Në përvjetorin e RD, një arsye mbi rënien e komunizmit
Dritare.net
Sesi bien diktaturat është një proçes i cili mbart shumë të panjohura. Një sistem në dukje perfekt, befas shembet nga një flokë bore që shkakton ortekun.
Nëse në krye të Politbyrosë nuk do të ishte zgjedhur një riosh inteligjent dhe i mirëshkolluar i quajtur Gorbaçov, gerontokracia e PKBS mund ta shtynte edhe disa dekada. Menduan që ta rinovonin sistemin, pa llogaritur se sistemi nuk mbante dot asnjë shtrëngim vide.
Në Tunizi regjimi i Ben Alisë nëse kishte një meritë, ishte emancipimi i gruas. Ra sepse një police bashkiake kërkoi t'i vendoste taksë një shitësi abuziv fruta-perimesh i cili i vuri flakën vetes. Vetëvrasja nuk kishte lidhje me revoltën ndaj regjimit, por ndaj emancipimit.
Një burrë nuk mund të pranojë të poshtërohet nga një femër sipas kodit të nderit të myslimanëve. Dhe Ben Ali mori arratinë, pasi detonatorin e shkrepi një grua që përfitoi nga reformat e tij emancipuese.
Në Iran Shahu Reza Pahlev kërkoi të emanciponte fshatin dhe aplikoi reformën agrare duke goditur pronarët e mëdhenj të tokave. Të cilët ngritën kundër tij pikërisht ata që përfitonin, fshatarët. Fituan mullahët.
Në Rumani Çaushesku u përmbys pasi lau gjithë borxhet dhe kishte një ndër përqindjet më të mëdha të popullsisë së shkolluar në historinë e vendit por edhe të gjithë lindjes. E rrëzuan ata që kishte arsimuar të cilët nuk duronin që bashkëshortja e tij me shkollë të mesme të ishte edhe akademike. Akuzat për korrupsion nuk iu vërtetuan kurrë, madje disa herë kishte larë nga paga e tij borxhet e djalit që vuante nga vesi i kumarit.
Në Shqipëri... Më mirë e lemë. Ndoshta ishin bijtë e shkolluar të komunistëve apo ata që kishin përfituar nga sistemi arsimor që u bënë edhe varrmihësit e sistemit. Gjithsesi edhe Shqipëria është një rast që vërteton se diktaturat nuk bien kurrë nga jashtë dhe as nga desidenca e brendshme, por vetëm kur sunduesit humbasin vullnetin të ushtrojnë pushtetin. Diktaturat, edhe ato më solidet, shkatërohen më shumë për shkak të disa virtyteve që kanë sesa të shumë defekteve që mbartin./dritare.net