Niko Peleshi, në një rrëfim ndryshe: Pse zgjodha të jem pjesë e skuadrës së Ramës

Niko Peleshi është i pari i listës së PS, për qarkun e Korçës. Pas rolit si i pari i qytetit, rikthehet në vendlindje për të kërkuar votat për në parlament.

Si një njeri që e njeh mirë Korçën, njeh njerëzit, njeh problematikat e tyre, mendon edhe se ka zgjedhjet e duhura. Ai e di çfarë i duhet këtij qyteti dhe po punon fort që ato të realizohen.

Peleshi thotë në këtë intervistë për dritare.net, se për Korçën nuk ka bërë asgjë më shumë, se çdo të bënte çdo korçar. Thotë se ka pasur mundësi më shumë, prandaj edhe ka bërë më shumë. Por akoma më shumë do të bëjë në të ardhmen, për njerëzit, për Korçën dhe për gjithë Shqipërinë.

Intervistoi Dritare.net

 Dritare.net- U larguat nga Korça për t’u bërë zv/kryeministër dhe riktheheni sërish për tu bërë deputet. Si ju duket ky rikthim, si i pari i listës së PS?

Është e vërtetë që nuk ka qenë një vendim i lehtë ndërprerja e mandatit të kryebashkiakut, por nga ana tjetër po aq sfidues, interesant dhe i parezistueshëm, ishte oferta e kryeministrit Rama, për të qenë përkrah tij në kabinetin e dalë nga zgjedhjet e 2013.

Ngushëllimi që gjeja te vetja në ato momente të vendimmarrjes ishte që po shkoj në një pozicion ku do të kem mundësi, të jap kontributin tim modest për gjithë Shqipërinë, dhe Korça është pjesë e saj.

Emocionin e veçantë që më lidh me Korçën, si gjithkënd me vendlindjen unë e kam përballuar në këtë mënyrë. Doli ashtu siç mendoja.

Dritare.net- Keni qenë numri 2 i qeverisë dhe njeriu më i rëndësishëm pas Ramës. Si ka filluar puna me Ramën? Është e vërtetë që ju shumë për zemër ju dhe Korçën?

Edi Rama ka për zemër çdo gjë që ndryshon dhe është e bukur. Korça ka ndryshuar sidomos në vitet e fundit, jashtëzakonisht dukshëm, siç ka ndryshuar Vlora dhe Fieri.

Dritare.net- Vlora ka pasur shumë kritika për Lungomaren.

Çdo punë transformuese ka shumë kritika. Për mua personalisht, nëse nuk ka kritika do të thotë se nuk po lëviz, nuk po ndryshon gjë. E kam provuar edhe në eksperiencën time si kryetar bashkie në Korçë, bëmë disa lëvizje transformuese të forta, zemra e  qytetit u kthye në një pedonle dhe ky ishte një ndryshim shumë i madh i ritmit dhe trafikut me të cilin ishin mësuar qytetarët dhe natyrisht është përballur me rezistencë. Kur ka rezistencë, është sinjal për një politikan, drejtues apo administrator, që diçka e re është duke ndodhur. Këtë besoj e ka vërtetuar tani Vlora, pasi gjithë shqetësimi apo skepticizmi i vlonjatëve është shuar me përfundimin  e punimeve.

Dritare.net- Nëse PS fiton zgjedhjet, ju do ta lini mandatin e deputetit për një post ministror?

Unë do të zbatoj çdo vendim politik të kryetarit dhe kryesisë së partisë. Nëse më pyesni sesi e quaj këtë vendim që u mor mandatin e kaluar, pra pajtueshmëria mes mandatit të deputetit dhe mandatit të ministrit, unë e quaj një qasje të drejtë. Kjo e bën ministrin të fokusohet te puna ekzekutive, pa e ndarë punën dhe kontributin e vet me atë legjislativ. Po të pyetesha unë, do të isha dakord që kjo të vazhdonte edhe në mandatin e dytë.

Dritare.net- Çfarë ministrie do të donit të drejtonit?

