Nga Ermal Petushi
Ishte marsi i vitit të pluhrosur 92’ dhe një turmë e uritur hallexhinjsh mësynte në çerdhen ku gjendesha duke më prishur dremitjen e drekës.
Këto ngjyra më pëlqen t’i jap kujtimeve gri të sfumuara të një foshnjeje, ‘ca fqinj të uritur që më prishën gjumin’, por im atë ma përshkruante ndryshe….
Tregonte me detaje se si çerdhja para pallatit tim zhvatej nga ata që ishin deri para pak orësh komshijtë tanë, qytetarë model.
Rrëfente me mllefin e një të pafuqishmi se si hunët dhe vikingët, barbarizuan gjithcka ç’u zinin duart…
Vodhen krevatet prej hekuri të ndryshkur, dyshekët e shurrosur mbi shpinë, stolat, lodrat e fëmijëve dhe çarçafët me mut.
E ndërkohë që shumica sodiste dramën nga ballkonet e pallatit, një pakicë nuk përtonte të bëhej pjesëmarrëse në plaçkitjen e një shteti që atyre nuk u përkiste më.
Si një prej shqiptarëve që sistemi i kishte shfaqur anën e tij më të errët, ai kishte zgjedhur të përplasej me komshiun për të mbrojtur atë çka sistemi në ikje nuk kishte mundur ta merrte me vete në ferr.
Përpiqej të arsyetonte me turmën që stolat janë të çerdhes, janë tonat dhe mbi të gjitha, janë për vetë femijët tanë.
Por ku kishte bir e zot ta shkulte Sulën nga stoli i Taulantit, diçka që prapanica e vogëlushit nuk mund ta kuptonte dot, ndaj ndërkohë bëri det me lot dhe shurrë pllakat ngjyrë mavi të dyshemesë që mbartnin akoma erën e mykur të ‘sistemit’.
E vërteta është se im atë dhe pak a shumë të gjithë në ato ditë, e kishin kuptuar se nuk po binte veç një çerdhe, po binte foleja e fundit komuniste në kontinent dhe frika ndaj të nesërmes së panjohur kishte pushtuar ndërgjegjen e shumicës që sodiste nga ballkoni.
Ishte koha kur fabrikat kishin lëndë të parë veç të papunët dhe revolucioni proletar çliroi lopët nga kooperativat aq sa sot për të bërë dy fermerë bashkë, shpiken terma si “shoqëri bashkëpunimi”, përndryshe fshatari të kthen shpinën.
Kështu nisi era e re në sytë e tim eti, ku e vetmja ‘industri e rëndë’ në funksion, gjendej tek plepat dhe prodhonte juristë në masë, për të ushqyer boshllëkun të mender sistemit gjyqësor.
Një sistem i keq shëmbej, një tjetër rilindte nxitimthi si mos më keq dhe faji ishte i askujt, përveçse i vetë sistemit.
*
“Nuk është njeriu, problemi është sistemi”!!!
Hera e fundit kur kjo shprehje gjente vend ishte pas Luftës së Dytë Botërore ku në bangën e të akuzuarit në Nuremberg, të gjithë nazistët dëshmonin pa pendesë duke përdorur si të vetmen mburojë shprehjen shfajësuese “ne vetëm zbatonim urdhërat”.
Kjo filozofi mendimi është propaganduar fuqishëm në Shqipëri për të justifikuar çdo të keqe, çdo krim, qoftë ky moral apo institucional.
Nuk ka asgje më pak të vërtetë se kjo frazë…
Pasi sistemi është një koncept i shpikur nga njeriu për të shkarkuar përgjegjësinë duke kopjuar natyrën, katastrofat e së cilës askush nuk ia mbyll dot derën.
Kam besuar se “e reja është gjithmonë më e mirë se e vjetra” edhe pse duket sikur vendi ynë gjithmonë ka shërbyer si përjashtimi që krijon rregullin.
Paaftësia jonë në shtetformim e ka origjinën tek indiferenca, tek soditja nga ballkoni deri në admirim i Sulëve që plaçkisin.
Dhe ashtu si çdo gjë që nuk merr vëmëndjen e duhur vdes ose shkatërrohet, ashtu edhe sistemi nuk mund të krijohet pa vullnetin e mirë.
Ndaj edhe kjo vetdije e mangët e jona nuk mund të prodhonte asgjë tjetër përveçse kaos ku nga kaosi lind rregulli, lind “sistemi” por me siguri asgjë nuk rilind si më parë.
Shpesh harrojmë që sistemi ka emra, ka fytyra, dhe aromëra, në shumicën e kohës të pakëndshme.
Na paraqitet si nje entitet abstrakt, një cikllop herë i mirë që na shërben dhe herë i keq që na shkel pamëshirshëm me këmbë duke na bërë të harrojmë që në të dy rastet, është një çikllop që fle e zgjohet mbi shpatullat tona.
Sistemi, dhe sidomos ky i yni, përbëhet nga njerëz, që emërojnë njerëz të tjerë, që blejnë e shesin njerëz të tjerë, për t’u palluar më pas mes tyre mbi krevatin e pushtetit e për të sjellë në jetë trashëgimtarë të denjë për të ushqyer sistemin, pasi sistemi ka shije te veçanta dhe është tekanjoz.
Një mallkim i përjetshëm por që duhet të marre fund menjëherë.
Faji nuk është i sistemit, pasi faji nuk ka si të jetë kolektiv. Nëse një kompjuter prishet, nuk hedhim në plehra paisjen por ndërrojmë pjesën difektoze.
Kjo është ajo që duhet dhe po ndodh në politikë, në gjyqësor e kudo, ku Reforma në Drejtesi po fillon të japë efektet e para dhe nuk duhet të na vijë keq për askënd.
Roli i viktimës është magjepsës dhe ngjall tek njerezit instiktin e marrjes në mbrojtje të më të dobëtit, edhe atëhere kur i dobëti është vete çikllopi i pamëshirshëm. Një mazokizëm që përpiqem ta mirëkuptoj, veçse kjo nuk është drejtesi pasi drejtesia është e verbër dhe e pamëshirshme.
Asgjë nuk do ndryshojë në Shqipëri nëse nuk ndërrojmë pjesët e thyera të këtij mekanizmi që nuk po funksionon.
Aq më pak duhet të bëhemi qesharakë duke protestuar për lirinë e pamerituar të një drejtori, kryebashkiaku, deputeti apo kujtdo ,ndërkohë që në darkë kthehemi në shtëpi dhe çezma nuk sheh ujë prej ditësh.
Hero nuk është ai që qëndron brenda sistemit pa e denoncuar atë, që e sodit në heshtje nga dritarja dhe kur fati i tij i keq e vë perballë të vërtetës, i hedh fajin sistemit.
Sot përgjegjësia që çdokush duhet të marrë përsipër për veprimet apo mosveprimet është kthyer në antivlerë dhe veç pasohet nga një palë duar tek të tjerat për t’u shkarkuar në këtë vrimë të zezë me emrin “sistem” ku çdo gjë resetohet.
Sistemi nuk ka asnjë faj, asnjëherë!
Faji është i Sulës, që pas stolit të Taulanit, vodhi naftën e uzinës, u bë drejtor, kryetar bashkie, deputet për t’iu rikthyer ciklit nga e para sa herë që pushtetet ndërroheshin.
Por në qoftë se asokohe gjyqtarët e plepave “Drejtësinë” e kishin dëgjuar vetëm në libra që nuk kishin lexuar, sot Reforma në Drejtësi po krijon kushtet që çdokush të marre atë që meriton, edhe Sula.
Taulanti është rritur Sul!/ Dritare.net/