Niccolò Ammaniti: Për të qenë shkrimtar, duhet që në radhë të parë të jesh lexues

Nga Rudina Xhunga

Ajo çfarë kujtoj më shumë nga intervista me Ammaniti-n, është rruga e gjatë për ta takuar. Gjithë kohën ndryshime plani. Botuesja e tij italiane komunikonte me botuesen shqiptare, Arlindën dhe kërkonin një vend tjetër, një orë tjetër. Kur lexoj ndonjë intervistë të bukur, në fund mendoj gjithmonë sa me fat është intervistuesi. Për kë ka takuar, për çfarë ka dëgjuar. Madje edhe tani që intervistoj vetë, nuk arrij të imagjinoj prapaskenën, ndërsa lexoj intervista të bukura. Sepse në fakt refuzoj ta shoh prapaskenën. Ndaj edhe nuk më pëlqen të tregoj për peripecitë që paraprijnë një intervistë. Në fund të fundit, ato nuk i duhen kujt, madje as mua. Produkti është intervista. Vetëm ajo vlen. Pavarësisht avionëve, trenave, metrove, që ndërron, pavarësisht vapës, ngatërrimit të rrugës, pavarësisht parave, pavarësisht gripit, të ftohtit, lodhjes dhe pavarësisht teje, në fund ajo që mbetet është intervista që realizuam më mars 2012, Romë.

Dritare.net: Kjo intervistë ishte planifikuar të bëhej në Pitigliano.

Vendi ku rri zakonisht, në fshat, në Toskanë. Është një shtëpi në mes të fushave ku jetoj prej disa vitesh. Vij herë pas here në Romë, por zakonisht rri atje, sepse jam më i qetë dhe arrij të shkruaj më mirë.

Dritare.net: Nuk jetoni më në Romë? E keni lënë qytetin e lindjes?

E gjithë puna ime është në Romë, ndaj dhe jam i detyruar të vij shpesh. Por sapo mundem, kthehem në fshat.

Dritare.net: Në një intervistë tuajën kur krahasonit Romën me Londrën, dukej sikur Londra ishte dashuria juaj e re.

S’është e vërtetë që nuk e dua Romën. Është qyteti që më ka formuar e ku kam lindur, ku kam qenë gjithnjë. Kam lindur në Romë e jam rritur në Romë. Për mua, Roma është thelbësore. Ka qenë pikërisht Roma, njerëzit që kam takuar aty, shkolla që kam bërë, miqtë, por edhe duke shëtitur nëpër Romë, kam marrë nxitjen për gjërat që kam shkruar. Edhe pse kam folur për vende të tjera. Është si një grua me të cilën ke kohë që rri, të cilën e do shumë, por që në një farë mënyre është thjesht dashuri, por s’ka më sensualitet. Me kalimin e kohës, lëviza dhe shkova të jetoj në Londër e vende të tjera. Por Roma mbetet qendra e ekzistencës sime.

Dritare.net: Vërtet Londra ju duket sensuale?

Jo, por njerëzit aty janë të sjellshëm, kanë shumë humor. Kanë aftësinë ta shohin botën në mënyrë shumë ironike. Janë shumë të rregullt, të saktë, por në të njëjtën kohë edhe gjenialë në disa gjëra. Nëse në njërën anë kanë diçka të përbashkët, atje gjithsecili është ndryshe nga të tjerët. Moda duket se është më pak e rëndësishme se në pjesën tjetër të Italisë, ku në një farë pike, del në modë diçka e të gjithë vishemi në të njëjtën mënyrë, blejmë të njëjtat gjëra, mendojmë të njëjtat gjëra.

Dritare.net: Si është Italia e sotme, pas Berluskonit?

Berluskoni ka vetëm pak kohë që është larguar, ndaj është një situatë e re edhe për ne. Ka qenë për 20 vjet i pranishëm. Ka fëmijë që kanë lindur gjatë kohës së qeverisë së Berluskonit, janë rritur me të. Berluskoni ka lënë një gjurmë thelbësore në këtë vend. Kjo politikë nuk funksionoi, bëri që Italia të bënte hapa mbrapa nga ana ekonomike, e ngjarjet personale të Berluskonit dukeshin më të rëndësishme se gjithçka tjetër që u ndodhte italianëve. Tani situata sikur ka ndryshuar. Është herët për ta thënë, por përballë një situate të tillë, kanë ardhur njerëz që po angazhohen ta ngrenë Italinë në këmbë, e kjo do t’u kushtojë shumë lodhje atyre që për shumë kohë kanë mbyllur sytë për të mos parë situatën e vërtetë. Por tani erdhi e vërteta, dhe është e ashpër.

