Petrit Bushati është një emër pak i njohur për publikun, por mjaft i njohur për diplomacinë. Ka qenë diplomat në Vjenë, Ambasador në Suedi, SHBA, Beograd, përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Detit të Zi, e në fund ambasador në Maqedoni, mandat të cilin nuk arriti ta mbyllë.
Vdiq nga kanceri në mushkëri. Ishte diplomati me më shumë detyra në shërbimin tonë, deri ditën që ndërroi jetë. Ishte një lloj gjenerali i këtij shërbimi elitar.
Mbiemri i tij nuk ishte një përkitje e rastësishme. Ishte pinjoll i Bushatllinjve ashtu siç janë shumë, por kishte ruajtur klasin e tij personal që e dallonte nga të tjerët.
Unë e njoha pasi ishte kthyer nga Beogradi. Kishte fituar Berisha për herë të dytë dhe e kthyen në atdhe. Për të qenë korrekt, në limitet e mandatit. E lanë në listë pritjeje. Ishte me fat pasi e rimorën në shërbim, por këtë radhë si specialist.
“Me vjen turp të shkoj në pritjet diplomatike,-më thoshte,-se kur më pyesin homologët e mi duhet t’u them se jam specialist”. Dhe pastaj qeshte, sepse në organikën e ministrisë të shkruajtur nga ndonjë specialiste e lodhur e kishte cilësimin “spec.”, ç’ka e përsëriste me humor kur e pyesnin rishtarët e shërbimit që si peshq akuariumi kërkojnë të mësojnë gjithçka për habitatin, se çfarë ishte: “Jam spec me pikë, çuna”.
Ka qenë kjo periudhë kur edhe unë isha kthyer në atdhe, kohë që na bashkoi më shumë. Diplomati me më shumë aktivitet dhe grada i Shqipërisë kishte kohë me bollëk. Atdheut nuk i duhej.
Në një nga kafetë e shumta që pinim ku këmba e tretë e “pirostisë së grupit” ishte Ilirian Zhupa, mik edhe më i ngushtë i tij, na rrëfeu se kishte parë një filmim ku tregohej gjyqi i deputetëve të opozitës.
Ishte grupi, eliminimi të cilit mbyti pluralizmin latent në Shqipërinë e pasluftës. Me siguri asnjëri prej tyre nuk kishte qenë bashkëpunëtor me fashizmin, përndryshe nuk do ti kishte shpëtuar “vetingut” të Koçi Xoxes.
Por pushtetit që vinte, i duheshin kokat e tyre. “Po shikoja-rrëfente Petriti- dhe thosha me vete: Të mjerët ju, kushedi çfarë mendoni, për ato që ju akuzojnë dhe për ata që ju akuzojnë; Ndërsa turma ulërinte: Kriminelët në litar.”
Që të jemi të saktë, Petrit Bushati ishte bir partizani nga babai dhe nëna, por ishte brezi i dytë i fëmijëve të partizanëve që mendonin me tolerancë. Ishin ata që e kuptuan se komunizmit i kishte mbaruar karburanti dhe sharmi. Mënjanimi nuk ia kishte mbjellë urrejtjen, pasi ishte i lexuar me tepri dhe i shëtitur me bollëk që ta dinte si shkonte bota.
Më vonë, mesa duket me ndërhyrjen e Ramush Haradinajt që shtëpinë e tyre në Tiranë e kishte bazë gjatë luftës dhe nënën e Petritit, fis të largët, e çuan në Stamboll. Por ai mbeti i njëjti deri ditën që iku nga kjo botë: qytetar.
Më kujtohet shpesh ky episod. Shqipëria është vendi ku opozita demonizohet dhe persekutohet. Është vendi ku ka kaq pak Petritë. Më kujtohet ky episod sa herë Rama tallej nga Berisha dhe sa herë Rama tallet me Bashën. Dhe më vjen në mend fraza e Bushatit të madh: Të mjerët opozitarë në Shqipëri. Sepse këtu do të gjenden gjithmonë persekutorë të opozitës dhe turma që duan ta shohin të varur në litar kundërshtarin. Edhe në vitin 2017./dritare.net