Një reflektim për katastrofën demografike të vendit

Nga Dritan Hila
Kur ditë më parë media publikoi lajmin se një grup prej 39 personash kishin trafikuar rreth 1.000 shtetas shqiptarë drejt perëndimit me shuma që varionin nga 5-12.000 USD, askush nuk e mori si një fakt përtej kronikës së zezë. Dhe këtu nuk bëhet fjalë që shtetas shqiptarë kanë paguar diku tek 10 milion dollarët për t’u aratisur, por për faktin se nuk ndalon hemoragjia dhe psikoza e ikjes dhe mungesa e shpresës aq e madhe saqë ikanakët paguajnë një pasuri të tërë vetëm që të ikin.
Le të flasim me shifra.
Në vitin 1990 Shqipëria kishte 3.3 milion banorë. Në vitin 2017 mendohet të ketë 2.7 milion. Ndërkohë 1.4 milion janë jashtë. Sllobodan Milosheviçi u dënua për genoncid për dëbimin e një shifre më të vogël shqiptarësh, diku tek 1 milionshi. Këtu askush nuk mban përgjegjësi nga kjo klasë politike e cila ka 28 vjet në fuqi. Në çdo vend tjetër ikja në të tilla përmasa e shtetasve të një kombi, në mungesë të luftës, epidemisë apo zisë së bukës, do të ishin dënuar për genoncid.
Sipas censusit të fundit cituam që jemi diku tek 2.7 milionë por këta janë ose të mitur ose të moshuar. Sot krahu i punës ka emigruar dhe mendjet më të mira ikin jashtë. Pallate të tëra në Tiranë tashmë ose janë bosh ose banohen vetëm nga pleq. Ndërkohë kryeministri në një nga shpjegimet e veta arrogante për fenomenin, ka deklaruar që të iki kush të dojë, sepse ne do ta bëjmë Shqipërinë me këta që do të rrinë. Mirëpo këta që i kanë mbetur janë fasha joproduktive e shoqërisë. Me siguri ka parasysh skemën që të marrë borxhe dhe mbas tij le të bëhet qameti. Mirëpo puna është se qameti nuk është me dekada larg por në prag të derës.
Kur doja të bëja emisionin e ditës së mërkurë me temë për emigracionin, kërkova në listën e komisioneve parlamentare të partive, dhe ajo që më shokoi ishte se grupi i socialistëve emrin më të dëgjuar ka Elisa Spiropalin. Edhe kjo jo për ndonjë studim shkencor por për punë të tjera. Kusuri ishin tërësisht anonimë. Një nga të paktët deputetë të vjetër, më tha me humor se edhe vetë anëtarët e komisioneve iu ngatërrojnë emrat. Kjo tregon se kryeministrit nuk ka kush ti flasë dhe japë mend, lere pastaj të ketë guximin ta ndalojë.
Në krahun tjetër është opozita më trularaskë në historinë e pluralizmit. Imagjinoni që lajmi më i përfolur ishte romanca e Fevziut me Berishën. Ndërsa kanë një javë që merren me mbrojtjen e kryetarit të bashkie së një province i cili ka bërë kërdinë në prona.
Mendjet më të mira profesionale të këtij kombi, të majtë dhe të djathtë, ndajnë mendimin që vendi është në rënie të lirë. Ndërkohë klasa politike ndodhet në delirin e narcizmit të vet dhe fundi duket i pashmangshëm. Të dhënat e akademikut Kosta Barjaba, sociologu më i mirë i vendit, tregojnë se deri më sot nga Shqipëria çdo vit largohen dyfishi i shtimit natyror të popullsisë. Tani jemi në fazën kur nuk ka më njerëz që largohen, thonë shifrat e tij. Kushdo burrë shteti serioz do të kishte shpallur emergjencë kombëtare pasi vendi po kthehet në azil pleqsh, por askush nuk e ka mendjen.
Ata që njohin gjeopolitikën dhe mënyrën si funksionon ajo, e dinë se konfirmimi i faktorit shqiptar në fundshekullin e shkuar nuk ka lidhje me legjendat nacionaliste por me faktin e thjeshtë të demografisë. Katërfishimi i popullsisë nën sundimi e Hoxhës dhe asaj kosovare matanë kufijve, sollën ridefinimin e kufijve të Ballkanit. Fuqitë e mëdha janë të zhveshura nga mitologjia ballkanase dhe e ndajnë tokën në bazë të frymëve të popullsisë.
Sot në të dy anët e kufirit po përjetojmë zbrazjen e vendit. Nëse nuk merren masa emergjente, nuk do të jetë e largët dita që të bëhemi rishtas shprehje gjeografike. Dhe ashtu si dikur, faji nuk ka për të qenë i Bismarkut të ri por yni, i atyre që nuk folën dhe atyre që nuk dëgjuan./dritare.net

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.