Nuk ke bërë foto, te Pema e Sheshit Skënderbej? Po ku jeton ti?
Dritare.net
Kur bëhet fjalë për të shkruar për Tiranën, nuk gjej fjalët e duhura ndonjëherë për ta përshkruar. Unë jam nga ata njerëz që kanë parë botë me sy, ama qytetin e zemrës kam vendlindjen. Nuk e imagjinoj dot jetesën në një qytet ku nuk mund të shoh Dajtin çdo ditë. Me të gjitha gjërat negative që ka ky vend, kurrë mos harro që ka edhe më keq. Po sikur të kishe lindur në Siri për shembull?
Kësaj here dola ta shijoj qytetin tim vetëm tek pull. Në Instagram u bë nami me fotot nga sheshi Skënderbej. O burra të gjithë tek pema se erdhën festat! Unë nga brenda ndjehem akoma si kalama i vogël kur shoh drita e zbukurime. Madje doja të isha prezent në ndezjen e dritave nga qejfi i madh, por nuk kisha kohë atë ditë. Megjithëse ftohtë, nisem në orën 7 pasdite nga shtëpia për tek sheshi. Ishte ditë jave dhe për çudi autobusi i Unazës ishte plot me kalamaj dhe prindër. Ma mori mendja që ishim nisur për të njëjtin destinacion. Siç duket fëmijët mezi prisnin të shikonin pemën, normalisht dhe unë një prej tyre. Pas meje ishte ulur një gocë e vogël me mamin dhe në dialog e sipër i thotë: “O ma po ajo pema sa e madhe është? E pse vendoset pema vetëm për Vitin e Ri dhe jo gjithmonë? Po aty tek sheshi a ka elfë si nëpër filma?”
Mu kujtua vetja kur isha e vogël dhe të them të drejtën s’di të kem qenë kaq e zgjuar. Edhe shokët e kopshtit, të lagjes, të gjithë dele me pak fjalë. Këta brezi i ri i dinë të gjitha. Meqë më pëlqen të komunikoj me fëmijët vendosa t'i kthej vetë përgjigje, sepse e ema ishte shumë e zënë me telefonin.
“Zemra vogël pema është e madhe 20 herë sa ty në këmbë”-i them unë. “Ndërsa bredhi është përdorur si dekorim në festat pagane para shumë vitesh. Dekorimin e pemës e bënin për të menduar që po vjen pranvera. Kurse për elfët se di ç’të them, do ta shikosh për pak.”
Ajo hapi sytë gjithë kuriozitet e më kthehet “Uaa sa shumë gjëra ditke ti! Po festat pagane çfarë janë?” E kuptova që sapo i hapa punë vetes. U bëra tabelë qitje nga vajza e vogël që më bombardonte me pyetje. Të dyja u harruam duke bërë muhabet derisa zbritëm në stacion. Këta kalamajtë e sotëm pyesin shumë, ne kishim frikë nga edukatorja. Hajt mo kështu ndryshojnë kohët.
Dritat e sheshit dukeshin që nga larg. 80% e këmbësorëve që ecnin paralelisht me mua, ishin nisur për atje. Sa bukur kur shqiptarët janë në një mendje, sikur kështu të ishim përherë. Fus duart në xhepa e filloj trurin tim në shtëpizat pranë pemës. Më kapi një neps që ç’tju them. Gështenja, arra, fruta pylli, çokollata, lëpirëse, bukë me qofte, peskaveca...ore nuk mbaronin. Produktet më të shijshme të Tiranës i gjeje aty. Madje një prej shtëpizave servirte vetëm prodhime shqiptare, për të mbështetur ekonominë vendase. Karuseli pranë bredhit ndriçonte më shumë nga të gjitha. Lokalet që ishin vendosur pranë pemës dhe karuselit ishin më të frekuentuara për shkak të dritave. Fëmijët mezi prisnin radhën që të bënin xhiro. Disa hipnin me prindërit që të bënin foto. Shoh dhe dy vajza mosha ime, mbi kalë duke zhvilluar setin dimëror. Eh, ky Instagrami i ka çu njerëzit për lesh!
