Një dyqan italian, nga Toskana në Tiranë

Nga Edlira Ruzi

Nuk mbaruan restorantet, por gjeta diçka më interesante për t’ju treguar. Sot do rrëfej për një “dyqan me kuzhinë” dhe pronarin e tij kokëshkëmb.

Gjithçka nisi në 2014, kur Fabio, një italian nga Firence, la Toskanën e bukur për t’u vendosur në Tiranë. Ishte i bindur se pikërisht këtu do të realizonte ëndrrën e tij: të ishte një distributor verërash dhe produktesh të tjera ushqimore. Por gjërat ndryshuan rrugës, për më mirë se kaq.

Në atë kohë, në Itali, Fabio tregon se nuk flitej më keq për Shqipërinë, përkundrazi. Në televizionet italiane Shqipëria përmendej si një vend mbi të cilin ishte drejtuar vëmendja e sipërmarrësve. Fabio Rocchi u shfaq në Tiranë, në një kohë kur kryeqyteti ishte i tejngopur me italianë që tentonin suksesin. Krejt i vetëm, pa miq, por me shumë ide, Fabio nisi të frekuentonte restorantet e Tiranës. Kontaktonte me menaxherët dhe u ofronte verërat me të cilat kishte menduar të ngrinte biznesin e tij. Disa e panë me skepticizëm, të tjerë u larguan nga çmimi disi i kripur i verës toskane ndërsa njëri ia tha në sy: “This is not the land of the dreams” (ky nuk është vendi i ëndrrave).

Por Fabio Rocchi u tregua kokëfortë. Ecejaket e tij në kërkim të klientëve të mundshëm po shkonin keq, derisa një ditë, një zonjë hyri në mjediset ku Fabio ekspozonte verën, sallamerinë e djathin dhe pyeti nëse mund të blinte pak?! – “E përse jo,” – u përgjigj Fabio. “Nëse nuk po shes dot me shumicë, do u shes zonjave që bëjnë pazar për shtëpinë.”

Kështu atij iu kujtua këshilla e gjyshit: “Hidh shikimin lart! Nëse sheh dritare me shumicë, pikërisht aty duhet ta kesh dyqanin tënd. Herët a vonë, ata njerëz që banojnë sipër teje, do zbresin për të ngrënë.”

Kjo është përgjigja që Fabio më jep kur e pyes se përse ka zgjedhur ta ketë dyqanin e tij në një lagje periferike, si Komuna e Parisit. Atij i pëlqen që në Shqipëri ekziston ende koncepti i lagjes, diçka e humbur në Itali që nga vitet ’90.

Kështu ambienti i marrë me qira për të ekspozuar verëra, u kthye në dyqan, ku zonjat mund të hyjnë edhe me shapka shtëpie për të blerë çka u duhet për drekën, ndërsa Fabio i përshëndet shqip. Nëse në fillim banorët e zonës e shihnin me dyshim, “Toscana a Tirana” tashmë është kthyer paraditeve në dyqanin e preferuar, me produkte cilësore italiane, ndërsa mbrëmjeve, vendi ku mund të pish një gotë verë me miqtë, ndërsa shikon se pak më tutje po përgatitet pjata me makarona që ke porositur. Gjithçka para syve të tu, nja 10 metra më tej, ashtu si në shtëpi.

LEXO DHE :  Ide si ta bëni hyrjen e shtëpisë, të duket si përrallë

Ndërsa ne të dy flasim duke pirë nga një kafe, koha kalon dhe në dyqan fillojnë të mbërrijnë telefonatat e para. Po afron vakti i drekës. Lubjana, Vilsoni dhe Jolanda përgatisin paninet që në fakt kushtojnë më shumë se produktet e fastfoodit që jeni mësuar të blini përditë nëpër çdo cep pallati. Por nëse do t’i provoni, ndryshimi është i dukshëm, në shije dhe cilësi. Më pas filloj të ndjej një aromë që më kujton kohët kur jetoja në Itali. Po përgatitet pasta me brokoli dhe salçiçe, ndërkohë që mbi banak ma bëjnë me sy “le cime di rapa” dhe gjithfarë lloj proshutash e sallamesh të sjella nga Italia. Është e vështirë t’i qëndroj besnike betimit që kam bërë në mëngjes për të mbajtur dietë.

Por fatmirësisht biseda me Fabion ma zhvendos vëmendjen edhe një herë te historia e këtij italiani që më flet shqip dhe që ndihet në Tiranë si të ishte në shtëpinë e tij. Pasi më thekson se nuk është “chef” dhe ky nuk është restorant, por thjesht një dyqan, më rrëfen se ndihet i sigurt dhe i kënaqur. Ai ia di për nder Shqipërisë ku arriti të realizonte ëndrrën për të pasur një aktivitet të tijin megjithëse në moshë të re. “Nuk mund ta mendoja që në Firence të kisha një aktivitet të tillë” – thotë Fabio. “Atje ka konkurrencë të pandershme dhe taksa që shkojnë përtej 50%.”

Fjalia e fundit më lë pa fjalë. Jam mësuar ta shoh Italinë nën një dritë pozitive, mbase ngaqë e kam njohur si studente ose si turiste. Por në të njëjtën kohë miklohem nga fjalët e mira për vendin tim.

Largohem nga “Toscana a Tirana”, me premtimin se do të kthehem me miq, për të provuar diçka tjetër nga menuja e këtij “dyqani me kuzhinë”./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.