Një vështrim i shkurtër rreth protestës së djeshme

Nga Dritan Hila

Pavarësisht që, sa herë politikës nuk i shkon për hosh analiza mediatike jo konformiste dhe e akuzon si të blerë nga akshi apo iksi, është detyre për median të analizojë ngjarjen.

Meqënëse situata po agravohet çdo ditë e më shumë, medias i del për detyrë të ruajë gjakftohtësinë dhe të analizojë palët.

Dhe është e natyrshme që analiza të përqendrohet tek opozita pasi në këto momente iniciativën taktike e ka ajo, pasi është ajo që po bën lëvizjet që prej 10 ditësh, ndërsa krahu përballë deri tani nuk është kundërpërgjigjur politikisht, por është mjaftuar me përballimin e protestuesve në terren.

Janë ndërkombëtarët ata të cilët po i përgjigjen opozitës, dhe kjo do zgjasë deri kur ti kërkojnë edhe pozitës të bëhet palë.

Gjithsesi për t’iu rikthyer analizës së terrenit, në postprotestën e djeshme, opozita theksoi se përkrahja e popullit është rritur për faktin se u mblodhën 10.000 veta për dy orë.

Për hir të së vërtetës, shifra 10.000 vetë është e ekzagjeruar.

Mjafton një krahasim: dikur stadiumi Qemal Stafa kur mbushej me 10.000 tifozë, bënte një orë të zbrazej dhe mbushnin gjithë bulevardin Dëshmorët e Kombit. Sheshi i mbetur i Namazgjasë nuk do më shumë se 2.000 vetë që të mbushet.

Ardhja për dy orë e protestuesve para Kuvendit është meritë e partive dhe natyrisht që protestuesit janë militantë të tyre.

LEXO DHE :  Spektakël në San Siro/ 4 gola në pjesën e dytë Milan-Inter

Kjo për vetë faktin se asnjë protestues gri nuk ka mundësi të lajmërohet dhe vijë, sado vullnet të ketë të protestojë. Ndaj protesta deri më tani duhet pranuar që ka galvanizuar militantët të cilët e shikojnë rrëzimin e Ramës më afër, sesa para 10 ditësh, por opozitës i duhet ende punë të elektrizojë elektoratin gri.

Një përshkallëzim i dhunës, është e sigurt që nuk do fitojë simpatinë e votuesve të lëkundur por thjesht do t’i bëjë ata me të pazëshëm duke dhënë perceptimin e protestuesve militantë si më të shumtë në numër.

A do ketë në gjendje ky perceptim të demoralizojë kundërshtarët dhe të bëjë që ti bjerë vullneti për të lënë pushtetin, kjo varet edhe nga taktikat dhe tekniket mediatike.

Deri më sot, Rama ka qenë më i suksesshëm në këtë fushë. Dhe që opozitës i duhet një këshilltar i ri mediatik, kjo nuk do as laps as kalem.

Sa i takon sulmeve ndaj OSBE dhe perëndimit në përgjithësi, nuk na mbetet të themi gjë tjetër se parë me syrin e të sotmes, çdo këshillë e tyre në të shkuarën ka qenë në të mirën tonë, pavarësisht si na është dukur kur është artikuluar.

As dje nuk besoj se na kanë marrë me sy të keq, dhe as seriozisht, duke parë që deklaratën kundër tyre, e lexoi Flamuri./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.