Dritare.net: Megjithatë, më mirë të flasim për librat se për politikën. Flasim pak për “Unë nuk kam frikë”. Ju kanë krahasuar me Leonardo Shashën. Kanë thënë shumë gjëra për këtë libër, por të gjitha të mira. Jeni ndjerë mirë prej këtyre?

Sigurisht që më bëhet qejfi. Ideja është të qëndrosh me këmbë në tokë e të mos mendosh se gjërat që thonë për ty, përcaktojnë personalitetin tënd. Lëvdatat që të bëjnë, s’duhet të të bëjnë të ndihesh tjetër njeri. Njeriu duhet të mbetet njësoj. Sigurisht që pëlqimi, për një shkrimtar që do të përcjellë diçka, është shumë i rëndësishëm. Siç është e vërtetë dhe kur bën diçka që e di, pak më pas mund të bësh një gabim e të harrohet. Duhet të mësosh ta menaxhosh suksesin e të vazhdosh një rrugë tënden, një rrugë me gjëra të nevojshme, gjëra që i bën për veten e jo për të tjerët. Nëse e bën për vete, të tjerët e kuptojnë…

Dritare.net: Po kur suksesi të lë?

Unë them se ky është një problem i çdo lloj pune, jo vetëm me shkrimtarët. Çfarëdo suksesi të arrish, në një farë pike do të mbarojë, do të kalojë, sepse do të plakemi, do të humbasim frymëzimin. Shumica e talenteve të mëdha janë shprehur si duhet në rini, e pastaj në moshë të thyer kanë nisur të bëjnë e thonë të njëjtat gjëra. Kanë humbur kthjelltësinë. Njeriu duhet të jetë i ndërgjegjshëm që ka një degradim të mendimit, e që kjo mund ta detyrojë të bëjë gjëra më pak interesante. Por në të njëjtën kohë mund të kultivojë pasione, ose nevoja që shkojnë përtej kësaj. Nëse mendon vetëm për punën tënde, duhet në një farë pike të bësh llogaritë edhe me humbjen e suksesit. Ndaj do të të duhet të kesh diçka tjetër që të jep kënaqësi, si të shëtitësh, të mbash qen, të gatuash, të lexosh, të dëgjosh muzikë.

Dritare.net: Ju përfytyroja si dikë që mban qen.

Në fakt, më pëlqejnë shumë kafshët. Kam qen me të cilët udhëtoj, por kur nisem për udhëtime të gjata, nuk më pëlqen t’i fus në avion. Kështu që ndodh që kur shkoj në Angli, e bëj rrugën me makinë që të marr dhe qentë me vete. I kam gjithnjë. Sot s’i kam, sepse kanë mbetur në fshat. Por i kam pothuajse gjithë kohën me vete.

Dritare.net: Unë kam frikë nga qentë.

Frika lind nga një marrëdhënie e keqe. Lidhet shpesh me dyshimin. Dyshohet që ajo qenie që është ndryshe nga ne, na lëndon. Gjë që ndodh, sepse jo të gjithë qentë janë të mirë. Frika juaj e pabazuar ngjan me frikën e protagonistit të “Come dio commanda”. Ai në thellësi ka frikë nga të gjithë emigrantët që përpiqen të futen në vendin e tij. S’do as t’i shohë. Si një qen i lidhur me zinxhir, që kur sheh dikë që s’e njeh, ka frikë fillimisht vetë, e s’përpiqet të kuptojë se cilat mund të jenë nevojat, mundësitë për t’u integruar midis njerëzve, që të rriten mes tyre. Për mua, këto frika kaq irracionale mund të mbyten. S’po them për rastin tuaj, por mund të shërohet një racizëm, një ksenofobi.

Dritare.net: Frika nga emigrantët është diçka që vijon në Itali?

