./E.B-dritare.net