Neranxi: Unë e kam zgjidhjen si ulen taksat!
Dritare.net
"Nëse më 13 qershor, kur kemi seancën, do të vijojë zvarritja e dhënies së vendimit në Gjykatë, ku ne si Shoqatë e kemi çuar paketën e taksave vendore për t'u shfuqizuar, unë propozoj të mos paguani asnjë taksë si dhe të fillojmë protesta masive të gjithë biznesit. Pushteti qendror dhe ai vendor, na dënoi me taksa falimentuese, ndërsa ne do i tregojmë rezistencën dhe vendosmërinë tonë. Të ulim të gjithë qepenat dhe të fillojmë protestat, madje edhe grevë urie. Unë me familjen time do të jem para kryeministrisë dhe bashkisë. Jam i vendosur, sepse e di që askush nuk të dhuron asgjë, duhet t'i fitojmë vetë", shkruan Neranxi, duke e shoqëruar postimin me mailin e një sipërmarrëseje, e cila i shkruan:
"Biznesi që unë dhe im shoq administrojmë është një zinxhir bar kafesh. Paketa e re fiskale e miratuar nga Bashkia për 2016 është një paketë fundosëse për biznesin tonë. Aktualisht kemi paguar vetëm detyrimet e 2 muajve të parë, sipas paketës së vjetër, por nuk jemi dakord dhe nuk kemi bërë asnjë pagesë për detyrimet sipas paketës së re. Doja të merrja një informacion si duhet të veprojmë në lidhje me këto pagesa? Duhet të presim derisa të dalë një vendim i Gjykatës së Apelit? Dua që të kemi një argument që të bazohet në ligj në rast se vijnë inspektorët e Bashkisë që kontrollojnë hapësirat publike apo bëjnë verifikime të ndryshme. Se tashmë nuk e dimë më se kujt duhet t'i paraqesim çfarë dhe si duhet t'u përgjigjemi? Ne jemi kundër këtyre pagesave dhe do mbështesim çdo nisme për kundërshtimin e tyre."/dritare.net