Pas takimit/ Rama: S’e presim më PD-në, drafti kalon për miratim
Dritare.net
Rama në deklaratën e dhënë për mediat tha se, PS pranoi një draft me pika, të paraqitur nga ekspertët ndërkombëtare me qëllim afrimin e palëve, por as kjo nuk mjaftoi. Si rrjedhojë, Rama deklaroi se ai është i bindur se PD nuk e do reformën në drejtësi, por kjo theksoi ai nuk do të thotë se ata nuk do ta votojnë atë.
“Ne e kishim pranuar 100% këtë plan, ku përfshirë dhe shumica e 2/3 që është kërkuar pa pushim nga PD. Për habinë e shumëkujt, PD e refuzoi këtë ofertë që e barazon shumicën dhe opozitën”, tha Rama.
“Unë nuk u habita sepse nuk hyj tek ata që mendojnë se PD nuk e do reformën në drejtësi. Tani më ato që do të thotë do të duhet t’i besojë vetëm vetë. Unë thash se mendoj së PD nuk e do reformën në drejtësi, por kjo nuk do të thotë që PD nuk do ta votojë atë.” Rama theksoi se me këtë takim përfundon dhe pritja e mazhorancës për të arritur kompromis dhe deklaroi se nga sot, drafti i reformës do të dërgohet në Parlament për miratim. Por, ai la të hapur mundësinë e zhvillimit të negociatave gjatë procedurave për kalimin e draftit për miratim.
“Ne nuk do ta presim më PD, do të vazhdojmë në rrugën e vetme që kemi. Por deri ditën e votës në Parlament ka plot orë dhe jo pak ditë që demokratët të mos e humbasin bashkë me këtë tren të historisë edhe krejt fytyrën e tyre”, u shpreh Rama. “Jemi gati të dëgjojmë çdo ide dhe propozim të tyre që nuk e cenon draftin e reformës dhe nuk përbën një përpjekje për të mbajtur duart brenda sistemit të drejtësisë.
Drafti nuk është i përsosur dhe nuk është i shkruar në gur, por nuk është i përvetësueshëm nga individë që i tremben kësaj reforme. Jemi të hapur për çdo përmirësim, asnjë përkeqësim nuk do të lejohet. Pas këtij takimi, reforma do të niset drejt e për në sallën e Kuvendit.”