Italia është një vend që ka vetëm 30 vjet që ka njohur një emigrim të vërtetë, nga njerëz që vinin në Itali. Në fillim është një trup i huaj, sikur s’e njeh. Ka një tjetër mënyrë të të folurit, aspekte të ndryshme, dhe normalisht krijohen konflikte. Pastaj, dalëngadalë, shoqëria nis të integrohet. U jepen shqiptarëve punë që italianët s’janë të gatshëm t’i bëjnë, pastaj dalëngadalë shqiptarët marrin më shumë pushtet, nisin të gjejnë punë, të rriten, edhe nga ana shoqërore. Duhet shumë kohë. Dhe është shumë e vështirë. Them se në të vërtetë ky proces po ndalohet pak, sepse Italia po përjeton një krizë të madhe ekonomike. Jo të krahasueshme me atë që është në Shqipëri, por kur vuan një krizë ekonomike, të parët që përjashtohen janë ata që s’janë italianë.

Dritare.net: Në letërsinë tuaj ka shumë përditshmëri, jetë, politikë.

Unë nuk e di me saktësi ç’është letërsia. Unë tregoj histori e besoj se ato e tregojnë më mirë se kushdo një situatë shoqërore. Janë libra që tregojnë për një vend, zhvillimin e atij vendi, idetë e reja, nevojat e njerëzve dhe ëndrrat. Mendoj se shpesh, ndodhin gjëra të tmerrshme të përgjakshme, si ato të kronikës së zezë, si fëmijë që vrasin prindër apo anasjelltas. Për këto ka psikologë e sociologë që na shpjegojnë se çfarë ndodh. Unë mendoj se letërsia e tregon më mirë, sepse na vë në vendin e njerëzve të tjerë që shpesh janë larg. Sepse ka një ndjenjë të përbashkët te kushdo, edhe tek një vrasës, të cilën mund ta njohim tek vetja. Letërsia duhet të merret me jetën, duhet të na ndihmojë të vihemi në pozitën e dikujt tjetër. Të ndiejmë gjënë e përbashkët që është midis nesh dhe personazhit, që mund të jetë tani dhe edhe pas 600 vjetësh, pa ndryshuar asgjë. Unë them që shumë shpesh, fakte të kronikës së zezë që lexojmë nëpër gazeta, dy rreshta ku tregohen dy gjëra, pa ditur se kush është vrasësi, bëhen çështje kombëtare. Por shpesh, në ato paragrafë të vogla, fshihen histori të mëdha: pasione, dhimbje, heshtje, të njerëzve që kanë urryer dikë tjetër, sepse janë tallur apo për shumë arsye të tjera. E gjitha kjo mbahet e fshehur, dhe njerëz që në dukje janë normalë mund të shndërrohen papritur në vrasës të tmerrshëm, apo çfarë mund të ndiejë dikush që ka një jetë të lumtur, por rastësisht, shtyp papritur dikë me makinë dhe vendos t’ia mbathë. Të gjitha këto ndjenja që vërshojnë përbrenda e s’arrin t’i shprehësh, për mua janë interesante, baza e tregimeve të mia. Si ndihesh në kushte që s’janë normale, duke qenë njeri i zakonshëm?

Dritare.net: Duke ju lexuar shikon se jeni shumë i tërhequr nga atmosfera e fëmijërisë. Mendoni se lë gjurmë për gjithë jetën?

Unë mendoj se po. Fëmijëria është thelbësore, por mbase më e rëndësishme është adoleshenca, ai kalim i ndërlikuar nga të qenit fëmijë në të qenit i rritur, e në të cilën, në një farë mënyre, nisin të ndryshojnë marrëdhëniet e mëdha. Prindërit bëhen më pak të rëndësishëm, ndërsa grupi shoqëror merr më shumë rëndësi, ajo që je ti, shtresa jote shoqërore, ajo që do të bëhesh, frikërat që ke. Do t’u ngjash të tjerëve, por do të ruash dhe identitetin tënd. Një shndërrim i vërtetë, pothuajse si një larvë që kthehet në bretk. Unë mendoj që, të paktën sipas përvojës sime, ka qenë një çast shumë i rëndësishëm. Dhe shpesh më rastis të tregoj histori rrotull asaj periudhe, sepse është adoleshenca që vendos për ne, për atë që do të jemi, nëse do t’i dëgjojmë të tjerët, nëse do të kemi frikë, nëse do të jemi bujarë. Them se në përfundim, ajo është periudha më e rëndësishme. Është e qartë që fillimisht është fëmijëria, e cila e kushtëzon këtë ndryshim. Por s’është e thënë që një fëmijëri e lumtur mund të na kthejë në njerëz të lumtur. Mund të ndodhin gjëra, mendime, ose fiksime që na kthejnë në njerëz të pakënaqur. Adoleshenca është periudhë e vështirë, në të cilën braktisim një vend të sigurt, që është vendi i familjes, për t’u përballur me të tjerët. Për të pasur një rol në një klasë, ku ka banka, ku është një lider, ku ka të nënshtruar. Për të parën herë duhet të angazhohesh për të treguar veten, duke pranuar rregulla të cilat i kanë vendosur të tjerët. Kjo është e vështirë. Për të gjithë besoj se ka qenë pak a shumë një periudhë e ndërlikuar.