Për mua ka rëndësi të jem pjesë e një skuadre që punon fort për ndryshimin, që çdo ditë të jetë më e mirë sesa dita e kaluar. Është e vërtetë, mbase edhe si sëmundje profesionale nga koha e Bashkisë, kam qejf të bëj punë konkrete. Pra, të ideoj projekte dhe t’i shoh të realizuara. Për sa kohë jam në një skuadër, në çdo lloj pozicioni, e cila unë kam bindjen dhe besimin, duke filluar nga kryeministri  Rama, e ka raportin jo me sa pushtet dhe vota mbledh dhe sa elektorat mban rreth vetes, por si do të shkruaj historia për këtë periudhë që po punojmë. Unë ndjehem mirë dhe i kënaqur me veten dhe të plotësoj misionin që i kam vënë vetes për të punuar dhe për të ndryshuar jetën e të tjerëve.

Dritare.net- Ju thoni se do të merrni 71 mandate. Por, nëse do të lindë nevoja e një koalicioni, do jetë LSI sërish pjesë e qeverisë? 

Ky është një vendim që nuk e marr unë, por nëse më kërkoni një konsideratë lidhur me ambicien tonë për të marrë 71 mandate, unë do të thosha se nuk është një ambicie për të pasur sa më shumë pushtet. Gjesti i Edi Ramës është shumë kuptimplotë, pra marrëveshja që arriti me Lulzim Bashën dhe PD, ku lëshoi pushtet, disa ministri që opozita i kërkoi si garanci për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Nga perceptimi që kam në fushatë, bazuar edhe në sondimin e opinionit publik, PS po shkon drejt një qeverisje e vetme dhe me më shumë se 71 mandate. Por këtë vendim nuk e marrim ne, e marrin qytetarët. Nëse nuk i marrim 71 mandate, do të thotë se shqiptarët nuk duan të qeverisen nga programi i një partie. Kjo nuk do të ishte e mirë dhe ne nuk do të lodhemi deri ditën e zgjedhjeve, duke ju apeluar qytetarëve të kuptojnë, se kush është ndryshimi ndërmjet kompromentimit të programit tonë politik, nëse do të ishim në koalicion me parti të tjera dhe zbatimit të programit tonë të plotë, nëse do të qeverisnim të vetëm.

Dritare.net- PD ka zgjedhur një grua për të drejtuar listën në Korçë. Si ju duket fushata që po bën Valentina Duka dhe a është zgjedhja e duhur nga ana e Bashës?

Kam marrë pjesë në disa fushata politike dhe lokale, jo sepse e kërkon rasti, por për hir të së vërtetës asnjëherë nuk i kam shpallur luftë kundërshtarit politik me të cilin kam qenë në zgjedhje. I kam shpallur garë problemeve dhe kam sfiduar problemet që janë për t’u zgjidhur. Nuk e kam kthyer kokën mbrapa për të parë kush është kundërshtari, por gjithsesi nuk jam fare i painteresuar për listën dhe kualitetin e listës. Jam i interesuar për të kuptuar se çfarë ndodh me opozitën dhe kush është e sotmja dhe e ardhmja e saj. Sa i përket emrit që drejton listën e PD, nuk njoh kontributin politik, por pjesën e kontributit profesional e kam ndjekur pak nga larg përmes medias dhe e çmoj.

Dritare.net- Disa nga çështjet më të debatuara gjatë qeverisjes Rama, kanë qenë kanabisi dhe vettingu. Mendoni se këto çështje janë të mbyllura, apo edhe gjatë 4 vjetëve të ardhshme do të mbeten të pazgjidhura dhe do të pengojnë integrimin e Shqipërisë?

Për çështjen e kanabisit jam krenar që kam drejtuar punën, pas urdhrit të kryeministrit Rama, për ngritjen e komunitetit ndërministror, i cili përfundoi me sukses një plan veprimi kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Ky plan po zbatohet tani nga institucionet shtetërore dhe vendore, task forca qendrore dhe shtetërore, e ngritur për këtë qëllim. Siç janë shumë të njohura edhe rezultatet.

Dritare.net- Por sërish po kapen sasi të mëdha droge.

Fakti që po kapen sasi droge do të thotë se kanabisi është në grahmat e fundit në vendin tonë. Unë nuk besoj se Shqipëria do ta ketë më problem të vetin. Është një betejë që do ta fitojmë gjatë këtij viti. Puna e nisur nga ministri Tahiri dhe e vazhduar sipas këtij plani nga Xhafaj, kishte një qasje më integrale, që përfaqësonte të gjitha institucionet, qendrore, vendore, të drejtësisë, shërbimet informative. Të gjitha i ulëm në një tavolinë dhe kjo i dha mundësinë ministrit pasardhës që ta fuste në veprim këtë plan veprimi, për të cilin jam shpresëplotë, që do ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e vendeve problematike.

