Nxirreni Metin nga burgu, nuk e ka ai fajin!

Nga Dritan Hila

Arrestimi i ish-pronarit të universitetit Kristal ka shkaktuar një valë zhurme ku fare pak ndihet keqardhja. E megjithatë nëse do të ketë një njeri i cili është më pak fajtor për ngjarjen në fjalë, ky është Meti i Kristalit.

Pa dyshim që vepra e tij është e dënueshme, por përpara se të vinte rradha, kishte të tjerë përpara. Nuk ishte fajtor Meti që liçencat e universiteteve jepeshin si ato të kioskave buzë Lanës qëmoti. 51 thonë kompetentët ishin universitetet por ata që janë më në brendësi të problemit flasin se askush nuk e di statistikën e saktë. Pasi shumë përfituan nga kaosi dhe nuk prisnin të merrnin lejen por fillonin punën.

Nuk është Meti fajtor pse askush nuk bënte minimumin e përllogaritjes së kapaciteteve të këtyre kioskave dhe ca më shumë të degëve që ofronin. Largmendsh të llogariteshin sipërfaqet e laboratorëve, pasi ata thjesht nuk ekzistonin.

Shteti i cili duhet të ishte rregullatori i fluksit të studentëve dhe i kapaciteteve përthithëse që ka shoqëria shqiptare, ia kishte lënë në dorë tregut. Pa e vrarë mendjen se paratë e shpenzuara nga prindërit ishin të njëjta me ato që janë shpenzuar në ndërtime pa leje. Në fund, janë një pasuri kombëtare e shpërdoruar. Janë një ëndërr e rreme e dhënë mijëra studentëve dhe pasuri e pamerituar në xhepat e sipërmarrësve shpesh të pashkollë.

Shteti, që paguhet nga shqiptarët që t`i ruajë pikërisht nga mashtruesit, nuk dha asnjëherë asnjë shpjegim për liçencat që dha dhe askush nuk dha llogari për dëmin që bëri. Ashtu sikurse askush nuk e kuptoi pse pas ndërrimit të qeverive disa universitete u mbyllën dhe të tjerët u lanë. Ndërkohë askush nuk është i sigurtë se këta që mbetën ia vlejnë. Tregu i punës është shumë skeptik ndaj produktit shqiptar.

LEXO DHE :  Bernard Dika, shqiptari që sfidoi PD dhe Renzin

Meti nuk është fajtori i vetëm. Shumë politikanë kanë ngrënë në kurriz të tij. Kanë ngrënë ata që morën diplomat e tij falas dhe fallco, ata që i kanë kërkuar para dhe ata që i kanë kërkuar favore. Janë aq të papërgjegjshëm sa as numrin e amzave të diplomave që lëshon Kristali nuk e kanë sekretuar. Aq të papërgjegjshëm sa kur kaluan lumin nuk donin t’ia dinin për kalin dhe për mijëra studentët që kishin paguar por mbetën rrugëve pasi u mbyll Kristali.

Por nëse deri tani në këtë shkrim rasti i Metit shërbente vetëm si simbol, pasi si Meti është gjithë sistemi privat, ka  një arsye humanitare pse duhet liruar. I ka vdekur djali i vetëm dhe mosha e tij nuk ia lejon të arratiset. Ka shumë gjynahe në shpinë të cilat duhet t`i vijnë më shumë nga padija. Sikurse me gjasa nuk ka më para që të mbyllë gojën e medias dhe paguajë ata që kanë në dorë ta nxjerrin. Por sistemi duhet të shkojë përtej. Jo që ta falin, por ta ndjekin në gjendje të lirë. Ky është i vetmi rast kur sistemi mund të tregohet i përgjegjshëm, krahasuar me budallallëqet dhe grabitjet që ka bërë me Metin dhe nëpërmjet Metit./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.