Negociatat, pse është i vështirë edhe 2019-ta

Nga Dritan Hila
Se çfarë ishte përgjigja që na dha BE lidhur me hapjen e negociatave nuk ka nevojë të kesh mbaruar shumë shkollë. Ne ngelëm në klasë dhe po humbasim një vit i cili i shtohet 25 të tjerëve që kemi humbur qyshse e kërkuam këtë anëtarësim.
Ne nuk mund ta kalonim klasën duke bërë sikur po hetojmë Sajmir Tahirin; sikur kanabizimi i vendit dhe politikat liberale ndaj trafiqeve kanë qenë të tilla që mund të mbyllen me një VKM; sikur reformat strukturore të shtetit kanë qenë në performancën e tyre më të lartë, kur buxheti i shtetit ndahet si qoka me miqtë, dhe varfëria bën kërdinë. A e dini se në Itali sipas Institutit Italian të Statistikës, një familje prej dy vetash quhet në nivelin e varfërisë kur ka një të ardhur prej 1.085 euro në muaj? Atëhere çfarë lidhje ka ky vend me Evropën kur ju heq 50 euro në muaj ndihmë ekonomike një të tretës së atyre që e përfitonin?
Pavarësisht llahinkave që i këndojnë çdo bëme qeveritare të çdo kohe, ne jemi ata që kemi qënë, vrima e fundit e kavallit. Nuk mund të jesh evropian me një administratë si jona; me sistem gjyqësor si yni; me klasë politike si ajo shqiptare dhe me një qasje arrogante të qeverisë ndaj publikut si në vendet e Azisë së Mesme. Ne nuk mund të jemi evropianë kur ende tek ne politika ka vullnet të shesë e blejë votën; kur sistemi aktual zgjedhor është i tipit mesjetar: me përfaqësim; dhe lufta politike ka degraduar në nivele primitive.
Vetë BE ka problemet e saj strukturore. Por në rastin shqiptar është pak më ndryshe pasi ne nuk kemi lidhje me funksionimin e shtetit as me Maqedoninë, leri pastaj të tjerët. Përveç populizmit të lindorëve të tipit Orban apo provincialëve të stilit bullgar, të cilët po i sjellin andralla, ajo duhet të reformohet dhe nuk mund të shtojë bela me ballkanas të tjerë. Imagjinoni që nëse ne do ishim pjesë e saj, për të kaluar politika të caktuara, BE duhet të marrë edhe dorën e ministrit të jashtëm shqiptar?!
Hapja e bisedimeve vitin e ardhshëm nuk është një bast i fituar. Rruga jonë drejt Evropës krahas me përmirësimet ligjore, sjelljen ndaj korrupsionit dhe rritjes së përgjegjshmërisë së klasës politike, do kërkojë edhe emancipimin e vetë shoqërisë shqiptare. Bashkimi Evropian më shumë sesa një përzierje institucionesh dhe ligjesh është një bashkim vlerash. Vlera të cilat ne e kuptojmë që nuk i kemi sapo kalojmë të parën pikë doganore të Bashkimit Evropian./dritare.net

LEXO DHE :  Foto/ Mbesa e ish-presidentit Nishani, tërbon Ducati-n

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.