PD: Komisioni i Venecias konfirmon tërësisht qëndrimin tonë. Reagon Rama
Dritare.net
Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike përshëndet miratimin e shpejtë të Opinionit të Komisionit të Venecias për 4 pyetjet që i ka drejtuar Gjykata Kushtetuese për vettingun.
“Komisioni i Venecias, në paragrafin 64, ka shprehur qartë opinionin se grupi i punës i përbërë nga organet që janë nën varësinë apo ndikimin e Kryeministrit (sic janë DSIK, SHKB në Ministrinë e Brendshme, DPPPP, etj), duhet të jetë domosdoshmërisht nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e plotë të Komisionit të Pavarur të Vettingut. Konkretisht, paragrafi 64 thekson se: “Për Komisionin e Venecias, konkluzioni themelor është që grupi i punës, i cili ka rolin kryesor në kontrollin e figurës dhe që përbëhet nga personel sigurie, të funksionojë nën mbikqyrjen dhe kontrollin e organeve të rivlerësimit dhe që të gjitha materialet në dispozicion të grupit të punës duhet të jenë në dispozicion të tyre”. Ky konkluzion themelor i Komisionit të Venecias konfirmon tërësisht qëndrimin e Partisë Demokratike, se; procesi i kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetting) duhet të bëhet vetëm nga organet kushtetuese të rivlerësimit, dhe se cdo organ tjetër qeveritar duhet të veprojë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e organeve kushtetuese të rivlerësimit (Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve dhe Kolegji i Apelimit). E thenë qartë, paragrafi 64 i Opinionit të Komisionit të Venecias, sanksionon se vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të bëhet jo nga Kryeministri, por nga organet kushtetuese të rivlerësimit.
Komisioni i Venecias në paragrafët 46 dhe 58 çmon se është Gjykata Kushtetuese që duhet të vlerësojë nëse organet kushtetuese të rivlerësimit, kanë kontrollin e plotë mbi organet qeveritare, si kusht që ligji të jetë në përputhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ-së”, thuhet në reagimin e PD-së.
Ndër të tjera, PD thotë se “ne nxisim Gjykatën Kushtetuese që të përfundojë në një kohë të shkurtër shqyrtimin e kushtetutshmërisë së ligjit të vettingut, sipas të gjithë cështjeve të ngritura në kërkesën e Partisë Demokratike. Komisioni i Venecias shprehet qartë në paragrafin 15, se nuk merr përsipër të analizojë përputhshmërinë ligjit me Kushtetuten dhe legjislacionin e brendshëm. Kjo detyrë i takon vetëm Gjykatës Kushtetutese, e cila duhet të garantojë që ligji i vettingut të jetë në përputhje me Kushtetutën”. “Vettingu, sipas Kushtetutes është garancia e vetme për lagimin nga sistemi të gjykatësve dhe prokuroreve të korruptuar. Vettingu, sipas ligjit antikushtetues të Edi Ramës mbron të korruptuarit dhe kriminelët në pushtet”, përfundon reagimi i PD-së.
Pas deklaratës së PD, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Rama shkruan: “PD pretendon përsëri se ka një përkthim ekskluziv të sajin për Venecian. Në fakt Venecia ka konfirmuar pa rezervë Ligjin e Vetingut. Pikë!