Afrohem tek pema. E njëjta me vitin që shkoi. E paska pas me bezdi lali Eri ti vendoste nja dy zbukurime më ndryshe se vjet. Bereqaves edhe me kaq thuaj. Po e shijoja me lezet, i rashë rreth e përqark duke parë dhe yllin lart. Një moment ndalova duke e soditur kur më thotë një vajzë: “O goce shtyhu icik ta bëj nji foto.” Si rob i mirë që jam i qesha dhe u largova pa ankesa. Shtyhem pak me tej kur më thotë një çift “Të lutem a na bën një foto?” Desha t'i thosha një herë: “Patjetër zotnia juj, gjo tjetër deshët?” Sigurisht që ua bëra foton pa bërë komente.
Ndërkohë që të gjithë vinin tek pema për të bërë foto, kuptova që isha e vetmja duke parë zbukurimet. Disa tipa më shikonin si të bezdisur me demek kjo na ka zënë vendin për të shkrepur një resme. U ndjeva pak në siklet dhe u largova. S’më gjen gjë ta shoh pemën edhe nga larg.
Loja më e pëlqyer nga të rinjtë ishte ‘çekiçi’. Kështu e quajnë dhe nuk di çfarë shpjegimi tu jap për këtë emër. Di t’ju them vetëm që kur e kam provuar një herë çekiçin në Vienë, më ka kaluar gjithë jeta para syve, e s’kam në plan ta bëj përsëri të njëjtin gabim. Kjo lojë përveçse ishte shumë e frekuentuar, ndiqej edhe nga një publik goxha i madh. U bëra dhe unë pjesë e spektatorëve deri në momentin që çekiçi filloi të rrotullohej shpejt. Aty mu kujtua vetja në majë të çekiçit me pamje fantastike nga Viena. Nga momenti në moment pret të ulet gjithë ankth kur bamm të vjen mendja rrotull. Vlerën e jetës e kam kuptuar për herë të parë kur zbrita në tokë pas gjithë këtyre rrokullisjeve. Që atëherë s’provoj më lojëra ekstreme. Të paktën kështu e kanë parë sytë e mi, se mbase juve ju jep adrenalinë. Megjithatë çekiçi i Tiranës është relativisht me përmasa të vogla, e përballueshme nga çdo moshë.
Shtëpizat pranë Teatrit të Operas ishin më pak të frekuentuara pasi mungonte ndriçimi i pemës dhe karuselit. Sigurisht që dhe në atë krah kishte drita, por dua të them jo aq shumë. Hyrja e sheshit nga 15 katshi më pëlqeu më shumë nga të gjitha. Pemët kishin shumë drita dhe një yll dukej sikur të uronte mirëseardhjen në tregun e Vitit të Ri. Po e quaj të Vitit të Ri sepse ne s’para marrim vesh nga Krishtlindjet. Madje për mua Krishti nuk ka lindur hiç me 25 dhjetor, por gëzoj për festa si gjithë dynjaja.
Tek prisja një shoqen time që të bëja pak thashetheme, u ula duke pirë një gotë vere të ngrohtë. Kot i thonë e ngrohtë se vetëm nëse e pi shpejt ja ndjen lezetin. Avash avash ftohet e kthehet njësoj si të tjerat. Vera mbahej pranë zjarrit në një kazan me erëza si: kanellë, karafil etj. Sa keq që nuk pata mundësi të provoja gështenjat e Tropojës, pasi për shkak të përmbytjes ardhja e tyre ishte shtyrë ca. Ama lezet më të madh se të rrije pranë zjarrit nuk kishte. Më i shkathti më i shpejti sepse karriget pranë të ngrohtit zihen shpejt.
Me fat që gjeta një vend të tillë, ulem duke lundruar në rrjete sociale. E ndërkohë që gjithë pjeshkat e Instagramit tim në fotot pranë bredhit shkruanin "Desha një dhjetor me drita fikur dhe njerëz që ndriçojnë" unë do thosha "Desha një dhjetor me shumë drita se njerëzit edhe të fikur të jenë, as me prishin as me ndreqin punë.” Tek shikoja fotot që i kisha bërë atmosferës në sheshin Skënderbej mendova “E çfarë ka tregu i Krishtlindjeve të Vienës më shumë se kaq?”.
Madje ka me pak. Qofte përshembull nuk ka./Dritare.net