Sa i përket Vettingut, është hedhur një hap shumë i rëndësishëm. Fakti që ka rezistencë tregon se kjo është rruga e duhur. Nuk na gënjen mendja që do ta çojmë të qetë reformën në drejtësi dhe të pashqetësuar, se përndryshe nuk do të quhej reformë. Nga ana tjetër, në subkoshiencën e çdo shqiptari dhe të atyre që nuk e duan me mendje Vettingun, në subkoshiencë e kuptojnë se rrota e historisë nuk mund të kthehet mbrapa.

Dritare.net- Ekziston perceptimi, që edhe pse keni qenë zv/kryeministër përsëri keni punuar për Korçën, më shumë se kryebashkiakët e qyteteve të tjera. Sa i vërtetë është ky perceptim?

Ajo që është e vërtetë, është se në Korçë punët kanë më shumë duk sesa në disa qytete të tjera, për arsye se Korça i pati zgjidhur problemet e mëdha bazike para se PS të vinte në pushtet, ende të pazgjidhura për qytete të ndryshme të Shqipërisë, siç janë ujësjellësi, kanalizimet apo shtrimi i rrugëve. I zgjidhëm me një punë shumë të madhe dhe të vështirë, sepse në atë kohë nuk kishim një qeveri miqësore, siç është sot qeveria Rama me të gjitha bashkitë e majta apo të djathta. Hymë në programin e Rilindje Urbane, ndryshe nga shumë qytete, me nëntokën e zgjidhur. Çdo investim në Korçë u bë mbi sipërfaqe dhe ishte më i dukshëm.

Nëse Korça është më e bukur, kjo është pjesë e trashëgimisë, është meritë e brezave të kaluar që na dhanë një qytet karakteristik, është meritë e brezit pas ’90 që me gjithë tallazet që frynë këtu, e ruajti qytetin, nuk e dhunoi. Ka shumë pak zona informale. Në dy tre zona të vogla informale në periferi të qytetit, është ndërtuar pa leje, por me studim urbanistik nga vetë banorët. Kjo qytetari dhe problemet e zgjidhura të nëntokës, kanë krijuar perceptimin se në Korçë është investuar më tepër. mundësia, për të gjithë Shqipërinë.

LEXO DHE :  Kryemadhi: Fati i zi i Ramës, do bëhet edhe më i zi!

Dritare.net- Zhvillimi dhe transformimi i Korçës është lidhur gjithmonë me emrin tuaj. Ju bën kjo më shumë përgjegjës?

Besoj se çdo korçar i mirë dhe çdo qytetar i mirë do të bënte të njëjtën gjë si unë. Por, unë e njoh dhe jam krenar për transformimin e qytetit, po aq sa jam i interesuar për vazhdimin e punës. Shpesh herë unë përmend fjalën, ‘kush do të jetë hapi tjetër’, sepse nuk preferoj të ndalem asnjëherë. Korça dhe Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe nuk do të vijë dita ta themi ‘prit të ndalemi pak, sepse kemi ecur shumë shpejt. Vendet e tjera kanë vrapuar, ndërkohë që ne kemi qenë për shumë kohë në vend numëro. Kjo që ka ndodhur në Korçë nuk është zgjidhja e të gjitha problemeve. Unë e njoh problematikën shumë të fortë të nevojës për punë, të mirëqenies dhe sfida jonë e re, imja personale dhe e njerëzve që jetojnë këtu, nuk e kam fjalën vetëm për Korçën si qytet, por në këtë zonë të Juglindjes, nga Pogradeci, Devolli, Maliqi, Pusteci i Vogël, Korça natyrisht dhe deri në Leskovikun dhe Kolonjën e largët, kemi sfidën për të mundur papunësinë, varfërinë  dhe për të sjellë mirëqenien në çdo familje.

