Intervistë me specialistin e bibliotekës së UAMD: Arkid Avdullaj
Në një botë moderne dhe aq më tepër në realitetin e sotëm, ku femra gëzon më shumë të drejta dhe liri në krahasim me disa dekada më parë, çuditërisht hasim një grup mjaft të vogël femrash të cilat kanë vendosur të jetojnë ndryshe, ato njihen dhe me emrin “Burrneshat” apo “Virgjëreshat e betuara”
Origjina e kësaj “metamorfoze” nëse mund ta quajmë të tillë, u zhvillua nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili në kodin e tij zhvesh gratë nga shumë të drejta, si e drejta e votës, e drejta për të pirë duhan, e drejta për të blerë tokë, e drejta për të hyrë në disa institucione të caktuara apo ndalimi i shumë punëve të ndryshme. Kështu lindi nevoja që një grua të bënte një betim, para dymbëdhjetë fshatarëve ose pleqve fisnorë, për të praktikuar beqarinë, duke fituar gjithashtu dhe të drejtat e munguara.
Motivet për këtë mund të ishin nga më të ndryshmet, ku mund të përmendin shmangie të martesës së padëshiruar, të tjera shpresonin shmangien e vetë martesës në përgjithësi, apo dëshirën për të mos u ndarë nga babai. Sot pothuajse nuk ka më gra të tilla, të cilat marrin guximin për t’u kthyer në burrnesha, pasi shoqëria është më e hapur dhe e lirë për femrat dhe pse jo në masën e duhur. Ndonëse një fenomen i rrallë, Elvira Dones, shkrimtare, skenariste dhe producente filmash shqiptar ka sjell historinë e Hanës, një vajzë të kthyer në burrneshë. Libër për të cilin Arkid Avdullaj mund të na flasë më mirë.
-Përshëndetje Arkid, rikthehemi për një libër të veçantë kësaj radhe. Në fakt është një libër, i cili fillimisht është shkruar në gjuhën italiane dhe më pas është përkthyer në shqip. Duket pak e çuditshme për faktin se Elvira Dones është një shqiptare dhe për më tepër për faktin se historia dhe ngjarjet janë të një personazhi shqiptar. Përse kjo zgjedhje nga Dones?
- Përshëndetje Aldo. E the mirë, i veçantë si në krijimtarinë e Donesit, ashtu edhe në tërësinë e letërsisë. Përsa i përket shkrimit të librit në italisht doja të thosha që kjo nuk përbën kuriozitet nëse e njeh Donesin, pasi ajo nuk ka kompleksitete përsa i përket përdorimit të gjuhës dhe e do gjuhën shqipe po aq sa çdo gjuhë tjetër që zotëron. Në një status përshëndetës në dhjetor të vitit të kaluar, ajo thekson se të gjithë gjuhët e botës janë tonat, duke nisur nga gjuha jonë.
-Treguam që shndërrimi i një femre në burrneshë ndodh për arsye të ndryshme. Përse i ndodh kjo personazhit të Hanës, cili është shkaku që e çon këtë femër, të marrë një vendim kaq të guximshëm?
-Duke e tërhequr personazhin e Hanës nga kanuni, në këtë roman autorja sjell dramën e brendshme që sjell humbja e identitetit. Jeta e burrneshave nuk është aq sa e përshkruan kanuni, sepse për të qenë burrneshë, ka dhe rregulla të pashkruara që duhet t’i konsiderosh. Në fillim të romanit lexuesi është i pasigurt për atë që lexon. Mark dhe Hana janë dy emrat që përmenden vazhdimisht dhe duhet të kalojnë pak faqe që të kuptojë se bëhet fjalë për të njejtin person. Hana gjallon brenda figurës së Markut, ndërsa Marku është maska, që realiteti në të cilën jeton, ia dikton. Aty lexuesi fillon e njihet me dramën e brendshme të këtij personazhi, e cila vetëm disa faqe më pas zbardhet nëpërmjet retrospektivave. Hana u kthye në burrneshë, sepse refuzoi të martohej me atë që i caktoi familja. Ajo ishte në hapat e parë të një dashurie në qytetin ku shkollohej, por që u detyrua të braktiste atë dhe shkollën për familjen. Një nga arsyet që kanuni parashikon për t’u kthyer në burrneshë është dhe refuzimi i fatit që të cakton familja, ku për të mos turpëruar familjen tënde, vesh pantallonat dhe deklarohesh burrneshë përpara 12 burrave më të vjetër të fshatit. Ky ishte edhe rasti i Hanës.
-Cila është lidhja e realitetit shqiptar në këtë roman, në cilën periudhë zhvillohet ngjarja? Ka të bëjë kjo me një periudhe tranzicioni, pasi në vitet e fundit nuk të ndodh shpesh të dëgjosh nga një femër të marr vendime të tilla?
