Nevoja imediate e një qasjeje të re, të zonjës së parë të akuzës!
Dritare.net
Arta Marku, Prokurorja e Përkohshme e Përgjithshme, e cila rezulton të ketë qenë sot e pranishme në analizën e punës së Prokurorisë së Tiranës, mësohet të ketë mbajtur një qëndrim të prerë e kritik ndaj të tjerë prokurorëve në atë godinë.
Ulja e efikasitetit dhe cilësisë së punës për shkak të zvarritjeve të pajustifikueshme të çdonjërit prej tyre, duke mbajtur për vite në sirtar dosje apo çështje ku vëmendja e publikut është e shtuar, me një mungesë të theksuar përgjegjësie, do të ish sipas saj përgjegjësi individuale e secilit.
Duke vlerësuar të drejtë dhe legjitim qëndrimin e saj institucional karshi çdo prokurori në atë godinë, përcjell faktin që znj. Marku dhe çdo prokuror në Republikën e Shqipërisë, njeh mirë detyrimet përkatëse në funksion të ushtrimit të detyrës, ndërsa në tryezën e çdonjërit prej tyre ndodhet "bibla" në të cilën ligjvënësi ka përcaktuar qartë afatet e mënyrat e ndjekjes së çdo çështje përkatëse, nëpërkëmbur në shumë raste nga ana e këtyre të fundit.
Kjo mënyrë qasje në këto kushte e "zonjës së parë" të akuzës, nuk vlen e nuk zgjidh thelbin e këtij problemi në këtë formë paskësaj.
Të mbetesh te konstatimi në çdo kohë dhe në një situatë kaq të rëndë, pa tentuar të zhbllokosh apo zgjidhësh kolapsin në të cilën është futur ky institucion prej vitesh, do të thotë të mos përmbushësh siç duhet detyrimet kushtetuese e të mos duash t'i shërbesh interesave të çdo qytetari këtu.
Do të ish në nderin përveçse në diskrecionin e znj. Marku, referuar qindra ankesave të përcjella në adresë të saj nga avokatë kryesisht, lidhur me evidentimin e problemeve të shumta në organin e akuzës, të ngrinte një grup pune për të verifikuar me kujdes çdo dosje në tryezën e gjithsecilit në atë godinë, ndërsa për çdo element të shpërdorimit të detyrës për çdonjërin prej tyre, t'i propozonte Këshillit të Lartë të Prokurorisë nëpërmjet një relacioni të posaçëm, aplikimin e masave disiplinore sipas ligjit, duke ia përcjellë më pas këtë relacion dhe organeve të vetingut.
Ky do të ish ushtrimi i funksionit të duhur nga ana e saj, veprim i cili do të përfaqësonte në këtë rast një qasje korrekte e koherente, duke sjellë një erë të re në atë godinë hijerëndë e duke i treguar secilit me këtë veprim se askush nuk është në tokën e "babës" aty për të vijuar sipas dëshirës asnjë ditë më shume.
Ky do të ish veprimi i duhur që zonja Marku të shënjonte paskësaj me veprimet e saj, duke fituar besimin dhe nderimin e qytetarëve të këtij vendi posaçërisht./dritare.net