Njihuni me historinë e festës pagane, të Ditës së Verës!

Sot i gjithë vendi përfshihet nga festime në kuadër të simbolikës së Ditës së Verës.

Që në kohët antike, tempulli i 14 Marsit, Festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë.

Por zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore.

Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit në Elbasan për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone si ballokumet dhe revaninë, gjelin e detit, arrat, apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.

Të parët, tregojnë se një natë para ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë.

LEXO DHE :  Deputeti i PS i përgjigjet Metës: Në krizë është opozita, populli s'i sheh dot me sy Lulin dhe Monën

Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan e në Peqin festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.

Ballokumja, gatimi tradicional i Ditës së Verës

Në fakt askush nuk mund ta kuptojë Festën e Ditës së Verës, një festë tradicionale pagane, e cila kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit, një qytet i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij, sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës./ATSH

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.