LEXO DHE :  Vjeshtë/ Disa ide fantastike, si ta dekoroni shtëpinë me kavanoza!

Dritare.net: Sot u takuat me Bernardo Bertoluçin, me të cilin po bashkëpunoni për filmin që ka për skenar librin tuaj. Si është të punosh me Bertoluçin?

Është shumë interesante. Jam shumë i kënaqur që ai vendosi të bëjë një film nga “Unë dhe ti”. Është njeriu që ka përjetuar shumë, ka bërë kryevepra dhe ka shndërruar kinemanë e botës. Duke i ndenjur pranë, është diçka shumë interesante. Ajo që të godet, është që ai është 70 vjeç dhe ka një kureshtje adoleshenti. Do të kuptojë, të njohë, dhe kjo e bën ende të ri. Për mua është diçka e mrekullueshme.

Dritare.net: Çfarë u bëjnë librat filmave?

Filmat ndonjëherë u bëjnë keq librave, ndonjëherë mirë. Varet. Është marrëdhënie shumë e ndërlikuar. Është e ndërlikuar për një shkrimtar të paraqitet në kinema, sepse puna e shkrimtarit është shumë vetmitare. Do të rrish vetëm e të shkruash vetëm, por në një farë pike është e vështirë t’i bësh gjërat të lexohen teksa po shkruhen. Lexohen deri në një farë pike. Sepse kur i lë të lexohen gjatë procesit të shkrimit, në një farë mënyre është sikur ti e mbaron aty atë histori, e pastaj s’ke më fuqi ta nisësh. Është si të jesh duke rritur lule, dhe për t’ia treguar dikujt, i këput dhe i kthen në vend. Kur bëhet një film dhe nis të bashkëpunosh me të tjerët, në përgjithësi është shumë argëtuese për një shkrimtar. Sepse ka shumë njerëz me aftësi të ndryshme, me zanate të ndryshme, që bashkëveprojnë për të bërë diçka që në fillim s’është, që është shkruar vetëm në letër, e pastaj kthehen në aktorë, drita, vende. Është e mrekullueshme. Është e vërtetë që nëse nuk tradhtohet vepra, për hir të filmit, funksionon. Edhe pse, shkrimtari në njërën anë është i kënaqur, por në tjetrën vuan. Është marrëdhënie e ndërlikuar.

Dritare.net: Ju pëlqen të jeni në vendet ku do të realizohet ajo që keni shkruar?

Jo shumë, të them të drejtën. I shmang vizitat në skenat e xhirimit, sepse kur dorëzon librin, është si të dorëzosh fëmijën. Është një lloj birësimi. Ia jep dikujt tjetër, e s’do të shohësh se si do ta rrisin, sepse s’ka për të të pëlqyer kurrë. Kështu që është më mirë të mos shkosh. Edhe ti, që s’ke asnjë rol në skenën ku të gjithë bëjnë diçka, ti e ke bërë tashmë atë që duhej të bëje e të gjithë të shohin me dyshim. Kështu që është më mirë të mos shkosh.

Dritare.net: Duket më logjike. E keni provuar ndonjëherë të bllokoheni, të rrini me muaj pa shkruar.

Le të themi që idetë i kam gjithnjë, por ndonjëherë s’kam dëshirë. S’është se s’di ç’të shkruaj. Unë i prodhoj historitë, por ka raste që nuk kam dëshirë. Mërzitem, më duket sikur nuk më pëlqen. Atëherë, duhet të pres. Më ka ndodhur shpesh të kem pasur periudha të gjata kohe kur s’kam pasur dëshirë dhe më dukej e gabuar gjithçka që shkruaja. Por dalëngadalë, është si nevojë. Në një farë pike s’mund të rrish pa shkruar, dhe shkruan. Por ka raste letargjie, kur pret, por ngjarjet rriten brenda teje dhe thjesht ende s’ka ardhur koha për t’i shkruar. Në atë pikë është më mirë të mos shkruash e të bësh diçka tjetër.

