Dje ka qenë një ndër seancat më dramatike të parlamentit shqiptar të 28 viteve të fundit. Do jetë ndër ato seanca që me kalimin e viteve mbeten në mendjen e shqiptarëve, ashtu sikurse seanca e parë pluraliste, rizgjedhja e Berishës President, plagosja e Azem Hajdarit, dhe pak të tjera.
Do të mbesi në mendje Florjon Mima, jo për atë që tha por për atë që përfaqësonte si bir i artit; Eduard Shalsi që vazhdonte dhe bën dublantin e Ramës megjithëse tashmë është në moshë; dhe ca të tjerë në moshë pubertiteti apo andropauze, që mezi lexonin fjalimet e shkruara. Momentet dramatike në histori përzihen gjithmonë me banalen. Dhe nuk hiqet nga mendja qeshja e Edi Ramës, qeshje të cilën nuk di ku futet.
Dje ishte kapitullimi i Partisë Socialiste. 75 deputetë pranuan të ishin ushtarë të një firme ndërtimi e cila po vjedh në dritë të diellit pronën publike. Ishte vota e një partie që i provoi të gjitha: nga lavdia e luftës; mbrojtja e vendit; arkitekte e diktaturës; dorëzimit pa gjak të pushtetit; themeluese e debatit të lirë, dhe preferoi të vdiste si mbikqyrëse ndërtimesh.
Por dita e djeshme nuk do mbahet mend për 75 votat dhe transformimin e PS, por me ligjërimin e kryeqytetit në një feud të Edi Ramës.
Teatri Kombëtar ka qenë një bast i vjetër i tij, i cili përveç trashëgimisë historike që mbartëtte, kishte edhe pozicionin. Stadiumi edhe mund të binte se ishte në periferi, por teatri është në qendër. Ai ka vlerë simbolike. Pas kësaj do fillojë shndërrimi i Tiranës. Jo ai urbanistik, pasi nuk do ketë asnjë vlerë nisur nga idetë e projektuesit. Ja u thotë një që banon tek kryevepra e tij, një monstër, që quhet Komuna e Parisit. Por shndërrimi i saj në një fjetore gjigande dhe biznes ndërtimi.
Me rënien e historisë dhe kujtimeve që i mban të lidhur me këtë qytet,
njerëzit do fillojnë të ikin në masë. E kanë bërë me kohë njerëzit e periferive nisur nga nevoja bazike, por tani do fillojë ta bëjë edhe ajo limfa jetike që quhet shtresë e mesme. E pashë në lotët e njerëzve që qanin.
Gjithsesi uroj që ajo godinë mos të bjerë. Pasi nëse bie edhe ajo, buldozerët e Edi Ramës që presin në dyert e Tiranes
nuk do të ketë më kush ti ndalojë./dritare.net