Rilindja Urbane e propaganduar për shumë vite nga qeveria Rama dhe e propozuar si projekt për vitet që vijnë, është një fiasko ekonomike në Belsh apo Ersekë; një aferë betonizimi në Durrës; një humbje parash në Elbasan, ku qyteti ka nevojë për vende pune dhe jo bojëra. Por në Vlorë është një ndërhyrje e domosdoshme.
Nëse ka një qytet që ishte harruar, kjo ishte Vlora. Nga koha e Hysni Kapos, qyteti ishte lënë pas dore. Investimi i fundit thelbësor, autostrada Levan-Vlorë, ishte pa impakt të dukshëm ekonomik pasi by-passi i Fierit e zhvlerësonte, ndërsa gjendja mizerabël e qytetit nuk ofronte asnjë potencial turistik. Dy investime të mëdha në qytet, "Petrolifera" dhe termocentrali kanë rezultuar jo produktivë. E para, në çdo fillim sezoni ndot si rastësisht ujërat me ndonjë rrjedhje "aksidentale". Ndërsa i dyti është investimi 100 milion euro të ngrira dhe që nuk do të përdoren ndonjëherë, siç duket, pasi është jorentabël.
Aktualisht, megjithëse gjiri i Vlorës është resursi më i madh i vijës tonë bregdetare, është i pashfrytëzuar. Qyteti ka papunësinë më të lartë në republikë me 26%. 10 kilometra bregdet ranor i Adriatikut dhe 20 kilometra bregdet shkëmbor i Jonit shfrytëzohen në mënyrë ekstensive, me kioska i pari dhe hotele pa standarte i dyti. Pa përmendur se Karaburuni dhe Sazani janë ende të paprekur.
Ajo që e pengon, janë dy faktorë, thonë ekspertët e turizmit: Mungesa e një aeroporti që do t'i mundësonte çarterat me origjinë nga lindja e kontinentit, dhe infrastruktura e dobët e qytetit. "Ndërtojmë ne, por njerëzit po ikin", thotë ndërtuesi më i madh i qytetit, Sulo Shehu , "dhe po nuk filloi turizmi, ky qytet do të vdesë". Ndërkohë një resurs tjetër pret të kthehet në një port gjigand jahtesh: Triporti. Por ky nuk mund të bëhet nëse nuk është infrastruktura rrugore dhe aeroporti: Rrugët, sepse duhen për funksionimin e një aktiviteti si mirëmbajtja e anijeve, ndërsa aeroporti për pronarët e jahteve që me siguri do të jenë nga veriu i Evropës dhe do lenë anijet për dimërim. Pas impiantit modern të përpunimit të ujërave të zeza, kanalizimeve, rrugë të asfaltuara, aeroporti është lëvizja e fundit që e plotëson kuadrin e modernizimit të qytetit.
Por ky i fundit sulmohet politikisht për faktin se është investim turk. Në fakt e mira do ishte të qe investim perëndimor, por këtyre nuk iu hyn në sy. Italianët kanë më afër Brindizin; për gjermanët është larg, ndërsa grekët e kanë konkurent këtë zonë turistike. Kështuqë mbeten turqit. A mund të ketë aferë korruptive? Ndoshta. Por ku ka pushtet që nuk përfiton për vete nga marrëveshjet! A do ishte mirë që Erdogani të ishte demokrat i tipit Adenauer? Patjetër, por është ky që është. E rëndësishme është që dikush po vjen të investojë në mes të hiçit, për të bërë një sipërmarrje, ku zhvillimi i takon perspektivës.
Sa i takon impaktit ambjentalist, duket një alarm i ekzagjeruarë. Tokat ku do ndërtohet është një moçalishte e pavlerë e cila nuk është habitat i ndonjë specieje të rrallë. Është vetëm një rezervat mushkonjash.
Pak hollësi dihen rreth fizibilitetit, por në pozicionin që është aeroporti, qoftë edhe për një sy jo ekspert, ndihmon një zonë që fillon nga Plazhi i Gjeneralit në Kavajë dhe mbaron në Vlorë, që është e pashfrytëzuar. Nga pikëpamja ekonomike është investim strategjik që nuk ka të sharë. Vlorës do ti duhet ende një dhjetëvjeçar që të jetë konkurente serioze në rajon për turizmin. Por pas natyrës, kuzhinës dhe pozicionit, ngjan se po i japin gjithë armët e nevojshme që të dalë fituese. Dhe dihet që vlonjatët për armë kanë nevojë, se të tjerat dinë ti bëjnë pa i ndihmuar njeri./dritare.net