Dritare.net: Për sa kohë e keni shkruar “Unë dhe ti”, për shembull?

E kam shkruar në pak kohë, mbase katër ose pesë muaj. Por sepse është libër i vogël. Ndërsa me “Come dio Commanda”, më janë dashur gati 5 vjet.

Dritare.net: Nuk mërziteni pesë vjet me një libër?

Jo, mbase lodhem, sepse mendoj që duhej ta kisha mbaruar më herët. Por është një projekt i madh. Është si të vendosësh një shtëpi të vogël, apo një pallat të madh, një stadium. Është e qartë që të kërkon më shumë kohë. Projekti mund të jetë shumë ambicioz, edhe pse shumë i vogël. S’do të thotë që një gjë e vogël mund të jetë më e shëmtuar se një gjë e madhe. Por për një libër të madh, duhet shumë kohë. Dhe personazhet bëhen aq të gjallë, sa të duken si miq me të cilët një ditë i gjen para kompjuterit, gati për të bërë diçka tjetër. Kështu që i ndjek diku tjetër.

Dritare.net: Si është dita e një shkrimtari?

Unë s’mund të flas për gjithë shkrimtarët. Unë s’jam shumë metodik. Shkruaj në mëngjes, sepse zgjohem herët dhe është çasti kur jam më i saktë. Pastaj, gjatë ditës më bie dëshira dhe e lë. Në çastin e fundit, kur duhet ta dorëzoj, punoj nga mëngjesi deri në darkë. Por në përgjithësi çohem, lëviz, diskutoj me të tjerët. S’kam nevojë për shumë përqendrim. Mund të më mjaftojnë pesë minuta për të shkruar shumë, e pastaj mund të rri dy orë pa shkruar. Është shumë e rastësishme.

Dritare.net: Çfarë ka bërë letërsia për ju?

Letërsia në një farë mënyre më ka shpëtuar. S’është se kam pasur një ide të qartë se ç’doja të bëja në jetë. Doja të studioja biologji, por s’isha shumë i bindur që do të ishte puna ime.

Dritare.net: Nuk ju pëlqente të shkonit në shkollë, të studionit?

Jo, s’kam qenë shumë i zoti në shkollë. I dua shumë kafshët, por s’kisha një ide të qartë se ç’të bëja. U gjenda në këtë botë pa asnjë arsye. S’është se kisha menduar të bëhesha shkrimtar kur të rritesha. Duhet të them që mendoja se ai që shkruan libra, është dikush që rri në shtëpi, i boton, shkruan një tjetër, e bën një jetë normale. Por në të vërtetë kupton që është shumë e rëndësishme të bësh një intervistë, si ajo që po bëj tani, për shembull. Të lëvizësh nëpër botë për të paraqitur librin. Marrëdhënia me të tjerët të rrit më shumë. Duhet të nisësh të dish të fl asësh, gjëra që s’i përfytyroja, sepse shkrimtarin e përfytyron duke shkruar. Dalëngadalë mëson t’i bësh dhe këto gjëra. Por falë letërsisë, unë kam vizituar botën, kam bërë shumë gjëra që s’do t’i kisha bërë dot kurrë, pa të.

Dritare.net: Ju ka kaluar dashuria për lojërat elektronike.

Mjaftueshëm, s’jam më aq i zoti. Edhe pse jam plakur e s’kam të njëjtën aftësi reagimi si më parë. Tani s’kuptoj si duhet t’i bëj, nxehem menjëherë. Jam bërë më i padurueshëm se më parë, kur isha një lojtar i mirë. Lojërat elektronike, sidomos këto të fundit, kanë forma narrative, histori përbrenda. S’është vetëm aftësia për të ditur t’i bësh gjërat. Kur nisi kjo metodë, rreth 15 vjet më parë, kur dolën lojëra elektronike që kishin një histori interesante, mendova që mund të ishte interesante t’i studioje. Është një pasion, dhe mbase si shumë gjëra të tjera, si muzika, kinemaja, librat me fi gura.

Dritare.net: Mund të thuhet se është varësi?

Ka qenë një kohë kur kam qenë vërtet i varur nga disa lojëra. S’arrija të dorëzoja librin, sepse luaja shumë. Por më pas kaloi, për fat.

Dritare.net: Mendoni se mund të shpëtosh nga gjërat që të bëjnë të varur në jetë?

