Fshati i Dhimo Kotes, një copë Shqipëri pa fotoshop

Nga Rudina Xhunga

-Albanian Stories

Dhimo Koten e njeh shumëkush, por pak kanë shkuar ta vizitojnë në parajsën e tij, afër Qafë Botës. Unë kur shkova për herë të parë, ndodhi se ngatërrova rrugën për në kufi dhe në çast mendova se kisha hyrë në Greqi pa e marrë vesh.

Sepse e tillë është Xarra e tij. Një copë parajse gjithë ngjyra e aroma, çdo tokë e punuar, plantacione të tëra me mandarina, që të marrin sytë e mendjen dhe nuk të besohet derisa takon Dhimon, që je në fshat shqiptar.

Mursi quhet fshati i vetëm në Shqipëri, ku kafet hapen pasdite. Mëngjeseve njerëzit janë në punë, nuk hyn njeri.

Ç’t’i hapësh kot, -thotë Dhimo, që na bën guidën e fshatit me shtëpi dykatëshe, të gjitha të reja, por me fasada guri, si një kthim në identitet, në gurët e shtëpive të hershme.

Mursia duhet të jetë fshati i vetëm në Shqipëri, edhe për migrimin. Prej vitesh kanë ardhur në fshat nga Lushnja, Berati, në fillim për të punuar një sezon, por më pas janë ngulur aty, kanë marrë shtëpi me qira, kanë bërë fëmijë dhe nuk ikin më.

Po si mund të ikësh nga një fshat që vjet doli me 3 milionë euro fitim nga shitja e prodhimit të vet, mandarinës Klementina.

“Tani, për ne, Klementina është perëndia, asaj i lutemi”, -thotë Dhimo. “Kujdesemi për të, i rrimë në kokë si fëmijës, por ia kemi parë hajrin. Tani furnizojmë Kosovën dhe akoma duan, ndaj na duhet të prodhojmë ende. Por çojmë edhe në Serbi e Bjellorusi. Kur na vijnë specialistë nga Izraeli çuditen që është kaq e mirë dhe e pastër mandarina jonë. Të gjithë çuditen, po s’ka gjë për çudi këtu, është thjesht punë”, -këmbëngul Dhimo.

Dhimo Kote erdhi nga Greqia, kur të gjithë ikën. Mursia është një fshat minoritar dhe të gjithë e lanë e ikën në vendin e origjinës, por Dhimoja u kthye, se besonte te toka ku u rrit.

Aty ia nisi me shalqi dhe gjithë fshati pas tij, derisa mendoi se shalqi mbjellin të gjithë, ai duhej të mbillte atë për të cilën toka e fshatit të tij ishte bërë, agrumen. Dhe mbolli Klementinën.

Kur dolën mandarinat e para dhe nisi të kërkojë e gjejë tregje, fjala mori dhenë dhe bashkëfshatarët e lanë Greqinë, njëri pas tjetrit. Nisën të gjithë me mandarinën, secili në tokën e vet, derisa u organizuan në kooperativa e nisën të mendojnë për pikën e grumbullimit.

Tani jo vetëm janë kthyer të gjithë nga Greqia, por vijnë çdo vit e më shumë nga zonat përreth, për të punuar. Do nisin të vijnë edhe nga Greqia, me siguri, siç po shkojnë punët në fshat. Tani rroga e çdo punëtori është 1500 lekë të rinj në ditë, por Dhimo është i sigurt se do të shkojë 1 milion në muaj, shumë shpejt, pasi toka të lira ka ende dhe kërkohet më shumë prodhim prej tyre. Dhimo tani nuk lë panair pa shkuar. Para përcaktimit të çdo sasie mbjelljeje ka parasysh çfarë tregu e pret.

Dhe të gjithë e dëgjojnë, sepse nuk është thjesht ish-kryetari i Komunës për tri mandate, ai është lideri i asaj zone, është njeriu që i bëri të gjithë të pasur, duke i vënë të gërmojnë thesarin në oborrin e shtëpisë, derisa çdokush e gjeti të vetin.

Dhimo Kote është i vetmi njeri dhe vërtet nuk kam takuar kurrë një tjetër që ka me çfarë mburret pas largimit si i zgjedhur, pas tri mandatesh.

Kur e pyes pse nuk u zgjodh sërish, më thotë se tani ndarja e re territoriale e ka përfshirë Zarrën në Konispol. Por të tjerë më thonë ndryshe. Më thonë se Dhimo ishte personazhi i preferuar i Ramës kur ishte kryetar i opozitës, pasi erdhi në pushtet thjesht i duhej një personazh i ri. Dhe zgjodhi Shpëtim Idrizin, i cili kërkonte Bashkinë e Konispolit, që sigurisht nuk e mori dot.

Në fakt, çamët prej tij kërkojnë t’i çojë te shtëpitë e të parëve, jo të zërë toka minoritarësh, por si punët e Shpëtimit dhe atyre që bëjnë sikur e besojnë.

Dhimo qesh kur ia tregoj ç’më thonë.

“Lëri ata që flasin”, -më thotë. “Vendin e duan ata që bëjnë, jo ata që flasin. Unë u shkëputa nga politika që të pleqëroj hallet e mia, jo të botës.”

Por, në fakt, ai nuk ka se ç’halle të pleqërojë, as të vetat, as të fshatit, përveçse të merret si shembull, fshat më fshat, e bashki për bashki, kudo ku mbjellin e nuk korrin, sepse ajo copë tokë që ai ka drejtuar për 12 vjet, është e vetmja copë Shqipërie e rilindur.

Dhe këtë e ka bërë vetëm një njeri, që quhet Dhimo Kote, të cilin njerëzit e besuan dhe e ndoqën pas. Ai i dha Mursisë një ëndërr, tek e cila besoi dhe vetë. Tani është Mursia që të bën të ëndërrosh./Dritare.net

2 Comments

  1. Rudine,
    Cfare eshte bere ne Mursi eshte merite e banoreve te saj sepse shteti nuk ka bere asgje per Mursine. Prandaj , tani qe Dhimo eshte zv. Minister te shohim se kush do jete politika e shtetit per zhvillimin e kesaj zone qe vertet eshte rilindur dhe arat me mandarina ja vlen ti rritesh..

  2. Mursia nuk eshte fshat minoritar zonja gazetare.As fshat me origjine nga “andej”. ne Mursi flitet gluha e paster shqipe.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.