- E vërtetë. Vitet e fundit është zbehur dhe nuk ka raste të reja. Këtu nuk ka rëndësi koha(reale), por fenomeni. Aksesi që fiton Hana drejt disa të drejtave që më parë nuk i kishte, nuk e plotëson atë dhe nuk i jep paqe. Ne e shohim atë duke shkruar në ditar, e shohim mjaft të butë brenda kullës dhe të ftohtë jashtë saj. Kjo është dramë.
-Nëse do ta vendosnim Hanën në shoqërinë e sotme, a do të kërkonte ajo sërish të kthehej në një “ai”?
- Po, nëse Hana e sotme do të ikte nga realiteti kushtëzues drejt një më të hapuri. Thyerja e betimit të një burrneshe do të thotë turp dhe vdekje. Sinqerisht dyshoj se mund të kërkosh aty ku të gjithë i mbajnë sytë te ti. Hana përpiqet të "zhdukë" Markun në Amerikë. Përse Amerika? Sepse Amerika gjithmonë është parë si vend i mundësive. Përse Amerika? Sepse Amerika nuk shqetësohet për atë që bën ti, përsa kohë nuk prek asnjë. Kështu që e mendoj si një zgjidhje origjinale.
-Elvira Dones njihet për mënyrën e saj se si i kundërpërgjigjet fenomeneve, ndoshta dhe për faktin se ajo është gazetare. Në këtë roman a gjejmë një element të tillë? Apo i gjithë romani është në vetvete një kundërpërgjigje ndaj fenomenit të mungesës së lirisë ndaj gruas?
- Elvira Dones ka prekur në romanet e saj tematika mjaft delikate. Një tjetër roman i saj që të godet thellë psikologjikisht është edhe "Yjet nuk vishen kështu", ku subjektin e merr nga një kohë jo fort e lavdërueshme që Shqipëria ka kaluar. Për ndjeshmërinë që ajo vetë ka ndaj kësaj teme, i bën edhe një "dush të ftohtë" Berlusconit kur e prek te trafikimi i qenieve njerëzore me qëllim prostituimin (që ai i quan bukuroshe). Hana ndoshta nuk është një "reagim", sepse siç thamë pak më lart, ky fenomen sa vjen e po zhduket, por pasqyrim i burrneshave si pjesë e autoetnicitetit shqiptar. Kujtojmë se dhe Alice Munro e sjell këtu personazhin e "Virgjëresha shqiptare" dhe e sjell këtë fenomen apo traditë në petkat e Lotarës, vajzës që nuk e dinte se çdo të thoshte të ishe burrneshë, kur pranoi të bëhej e tillë.
-Kthehemi pak në linjën e dashurisë në roman. Ndodh që virgjëresha jonë e betuar, dashurohet! Pra zbehja e Hanës dhe shndërrimi në Mark dhe anasjelltas, me çfarë mesazhi na vjen dhe përse kjo lloj përplasje me realitetin ndaj Hanës?
- Është tashmë e njohur se sa më pranë vdekjes të jemi, aq më fort do të kapemi pas dashurisë dhe ta shohim atë si shpëtim. Në këtë rast, vdekja tenton të jetë e brendshme. Zbehja e Hanës dhe më pas e Markut ndodhin në realitete të ndryshme sociale. Nëse në Rrnajë, Hanës i duhej të ndiqte një zakon dhe i duhej të bëhej Mark së pari, për ruajtjen e nderit të familjes dhe së dyti për të përballuar jetën e vetme, në Amerikë ajo kupton se ndihet jo e plotë dhe se kishte harruar të ndihej femër. Në kontekstin amerikan, ndryshimi i Hanës i përngjitej orientimit seksual drejt seksit të njëjtë (siç dyshon mbesa e Hanës për të) dhe në raportin e Hanës me veten, asaj i duhej të tërhiqte atë që kishte brenda dhe t’i jepte frymë.
-Cili është vendimi i Hanës, ajo mban qëndrimin prej burrneshe, apo kupton se duhet të ndjekë zemrën dhe ëndrrat?
- Romani mund të konsiderohet si “Happy end” pasi Hana arrin ta zhduk Markun nga fytyra e saj. Ajo kishte lindur femër, ishte femër dhe i duhej të shfaqej si e tillë për të qenë e plotë. Thonë se dashuria është shpërthim i jetës dhe që një njeri të jetë i lumtur, patjetër që do ketë nevojë për të. Hanën e plotëson dashuria. Dashuria e bën të ndihet ajo që është (dhe duhet të jetë).
-Përse do t’ia sugjeroje këtë libër lexuesve, çfarë e bën atë të veçantë dhe nëpërmjet tij, çfarë na sugjeron vetë autorja?
- Së pari, sepse është letërsi shqipe dhe duhet të njohim shkrimtarët tanë në mënyrë që të kemi ç't’i tregojmë botës. Së dyti, sepse prek një pjesë të rëndësishme të traditave dhe zakoneve të veriut të Shqipërisë e që në kohën tonë vijnë të dhimbshme dhe së treti për t’i treguar të gjithëve se vetëm vetja juaj mund t’ju shpëtojë nga ju vetë./dritare.net