Nesër në një hotel bregdetar në Durrës, do të zgjidhet presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit. Është e para herë që ka një garë në gjithë historinë e zgjedhjeve në këtë Federatë. Përballë Armando Dukës, që ka katër mandate në krye të FSHF, ka dalë Bashkim Fino, një politikan i konsoliduar i këtyre 20 viteve në Shqipëri, dhe kjo ka mjaftuar që të ketë alarm rreth fatit të zgjedhjeve. Edhe pse shumica nuk është përzier emocionalisht me garën, pasi ka në krye të garës një prej politikanëve të saj, opozita është treguar më e “sinqertë”, dhe ka bërë deklarata zyrtare kundër rivalit të Dukës, duke u përfshirë jo vetëm politikisht, por dhe në detaje organizative në këtë garë. Klubet që menaxhohen nga njerëz të PD dhe LSI, janë në krye të fushatës së Dukës, ashtu sikundër klubet që drejtohen nga socialistët janë dukshëm me Finon.
Në debatin e drejtpërdrejtë mes tyre, tonet u ngritën dhe Fino e fitoi dukshëm betejën. Po t’i shtojmë kësaj situate dhe denoncimet në adresë të Dukës dhe faktet që flasin se si Federata është kthyer në një çerdhe korrupsioni, gara duhet të kishte përfunduar pa nisur.
Beteja publike ndaj Dukës e bërë thuajse shkëlqyer nga Fino, në fund të fundit, vlen për publikun, por jo për 66 votuesit që vendosin fatin e Federatës. Shumë prej tyre janë në të vërtetë përpjestime korruptive të Dukës, dhe të gjithë bashkë, pjesë e korrupsionit të Federatës së Futbollit Shqiptar.
Pikërisht kjo është kryeakuza për gjendjen e Federatës së Futbollit Shqiptar.
Nëse ajo do të ishte një institucion legjitim dhe demokratik, nëse zgjedhjet do të ishin transparente dhe 66 votuesit do përfaqësonin interesat e futbollit, ndoshta Duka duhet të tërhiqej qysh ditën e parë.
Kryeakuza është se sot, një ditë para zgjedhjeve, ai ka ende shpresë tek korrupsioni, dhe fuqia e tij reale është ilegjitimiteti, strukturat e emëruara dhe të parapaguara që do të votojnë për të, dhe banditë që kanë uzurpuar kartona votimesh të klubeve nga Përmeti, deri në Velipojë, dhe që janë pjesë e stafit të paguar të Dukës, apo rrethit të bizneseve të tij.
Shëmtia e kësaj gare nuk është se dikush do të votojë për idetë apo platformat, por se korrupsioni shpreson ende se mund të mbijetojë. Dhe ky mesazh është i kuruar deri në detaje, qysh tek përzgjedhja e Durrësit si vend ku votohet, tek shoqatat fantazëm që do të kenë punë doemos me drejtësinë për votimin e paligjshëm, dhe deri tek ata që janë angazhuar publikisht për t’i dhënë një shans të ri korrupsionit në futbollin shqiptar, i cili ka pushkatuar kampionatin shqiptar të futbollit.
Shqipëria ka sot vetëm lojtarë të një ekipi kombëtar importuar nga Kosova dhe Perëndimi, dhe një panoramë trishtuese të një kampionati që e ndjekin vetëm presidentët e klubeve dhe arbitrat që emëron Duka.
Pra, nëse ka një gjë të dukshme, të prekshme, të verifikueshme dhe të turpshme në historinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, është fakti që korrupsioni vazhdon të jetë shpresë dhe mekanizëm për të mbijetuar dhe për të vazhuar më tej.
Unë nuk e di se si mund ta bëjë Federatën e Futbollit Bashkim Fino, nuk di nëse ai do t’ia dalë të jetë një president që do ta pastrojë historinë e futbollit nga korrupsioni dhe do rikthejë qytetarët në stadium, me shpresë se ata do shikojnë sport dhe jo ndeshje të trukuara, por di të them që kushdo që mbështet Armand Dukën në krye të futbollit shqiptar, qoftë politikisht, qoftë individualisht, identifikohet me korrupsionin, me shkatërrimin e kampionatit kombëtar, që është e vetmja arsye përse duhet të kemi një Federatë.
Aq më tepër kur këta që e bëjnë këtë janë politikanë. Ata janë duke u dhënë një shembull votuesve të tyre, se shpresa është ende tek korrupsioni dhe dështimi.
Beteja politike për ta mbajtur në lojë më tej këtë trend shkatërrrues, është një bumerang për ata që vënë emrin dhe fytyrën e tyre në anën e korrupsionit. Por për të kuptuar se sa pak fuqi ka opinioni publik dhe debati politik për të ndryshuar gjërat, hidhini një sy listës dhe kuptoni se si mafia e devijon opinionin publik dhe interesat e futbollit tek njerëz anonimë dhe batakçinj, që kanë objektiv mbijetesën e korrupsionit dhe jo mbijetesën e futbollit shqiptar.
Por kjo garë, në të vërtetë, edhe pse po bëhet si “betejë politike”, nuk është garë politike, por numerike. Është ashtu si mafia i bën llogaritë në finale, pa respektuar askënd, perveç shifrave./TemA