Një qytet i bukur është diçka, por nuk është gjithçka. Mund të krijohen premisat për një ekonomi të mirë lokale, por nuk mjafton. Ndaj gjithë programi i qeverisë për të mbështetur fermerin, për të ulur koston e prodhimit, paketa e fasonit, ku vijnë sinjale të mira, kam parasysh një kompani gjermane që po punon për një projekt për hapjen e 1000 vendeve pune, në prodhimin e kabllove elektrikë të makinave për kompani të mirënjohura në botë. Të gjitha këto politika tani janë më të rëndësishme se programi i Rilindjes Urbane, që na dha Korçën që kemi sot dhe po transformon  fshatrat dhe qytet përreth. Sfida më e re, është lufta kundër varfërisë dhe papunësisë. Nuk do të ndalem asnjëherë dhe nuk do të kënaqem me ç’ka kam arritur, por do të punoj me ekipin që Korça të jetë po aq e punësuar sa edhe e bukur.

Dritare.net- Çfarë projektesh keni për zhvillimin ekonomik të këtij qyteti?

Kjo zonë e juglindjes, vazhdon të jetë larg metropolit të Shqipërisë siç është Tirana, larg portit të Durrësit, ndaj projektet e konektivitetit janë shumë të rëndësishme dhe në planet tona prioritare për t’i zbatuar në këtë mandat. Brenda një viti, kështu është grafiku, do të përfundojë rruga që lidh Qukësin me Qafë-Plloçën, që shkurton rrugën Korçë- Tiranë me gjysmë ore. Kjo është një kontribut për një ekonomi më të mirë, pasi do të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve.

Kolonja ka potenciale të jashtëzakonshme, por vazhdon të jetë 1 orë larg nga Korça. Leskoviku është në distancë kohore, pothuajse sa Tirana. Pra, konektiviteti ka nevojë të përmirësohet.

Dëshiroj të bëj të njohur edhe një projekt tjetër madhor, ballkanik. Një studim i filluar tashmë edhe nga pala greke, por edhe ne e kemi futur në projektet tona, që është lidhja hekurudhore me Greqinë, nga Kosturi, Kapshtica, Korça, Pogradeci. Kalimi i hekurudhës në këtë rajon, do të ishte një përmirësim të flukseve të njerëzve dhe mallrave, që do të thotë më shumë ekonomi.

Po ashtu, kemi bërë shume për qytetet dhe mendojmë që këtë zhvillim urban ta çojmë edhe te fshatrat. Natyrisht kjo nuk është shumë e dukshme, pasi një paketë prej 20 milionë euro ka filluar të implementohet në Shqipëri, por nuk është e mjaftueshme. Ndërkohë kemi rënë dakord për të filluar brenda këtij viti, një program me 100 milionë euro, në bashkëpunim me Bankën Botërore, për gjithë Shqipërinë, të dedikuar për rrugët rurale. Në këtë mandat do të ketë një bum investimesh për rrugët lokale, çka do t’i afrojë banorët e fshatrave me të qyteteve. Shumë banorë të fshatrave i mungojnë qytetit, jo vetëm si kapacitete njerëzore, por edhe si kapacitete ekonomike dhe financiare.

Dritare.net- Po ndërtimi i aeroportit, kur do të nisë?

Aeroporti është ëndrra jonë, por nuk është vetëm ëndërr. Për pak javë përfundon studimi i vizibilitetit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Bëhet fjalë për aeroportin e Korçës në Lumalas, atje ku ka qenë fluturimi i parë në vitin 1924, sepse aeroporti i parë në Shqipëri është ndërtuar pikërisht atje.

 Dritare.net- Po mendoja se pse duhet një aeroport. Arsyeja është sepse atje ka qenë një i tillë?

Jo, nuk është arsyeja që këtu ka qenë një aeroport dhe duhet të jetë sërish. Unë jam edhe në shumë aspekte të tjera kundër filozofisë, meqenëse ka qenë, duhet të jetë. Po jap argumentet pse aeroporti në Korçë është fizibël. Korça ka shumë emigrantë, kryesisht në Athinë dhe Selanik dhe përditë autobusë që udhëtojnë atje.  Nga llogaritjet paraprake, sikur të konsideronim vetëm çmimin e autobusit, kjo do ta bënte të leverdishëm fluturimin nga aeroporti. Këto flukse janë shumë të shpeshta dhe besojmë se do të rezultojë një projekt fizibël.

