Nëna shqiptare i shpëton dënimit, tentoi të vriste fëmijët: Do t'ju marr me vete
Dritare.net
Ndërsa puna e gjykatës tashmë është të konstatojë nëse nga kosovarja mund të pritet që edhe në të ardhmen të kryejë vepra të ngjashme penale. Në rast se vlerësohet kështu, ajo, me vendim gjyqësor do të dërgohet në një spital psikiatrik. Kosovarja, e cila jetonte në Ennepetal, mbrëmjen e 11 qershorit i kishte mbyllur dy fëmijët e saj në banesë. Pa ndonjë arsye të shpjegueshme, ajo atë ditë ishte e zemëruar së tepërmi. Në inat e sipër i kishte zënë frymën të bijës, me qëllim që ta mbyste. Por i biri u kishte hyrë në mes dhe kishte arritur që të nxirrte motrën nga duart e nënës që kishte humbur kontrollin mbi vete. Mjekët kishin gjetur më vonë shenja të ndrydhjes në qafën e vogëlushes. Por, nëna e tërbuar nuk e kishte lënë me kaq. Ajo kishte marrë në kuzhinë një thikë me tehun 20 cm të gjatë dhe u ishte drejtuar fëmijëve: “Unë po vdes dhe po ju marr ju me vete”. Vajza kishte provuar t`ia merrte thikën nga dora dhe në përpjekje e sipër kishte pësuar disa prerje në dorën e majtë. Përfundimisht dy fëmijët e gjejnë çelësin dhe ia dalin të ikin nga banesa.
Pjesëtarë të tjerë të familjes e kishin dëgjuar zhurmën dhe e kishin alarmuar policinë. Nëna ishte dërguar që atë natë në spitalin psikiatrik. Fillimisht, prokuroria kishte menduar që krimin ta cilësonte si lëndim trupor, si pasojë e një përpjekjeje të zgjeruar për vetëvrasje. Por, të dhënat që kanë dalë në dritë më vonë kanë bërë që kosovarja të akuzohej për “tentativë vrasjeje”.