Shënime për fundin e Kupës Botërore të Futbollit.
1.
Në ndeshjen e fundit ishte një skenë simbolike. Në Moskë filloi të binte shi dhe shërbëtorët e Kremlinit vrapuan që mbi kokën e Vladimir Putinit të vendosin një çadër. Nga afërsia përfitoi edhe shefi i FIFA-s, Gianni Infantino, një zvicerano-italian, i cili përmendet në Panama Papers, në grumbullin e dokumenteve që tregojnë se si të pushtetshmit e kësaj bote i “ruajnë” paratë nëpër oaza financiare.
2.
Në këtë Kupë Botërore njerëzit filluan të ikin nga frika se do t’i përqafonte presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq. Entuziazmi i saj ishte i kuptueshëm, por pak më shumë vetëpërmbajtje presidenciale do t’i bënte mirë asaj.
3.
Fitorja e Francës është një shuplakë ndaj së djathtës ekstreme të prirë nga Marine le Pen. 80 për qind e ekipit janë me origjinë nga Afrika, 50 për qind janë myslimanë.
4.
Kupa Botërore tregoi se ka trajnerë që kanë kulturë, stil e mençuri dhe të tjerë që nuk kanë as kulturë, as stil, as mençuri. Trajneri i Serbisë pas humbjes së ndeshjes kundër Zvicrës, tha se arbitri gjerman duhet dërguar në Hagë për t’u gjykuar, atje ku janë dënuar kriminelët më të mëdhenj serbë të luftërave ballkanike. Një deputet serb, analisti i çështjeve ushtarake dhe me gjasë ambasadori i ardhshëm i Serbisë në Rusi, Mirosllav Llazanski, tha se humbja e Serbisë kundër Zvicrës ishte një hakmarrje e gjermanëve ndaj “rusëve të vegjël” (serbëve) për shkak të Luftës së Dytë Botërore. Trajneri kroat, Zllatko Daliq, tregoi se ka stil. Pas humbjes kundër Francës ai tha se nuk i komenton vendimet e arbitrit, por një penallti e tillë në finalen e Kupës Botërore nuk duhej dhënë. Kaq. Natën e mirë! Dhe shihemi në sfida të tjera.
5.
Kupa Botërore u shkaktoi halle të mëdha nacionalistëve të Beogradit. Kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në rininë e tij ëndërronte zhdukjen e krejt myslimanëve të Bosnjës dhe pushtimin e Kroacisë së paku deri në Zarë, tha se pjesën e parë të gjysmëfinales mes Kroacisë dhe Anglisë nuk kishte arritur ta shohë për shkak se ishte në udhëtim zyrtar, ndërsa pjesën e dytë e kishte përcjellë pa ton ngase s’mund të duronte tifozerinë e komentatorit. Një përpjekje e tejdukshme e një nacioanalisti për t’u dukur i kulturuar. Ndërsa tenisti Novak Gjokoviq hapur përkrahu Kroacinë, serbët me “vetëdije të zgjuar nacionale” (siç e shohin veten) mbështetën Rusinë – dhe e quajtën Gjokoviqin idiot, bash atë që në fundjavë fitoi Wimbeldonin. Në Ballkanin e trazuar nga sot je hero, nesër tradhtar, pasnesër mercenar.
6.
Debati për gjestin me shqiponjë të futbollistëve të Zvicrës me origjinë shqiptare e shtetësi zvicerane është diskutuar gjerë e gjatë. Me gjithë entuziazmin patriotik në viset shqiptare - mësimi i vetëm që duhet të nxirret nga ky turnir është ky: të investohet më shumë në sport që Kosova e Shqipëria të kenë ekipet e veta të suksesshme, të pastrohen disiplinat sportive nga ndikimi i rrjeteve mafioze, nga klanet, nga nepotizmi dhe nga politika. Kur shihet se në vitin e Skënderbeut ekipi “Skënderbeu” është përjashtuar nga UEFA për dhjetë vjet nga çdo pjesëmarrje në garat evropiane për shkak të krimeve sportive, atëherë mund të merret me mend sa punë e pret Federatën e Futbollit të Shqipërisë. Jo më pak probleme ka edhe në ligat e ndryshme të Kosovës.
7.
Kjo Kupë Botërore tregoi trajtimin me standarde të dyfishta që u bëhet futbollistëve me origjinë të huaj. Lojtari gjerman Mesut Özil gaboi që para kampionatit e takoi despotin turk, Rexhep Taip Erdoan. Futbollisti i një shteti demokratik nuk e takon një politikan që ka futur në burg qindra gazetarë dhe përjashtuar nga puna qindra-mijëra njerëz nën dyshimin se kanë qenë pjesë e përpjekjes për puç. Por urrejtja e një pjese të opinionit gjerman kundër Özilit është hipokrite dhe raciste. Përse nuk ekziston një zemërim i tillë në Gjermani kur ish-futbollistë gjermanë takojnë despotin rus, Vladimir Putin, ose kur ish-kancelari Gerhard Schröder zyrtarisht punon si lobist i Kremlinit, ose kur ish-ministri i Financave, Oskar Lafontaine thotë se Amerika qe 100 vjet lufton kundër bashkimit të teknologjisë gjermane me pasuritë nëntokësore ruse?
8.
Me plot meritë Lluka Modriq u shpall lojtari më i mirë i këtij kampionati. Jeta e tij nga një fëmijë refugjat në majat e lavdisë së fushës së blertë është një rrëfim mahnitës dhe i dhimbshëm. Megjithatë, diçka e hidhur mbetet: Modriq mund të shkojë në burg. Për shkak se me gjasë kundër vullnetit të tij ka qenë pjesë e rrjeteve mafioze të futbollit kroat.
9.
Pak para se të fillonte Kampionati Botëror i Futbollit Kosova mbeti pa Fadil Vokrrin. Kjo garë atij do t’i kishte shërbyer për shumë ëndrra: Kosova një ditë në Kupën e Botës? Ajo ditë duket e largët, por në futboll edhe vendet e vogla (shih Kroacinë) mund të bëjnë realitet ëndrrat e mëdha.
10.
Pas katër vjetësh Kupa Botërore mbahet në Katar. Si në Rusi edhe në Katar njerëzit nuk jetojnë në një shtet me rend demokratik. Kjo për FIFA-n nuk luan aq rol, madje lavdërimet që i bëhen tani Vladimir Putinit për organizimin e përsosur të një gare sportive tingëllojnë të pashije. Me rëndësi: leku, dollari, rubla e euro qarkullojnë.
11.
Ndër skenat më të bukura të Kupës Botërore: Era Istrefi dhe aktivistja e “Pussy Riots” duke “cakërruar” duart me yllin francez të futbollit Kylian Mbappé. “Pussy Riots” parashtroi katër kërkesa: të lirohen të burgosurit politikë, të ndërpriten arrestimet gjatë demonstratave, të lejohet gara e barabartë politike.