Nishani i përgjigjet Ramës për dekretimin: Ti nuk e njeh Kushtetutën
Dritare.net
Presidenti Nishani i është përgjigjur akuzave të kryeministrit Rama për mosdekretimin e dy ministrave të rinj, Arben Ahmetaj dhe Milva Ekonomi.
Nishani tha në një prononcim për “TV Klan” se ai do të respektojë vetëm Kushtetutën e vendit, duke i kujtuar kryeministrit se e ka shkelur atë disa herë dhe nuk e respekton.
“Një Kryeministër, i cili ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën e vendit, kjo e konfirmuar përmes vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Nuk besoj se e njeh mirë Kushtetutën e vendit. Natyrisht që detyra e Presidentit është që të konsultohet me Kushtetutën, është që të kërkojë interpretimin e Kushtetutës dhe unë këtë do të bëj dhe po bëj, sepse unë i përkas atij grupi njerëzish, të cilët e konsiderojnë punë e shtetit, punë serioze. Gjithçka do të bëhet në bazë të ligjeve, në bazë të Kushtetutës se vendit dhe në bazë të seriozitetit, që meritojnë qytetarët shqiptarë dhe shteti shqiptar”, deklaroi Nishani.
Kryeministri Rama u shpreh një ditë më parë se nuk ishte e nevojshme që ai të bisedonte me Presidentin për dekretimin e ministrave, duke thënë se Presidenti bisedon me kushtetutën, kushtetuta me presidentin dhe pasi merren vesh bëhet dekretimi.
Parlamenti nuk i hodhi në votim dy dekretet e kreut të shtetit për shkarkimin nga detyra te Canit dhe Ahmetajt. Ata pritet të votohen njëkohësisht me dekretet për emërimet e Ahmetajt tek Financa dhe Ekonomit, tek Ekonomia.