Ore, jeni mirë, që e keni lënë Vilën e Zogut, në ditë të zezë!

Nga Fjorda Llukmani

Do thoni ju s’ka turizëm në ditët me shi. Po ju them që ka, nëse dini ku të fusni kokën. Në një prej fundjavave të mia, shkova në Durrës, pasi vendet bregdetare më pëlqen t’i shijoj edhe në dimër.

Tentova që kësaj radhe të qëndroja vetëm në hotel, për të bërë një masazh, pak trajtim fytyre, e kështu jetë pjeshkash. Mendja më punonte se çfarë aktiviteti të bëja në ditë me shi.

Dal në ballkonin e hotelit, ku para meje shoh vilën e Zogut.

Mbi kodër është e vetmja ndërtesë që të vret syrin, pasi ndodhet në majën e saj. M’u kujtua që daja dikur bënte filmimet e dasmave aty. Kisha parë foto çiftesh brenda ndërtesës së shkatërruar, por kurrë s’më ishte dhënë rasti ta shikoja vetë nga afër. Duke qenë se vilën e Zogut në Shirokë e vizitova, thashë me vete “Çfarë me gjen ta shoh edhe këtë tjetrën?”

Pyeta vërdallë e më thanë që është e pamundur të hysh, pasi tani është pronë private e nuk të le kush. “Nëse këtu ka hyrë Noizy, atëherë, sigurisht që do futem edhe unë”- mendoja me vete. Me shumë mund e përpjekje, arrita të hy në vilë.

Dhe mos e pyesni kurrë një gazetare si e gjen mënyrën, se ose do ju gënjejë, ose do ju thotë “kam burimet e mia”. E keni parasysh vetë ndjesinë që të vjen kur je brenda diçkaje të ndaluar.

Rruga ishte e shtruar me gurë vullkanikë që ngjanin me ato të bulevardit në Tiranë.

Ndërtesa është pothuajse e rrënuar. Vetëm nga jashtë dukej që i kishin futur një furçë lyerje, ngjyrë rozë e hapur.

Oborri ishte goxha i madh me pamje nga i gjithë Durrësi. Sigurisht kjo është dhe arsyeja pse e kanë ndërtuar atje sipër. Thuhet se vila është dhuratë nga tregtarët durrsakë për mbretin Zog, meqë ky i fundit u ka bërë disa ndere.

Ngjita shkallët dhe mbi kokën time pashë statujën e Skënderbeut. Mbi të një ballkon si ai i Zhuljetës. Brenda shkallët ishin të mbuluara me mermer.

Në fakt kjo është karakteristika e vilës, pasi vishet me mermer jeshil dhe të bardhë. Ka qenë dikur, se tani i kanë vjedhur pothuajse të gjitha.

Gjithsej janë 20 dhoma. E para që pamë ishte ajo e pritjeve, ku bëheshin mbledhjet.

Në një cep ndodheshin 3 dritare të hapura që të lidhin me një dhomë sekrete ku qëndronin rojet e mbretit, ose Zogu vetë, nëse donte të përgjonte bisedat.

LEXO DHE :  Rrëmbyesit e protestave, nesër kanë protestë

Hyrja për në dhomën sekrete ishte poshtë dhomës së mbretit. Tavani mirë që s’të binte mbi kokë. Më zuri syri pëllumba që kishin ndërtuar fole aty.

Çdo dhomë ka dekor ndryshe nga tjetra. Më bëri përshtypje që në kuzhinë, dekori i mermerit është me fruta perime të gdhendura.

I vetmi tavan që nuk është vjedhur apo dëmtuar, ka ngjyrë jeshile të errët me të kuqe.

Në vilë kishte dhomë edhe për motrat e Zogut. Ndërsa dhoma e mbretit dhe mbretëreshës ishin veç nga njëra- tjera. D.m.th nuk flinin bashkë. Hera e parë që e dëgjoja këtë histori.

Dhoma e mbretereshes
Dhoma e Mbretit

Në vilë kishte dhe hamam. Madje pllakat janë me dekor zogjsh. Të jetë koicidencë vallë? Thuhej që në hamam dikur ka qenë një gur i çmuar, i cili nuk ekzistonte më.

Kolonat po ashtu mbështilleshin me mermer. E imagjinoja sa bukur ka qenë në kohën e vet.

Dhoma e mbretit është me tavan të bardhë e disa zbukurime gipsi nëpër cepa. Thuhet se kostoja e ndërtimit të vilës është e barabartë me ndërtimin e ministrive në Tiranë, që u bënë në kohën e Italisë.

Normalisht, dhe arkitekti i kësaj vile ishte italian. Duke qenë se kishte dhe ashensor, të aksesueshëm në të gjitha katet, i bie të këtë pasur kosto goxha të lartë.

Përveç ndërtesës jashtë ndodhej dhe një tip kopshti, i mbuluar me shkurre që nuk i pastron njeri. Rreth e përqark nuk mungonin vendet e rojeve. Tek shëtisja vilën për rreth gjysmë ore, me vrap të madh mos më shikonin, mendoja sa keq që nuk është monument kulture.

Edhe sot e kësaj dite, s’merret vesh fiks kujt i përket. Ama interesi i njerëzve sidomos të huajve për ta parë, është i madh.

Për sa i përket Zogut, më duket se as ai nuk e ka shijuar asnjëherë qëndrimin në vilë. Se di ç’mendim keni ju për të, por unë kam përshtypjen e një njeriu qejfli, duke marrë parasysh vendet ku ka ndërtuar vila pushimi.

Shijova perëndimin tek currilat në Durrës, me shpresën se kur të vija herës tjetër nuk do bjerë shi, e do kem mundësi të vizitoj Porto Romanon, e vende të tjera interesante me plot histori./dritare.net

 

 

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.