Po punojmë edhe për një projekt për Nikolicën, një fshat pranë Dardhës. Nikolica do të bëhet po aq e njohur sa Dardha sepse falë një bashkëpunimi me GIZ-in gjerman, ne kemi bërë një studim të mrekullueshëm për resortin e parë dimëror që do të ndërtohet atje. Është një studim që parashikon në afatgjatë, ndërtimin e 56 km pista skish. Kur kjo të bëhet realitet, do të jetë pista më e madhe në Ballkan, por vetëm faza e parë që synojmë ta fillojmë brenda këtij viti, është 14 km, për referencë, pra sa Kolashini. Ky studim, parashikon në variantin e vet modest, 45 mijë vizitorë në vit.

Dritare.net- Ndërtimi i Kullës së Korçës është kritikuar shumë se prish pamjen dhe urbanistikën e qytetit. Nëse do të ktheheshit pas, do ta ndërtonit sërish?

Kulla është ndërtuar në periudhën pasi unë jam larguar nga Bashkia, por ky nuk është justifikim. Kur kryetari i Bashkisë më ka pyetur, se si dukej ai projekt, për hir të së vërtetës më është dukur jashtëzakonisht i bukur dhe nga pikëpamja arkitekturore, në raport me shijet estetike që unë kam, gjithmonë subjektive, ndaj nuk gjykoj askënd që nuk e shikon siç e shoh unë. Jam i kënaqur që pati atë debat për kullën, pasi i solli Korçës shumë vizitorë. Shumë njerëz vinin të shihnin sa e shëmtuar është Kulla dhe pastaj zhgënjeheshin pozitivisht, por vetëm pasi kishin paguar biletën për t’u ngjitur. Besoj se Kulla i ka nxjerrë lekët e veta.

Ishte një investim shumë modest, përtej të gjithë spekulimeve të zërave jo dashamirës që thoshin se ka kushtuar 2 milionë euro. Ka kushtuar 20 milionë lekë dhe besoj se i ka nxjerrë lekët, nga vizitorët e shumtë, sidomos në fundjavë. Nga pikëpamja estetike, unë do te them vetëm diçka. Kulla është shenja se ky qytet nuk ka forcë vetëm të mirëmbajë dhe të pastrojë pluhurin e asaj çka prodhuan brezat e shkuar, por ka forcë të ndërtojë dhe të guxojë të krijojë dhe të japë shenjën se ekziston një fuqi krijuese për të ndërtuar qytetin e së nesërmes dhe jo vetëm për të pastruar nga pluhuri qytetin e së djeshmes.

Dritare.net- Kam dëgjuar se në stafin tuaj keni marrë vetëm njerëz nga Korça. Është çështje strategjie apo besimi?

Unë nuk kam pasur një staf shumë të madh, pasi nuk kam pasur një portofol. Kam pasur 4 këshilltarë, 2 prej tyre nga Korça. Natyrisht që në stafin e ngushtë, njeriu do të punojë me njerëz të cilët i ka provuar më parë në punë. Kjo është arsyeja që kam marrë me vete edhe bashkëpunëtorët e mi 2-3, sepse nuk kam pasur kohë të eksperimentoj. Kam dashur të punoj që ditën e parë me marshin e pestë, me kapacitet të plotë, ndaj edhe nuk humba kohë duke kërkuar.

Dritare-net- Në fund, një pyetje për vajzën tuaj, Aleksian. Shpesh e shohin në portalet rozë si modele, jeni dakord me drejtimin që ka zgjedhur?

Nuk është një drejtim i zgjedhur, por pati një sukses pasi u përzgjodh nga një intervistë italiane për të qenë në kopertinë. Aleksia prezantonte historinë dhe etnografinë shqiptare. Nuk është se merret plotësisht me modelin. Edhe nëse do të merrej ose do të merret, ndonëse nuk e them këtë shumë me zemër, por me mendje e kuptoj që unë nuk duhet të ndërhyj te dëshirat dhe ambiciet e saj. Ajo tani është 16 vjeç, por jam i sigurt se edhe kur të bëhet 26 do të dua ta trajtoj si fëmijë, por nuk do ta bëj asnjëherë, sepse besoj shumë te liria./dritare.net

 



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.