Një amerikan në Surrel

Nga Fjorda Llukmani

Kur më pyesin se ku ta kalojmë fundjavën, gjithmonë u përgjigjem në Tiranë. Është e vështirë për miqtë e mi ta besojnë se Tirana nuk është vetëm qytet. Këtë herë do t’ju sugjeroj një vend ku mund të shijoni natyrën, gatime të shijshme, e mikpritje alla tironcish.

Para disa vitesh kur im atë punonte si mjek në Priskë, çdo fundjavë e kaloja pas tij rreth zonave të Dajtit. I njoh aq mirë saqë di kush e ka këtë pronë, çfarë gatimesh bëjnë etj. Surreli ka qenë një prej vendeve ku kam qëndruar më gjatë. Një mik i familjes banonte aty dhe qëndroja me ditë vetëm për të parë si është jeta në fshat. Turbullt e kujtoj që shkonim për të kullotur lopët buzë liqenit të Surrelit.

Kohët e fundit ndaloj për të pirë diçka tek “New York Grill” në Surrel.

Dal në ballkonin e tyre e ç’të shoh, përballë liqeni i Surrelit dhe pamje e Tiranës në pëllëmbë të dorës. M’u kthye e gjithë fëmijëria para syve, përjetova një déjà vu.

Ulem pranë oxhakut me pamje nga pishina dhe pres për kamerierin. Kur më del i zoti i shtëpisë Heri, me përparëse kuzhinieri dhe shumë i qeshur.

“A thua më mban mend ky që vinim këtu me familjen e bënim sebepe me familjen?”,– mendoja me vete. Heri filloi të më flasë me dialekt tironc. Një mënyrë komunikimi që rrallë e gjen në restorante shqiptare. Duke qenë se ka jetuar e punuar në Amerikë, kjo shpjegon gjithçka për sjelljen e tij.

I tregoj që kam ardhur para shumë vitesh këtu, kur kishin vetëm sallën e dasmave. U kujtua për familjen time qejflie dhe sebepet që kishim bërë.

Habitem nga investimet e shumta të bëra në lokal. Përveç pishinës, ka ndërtuar dhe një pjesë të re për të drekuar e darkuar.

E tëra është e bërë me gur, dhe e veshur me vetrata që të mund të shijosh pamjen.

Në mes ndodhet një oxhak i madh, si biçim pusi. Për të zënë vendin buzë oxhakut duhet të prenotosh se bëhet nami.

Porositëm diçka të thjeshtë si djathë nape, kërpudha, byrek etj ushqime vegjetariane.

Eri më tha që specialitet ka mishin, pasi ka punuar në Steak House në New York, e nuk mund të iknim pa e provuar. Pas shumë muhabete tironcish më tregonte për fillimet e tij.

“U largova nga Shqipëria rreth viteve 2000 për në Amerikë. Atje fillova punë në restorante me emër, ku mësova mbi shërbimin dhe servirjen e ushqimit. Ama mendja më rrinte te vendi im. Bleva këtë tokën në Surrel, me shpresën se do të vijë dita ku të investoj. Gjatë punës në Amerikë, mësova dhe hilet e gatimit të mishit. Atje nëse nuk ia bëje klientit siç e donte, ta kthente mbrapsht ushqimin, prandaj s’kishte shaka. Na vinin aktorë të famshëm, njerëz që drekonin çdo ditë dhe vlerësues të ushqimeve me emër.

Gjithmonë ‘Steak House’ merrte nota të larta ose 4-5 yje, pa korruptime, por prej vërteti. Temperaturat e ruajtjes në frigorifer të mishit janë specifike. Po ashtu dhe bërja ka ato të vetat, por unë ia kam marrë dorën.

Pas 10 vjetësh punë u ktheva në vendin tim. Fillova punimet në tokën ku bleva dhe ja ku jemi sot.”,-më tregonte Heri.

LEXO DHE :  Ja pse Ariana Grande takon të gjithë ish të dashurit e saj, para nisjes së turneut!

Bëra lidhjen se pse quhej “New York Grill”, sepse mishi bëhej fiks si në NY. Unë jam qejflie e mishit, por s’marr vesh shumë nga bërja e tij, më mjafton të më shijojë e të ngopem. Shokët e mi e kërkuan pak të bërë dhe me gjak. I thashë Herit të kalonte përsëri sepse e kishte muhabetin e omël. Ndërkohë që shijoja kërpudhat, të preferuarat e mia, vjen mishi.

E servirur në një tavë të nxehtë, mishi vazhdonte të piqej. Mbi të ishin ngulur ca thika, tamam si jashtë shtetit.

Hajdeee servirje hajdeee! E kujt ia priste mendja që ushqimi amerikan do të mbërrinte deri në Surrel? Mishi të shkrinte në gojë, super i shijshëm. “Super luks!”,- thoshin shokët e mi me gojën plot. Edhe brinjët i gërryem deri në copën e fundit, vetëm kockat na mbetën.

Që të më besoni për shijen ju duhet vetëm ta provoni. Ajo që ju them me siguri që vlen, është ambienti i bukur me njerëz pozitivë.

Në fund të fundit përveç asaj që hamë, na duhet edhe të qeshi pak kamerieri kur vjen në tavolinë, se s’po shkojmë për hall.

Heri më ngjall një ndjesi qetësie kur e shoh. Merakli dhe maniak pas pastërtisë, gatimit e shërbimit. Këta njerëz që janë kthyer në vendin e tyre për të investuar në diçka që vlen, meritojnë respektin maksimal të të gjithëve.

Tek “New York Grill” kam shkuar dhe shumë herë të tjera që prej asaj dite. Nga sugjerimet e mia, e kanë vizituar dhe shumë miq të mi që kanë bredhur botën e që janë të apasionuar pas ushqimit. Të gjithë janë super të kënaqur.

Tani që vjen dhe vera mund të shijoni pishinën jashtë.

Ose nëse keni ndonjë sebep, në katin e dytë të ndërtesës ndodhet një si dhomë private e veshur me dru, që mban deri në 30 veta.

Edhe aty ka oxhak e ndihesh si në shtëpi. Kur të shkoni bëni një prenotim më parë, se s’i dihet a ka vende në fundjavë. Por për pak qetësi unë zgjedh të shkoj ditë jave. Pres të shoh perëndimin, e pastaj yjet.

Ah Surreli, se paskemi njohur se çfarë fsheh! Faleminderit Heri dhe njerëzit si ty, që dinë t’i bëjnë hyzmet punës./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.