Një gjysmë aeroplani për në Bruksel

Nga Veton Surroi 

Në analogji me Botërorin, Kosova ndërton tifozërinë për në “dialogun” e Brukselit

1.

Negociatat me Serbinë për kosovarët kanë fituar diçka prej sharmit të kampionateve të futbollit. Është pothuajse numri i njëjtë i ekspertëve në të dyja fushat-futboll e negociata-manifestojnë pasione të njëjta për mendimet e tyre dhe herë pas here kritikojnë ashpër referin, që në fjalorin e “dialogut të Brukselit” quhet ndërmjetës.

Mund të vazhdohet ende me analogji, siç është shembull aftësia pothuajse kolektive për të parashikuar si të pashmangshme fitoren e ekipit “tonë” (Gjermanisë a Argjentinës, a Kroacisë a Belgjikës…), por më duket që këto dy pika të para mjaftojnë për këtë shkrim. Pra, kemi ekspertizë të bollshme sa edhe për futboll dhe kemi besim në fitore të pashmangshme të ekipit tonë. Dhe, këto janë dy arsye të mjaftueshme për brengë.

2.

Brenga e parë është ekspertiza. Është mbledhur një grup njerëzish, të lidhur me H.Thaçin, që ua bëjnë interpretimet e “diplomacisë së madhe” qytetarëve të Kosovës. Detyrën e krijimit të bezdisë e kanë trashëguar nga e dërguara e Thaçit, E.Tahiri, këshilltarët e tij, e më pastaj edhe rrethi qeveritar. Po i shënoj vetëm tri interpretime të bezdisshme të këshilltarëve të Thaçit (vetë Thaçi di të jetë edhe më skandaloz me barazimin e Kosovës me Palestinën e Qipron Veriore):

-Kosova ka vetëm një dritare (marrë nga anglishtja , window of opportunity) të arrijë marrëveshje me Serbinë gjatë mandatit të këtij Komisioni Evropian, sepse, siç dimë, Evropa i ka punët pus e pastaj hyn në zgjedhje për Parlamentin Evropian e nuk i dihet se si do të duket në të ardhmen;

– Marrëveshja obliguese me Serbinë do të sigurojë që Kosova do të hyjë në Bashkimin Evropian së bashku me pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor;

-Kjo do të jetë marrëveshja përfundimtare me Serbinë;

Ekspertiza e manifestuar këtu është si ajo për Botëror. Pikë për pikë pra;

-Nëse ekziston një krizë e Bashkimit Evropian, dhe Komisioni Evropian dëshmoi paaftësi në “dialogun e Brukselit”, pse qenka rasti më i mirë ai i negociatave me ndërmjetës që janë o të paaftë, o në krizë?

-Kosova ende nuk ka gjasa kurrfare për të qenë pjesë e BE-së njëkohësisht me Serbinë dhe Malin e Zi. Këto negociata për Kosovën janë ende rreth definimit të shtetësisë së Kosovës e për Serbinë aftësimi për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në BE;

-Nuk ekziston asnjë garanci e vetme se kjo do të jetë marrëveshja përfundimtare me BE-në. As Serbia e as BE-ja nuk pretendojnë se këto janë negociata për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike brenda një traktati të gjerë paqeje, që do t’i jepte karakter “përfundimtar”. Mbi bazë të këtyre parimeve të Serbisë e BE-së, gjendja e tanishme është një proces negociator për një fazë kalimtare deri në marrëveshje përfundimtare.

LEXO DHE :  Problemi i vërtetë i Shqipërisë që u pasqyrua dje në PE

3.

Dhe, në analogjinë me Botërorin , Kosova ka vendosur të ketë faktorin e vet “Kolinda”. Po të kishte Kosova ekip pjesëmarrës në Botëror, aty do të ishin për t’i bërë tifo versioni kosovar i Kolindave: president e kryeministër , kryetar Kuvendi e zv. kryeministër, së bashku me gjysmë avioni këshilltarësh , badigardësh e fotografësh zyrtarë.

Në analogji me Botërorin, faktori i shumëzuar mashkullor, një version “Kolinda” i Odës, ku “gjuhet për qejfi prej dritare”, është në Bruksel , por për dallim prej kryetares kroate, për t’i bërë tifo njëri-tjetrit.

E vetmja gjë që do të dëgjohet prej të gjithë protagonistëve kosovarë është pashmangshmëria. Se me këtë “dialog” do të arrihet Marrëveshja me Serbinë , se ajo do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se me këtë Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian së bashku dhe njëkohësisht me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Dhe, këtu duhet të tërhiqet vija e madhe e brengosjes. Asnjëri prej rezultateve nuk është i pashmangshëm; në listën e skenarëve që gjenden përpara ka të atillë që mund ta lënë Kosovën jofunksionale dhe me proces të papërmbyllur me Serbinë për një kohë relativisht të gjatë. Numri i shteteve që janë komode me një Kosovë të izoluar, përderisa nuk eksporton probleme , është bukur i madh. Dhe numri i shteteve që do të merret me vetveten dhe BE-në është edhe më i madh.

4.

Në vend të analizave të mëdha-e në to në formë të frikshme hyn Samiti Trump-Putin dhe mosgatishmëria e presidentit amerikan për të dënuar rolin destruktiv të Rusisë gjithandej botës, përfshirë edhe Kosovën-ndoshta do t’i bënte mirë skenës politike kosovare një rikapitullim i procesit të deritanishëm negociator me dy pyetje të thjeshta.

Një, pse nuk prodhoi ky proces negociator rezultat pozitiv (por, përkundrazi, ndërlikoi edhe më fazën e ardhshme)?

Dhe dy: çfarë duhet të jetë procesi negociator , jo në kushte ideale, por në kushtet e tanishme, në mënyrë që të krijojë rezultate pozitive?

Që të dyja kërkojnë që të ndërpritet analogjia me Botërorin./ Koha.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.