Shpëton ose nga forca e vullnetit, e vendos që kjo të lëndon, ose nëse të fusin tmerrin, si me cigaret. Nëse shkon te mjeku e të thotë që s’je mirë, të gjithë e lënë, menjëherë cigaren.

Dritare.net: Ju pini cigare?

Pak, duhet të them. Sidomos kur shkruaj. Aty pi më shumë cigare. Por them se nga gjërat që duhet të ndahesh, ia del të ndahesh edhe vetë, befas. Kur zgjohesh papritur një mëngjes e kupton që s’të intereson më. Është sikur të të hiqnin një perde nga sytë, nis të shohësh gjëra të tjera. Mbaron një magjepsje. Ai pasion që mendoje se do të zgjaste gjithë jetën, befas mbaron aty, në çast, menjëherë.

Dritare.net: Një këshillë përtej veseve, tani. Një këshillë për të rinjtë që shkruajnë.

Për mua, e rëndësishme është të lexosh, sepse krijon ide. Idetë mund të jenë, por ndihmohen shumë nga përvoja e njerëzve të tjerë, si në çdo fushë tjetër. Ajo që mendoj është se për të qenë shkrimtar, duhet që në radhë të parë të jesh lexues. Duhet të mendosh që po shkruan për dikë tjetër, dhe ai tjetri duhet të argëtohet, por në të njëjtën kohë duhet të gjesh atë që ke të ngjashme me të tjerët, që të arrish të komunikosh. Besoj se duhet të lexosh e të kërkosh sekretet e librave, se pse janë shkruar në një farë mënyre, se pse një personazh ndërhyn në një farë pike. Është si një tavolinë. Nëse njëra këmbë është më e shkurtër, tavolina do të lëvizë nga vendi. Janë ide edhe si të artizanëve të thjeshtë, që lejojnë ndërtimin e një libri. Mbase duhet të bësh kujdes me detajet, dhe jo vetëm të rrëmbehesh nga ngjarja, nëse do të bëhesh shkrimtar.

Dritare.net: Cilët janë shkrimtarët që duhet të njohësh patjetër.

S’mendoj se duhet të ketë shkrimtarë që dikush duhet t’i njohë patjetër. Për secilin prej nesh ka një grup librash. Për mua kanë qenë të rëndësishëm shkrimtarë si Xhek London, sepse më tregonte për botë që më magjepsnin. Ose Stivenson. Mbaj mend kur lexova Doktor Xhekil dhe Mister Hajd, mundësinë për të ndryshuar, për të qenë ditën një njeri normal e natën një njeri i tmerrshëm, përbindësh. Ose Tre Musketierët, etj leximet në adoleshencë që më kanë formuar. Pastaj ka pasur shumë të tjera, gjatë viteve. Por më të rëndësishmet kanë qenë ato që kam lexuar në një periudhë me mungesë të veçantë lumturie, kur s’arrija të komunikoja me të tjerët, dhe librat ishin miqtë e vërtetë. Në këtë kohë kam lexuar shumë letërsi angleze, amerikane e franceze. Edhe të vjetër, si Stefan King, një shkrimtar që më pëlqente shumë, sepse tregonte për personazhe që s’ishin superheronj, por njerëz normalë. Kjo më ka bërë të ndihem më pranë tyre.

Dritare.net: Varësia nga letërsia është diçka që s’ju kalon kurrë?

Nuk më kalon, por në të njëjtën kohë s’e kam më atë forcën, atë dëshirën për të lexuar që kisha më parë. Tani sforcohem më shumë se më parë. Duhet të vendos nëse do të dëgjoj muzikë e t’i bëj më mirë nevojave të mia. Por kjo besoj se është pjesë e pjekurisë, plakjes.

Dritare.net: Pse flisni për plakjen?

Nis ta ndiej, ta shoh. S’jam ende plak, por përgatitem.

Dritare.net: Keni frikë nga ky stacion?

Nuk më tremb shumë. Të vuaj, më bezdis. Një pleqëri me shëndet të keq, më tremb. Por një pleqëri në të cilën mund të ngadalësoj ritmin, më pëlqen. Rëndësi ka të mos mendosh se mund të jesh në gjendje të bësh të njëjtat gjëra, të dukesh si i ri. S’ka gjë më të trishtuar se të shohësh që njerëzit shndërrohen për t’u përpjekur të jenë diçka që s’janë më. Të pranosh moshën, është gjëja e parë që duhet për të pasur një jetë të lumtur./Dritare.net

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.