Sot Edi Rama i hodhi opozitës një ofertë: Hajdeni të punojmë për reformën zgjedhore. E shoqëroi me fjalët e zakonshme të propagandës, sikur opozita nuk duhej të turpërohej edhe për këtë çështje siç u turpërua me reformën në drejtësi. Thellë, as ai vetë nuk e ka një ofertë të sinqertë këtë të reformës. PS është partia më e madhe dhe ky sistem e favorizon. Por për shkaqe taktike apo se i duhet të shmangë vëmendjen nga diku tjetër, hodhi një gur në lumë.
Në këtë rast opozita duhet të hidhet që ta nxjerrë, pasi ai që e hodhi, nuk është budalla. Guri është i çmuar dhe Rama e hodhi me shpresë se do të mbytet kundërshtari. Në fakt edhe PD ka paraqitur propozime për reformën zgjedhore , të cilat kanë rënë në qetësi. Mesa duket as PD nuk është e interesuar për reformën. Madje as LSI nuk ngjan e tillë. Ndoshta të dy mendojnë se në një konjukturë të caktuar mund të faktorizohen.
Mirëpo janë shtuar zërat se vetëm një reformë e sistemit zgjedhor mund ta nxjerrë vendin nga kolapsi ku ka rënë. Reforma në drejtësi ku kanë shpresa ndërkombëtarët duket se ka ngecur në pikën e vdekur, ku secila nga palët kërkon të mbizotërojë. Më shumë gjasa ka të kapet nga PS-ja. Dhe ky nuk është aspak një lajm i mirë. Problemet e vendit kanë ardhur nga ngjyrosja partizane e drejtësisë dhe administratës dhe jo se po ta ketë PS do të jetë më mirë sesa në kohën e PD.
E vetmja shpresë afatgjatë që do të shërbejë edhe si gjimnastikë demokracie për shqiptarët është reforma zgjedhore. Një sistem proporcional në rang kombëtar, me lista të hapura dhe me prag të ulët, do të jetë shpëtimi i Shqipërisë që është mbërthyer me Shillës dhe Karibdës. Dalja e alternativave të reja do t'ju mundësojë shqiptarëve të provojnë njerëzit e rinj. Një ligj i tillë do ju mundësojë edhe njerëzve të ndershëm të futen në lojë. Përndryshe me këtë sistem, koha e provoi që ose duhet të bësh lojë të ndyrë ose të nxjerrin jashtë. Ndryshimi i sistemit elektoral do të jetë edhe një mundësi për PD që të mundet të krijojë aleanca me alternativat e reja. Qasja me ndershmëri ndaj reformës elektorale është një gur prove për pastërtinë e qëllimeve, më shumë sesa reforma në drejtësi. Në të kundërt, e gjitha është vetëm një lojë, ku ata që tallen nga të gjithë janë shqiptarët./dritare.net