Në këtë botë ka plot vrasës të qeshur

Nga Arta MARKU

(rreth tregimit DAIZA ZAHARIA të Lazër Stanit)

DAIZA ZAHARIA hodhi kafen në filxhan duke u kujdesur që shkuma ta mbulonte krejt sipërfaqen. Një flluskë u krijua dhe u kap pas buzës së filxhanit, afër rrfanës.  Lajm, tha me vete me një farë ngazëllimi por përnjëherësh u kujtua: po ç’lajm mund të marrësh ti moj e zezë. E hurbi kafen e nxehtë me nxitim dhe gllënjka valë i dogji fytin. E djegura i shkaktoi një kënaqësi të dhunshme. E piu kafen gllënjkë pas gllënjke sikur e ndiqte kush. U ngrit dhe e la filxhanin përmbys mbi tryezën e vjetër. Me mendjen që të rehatonte kafshët para se të binte nata, doli në oborr. Shiu qe rralluar. Andej nga jugu retë qenë davaritur dhe ajo mundi të dallojë një fiskajë qielli të kaltër. Na kalbi ky mot, tha nëpër dhëmbë dhe bëri nga stalla me një kovë të mbushur përgjysmë me misër. Derrat e saj po çirreshin e grindeshin të uritur. Te dera e stallës u ndal, ktheu kokën pas dhe i hodhi një sy oborrit të mbushur me pellgje uji. Te porta e oborrit, i lagur qull, qëndronte e shtangur në këmbë, fantazma e të shoqit. Të paskan vrarë mor i shkretë, tha dhe kova i shpëtoi nga duart. Sytë iu errën, gjunjët iu shkëputën. Shqiptonte e përhumbur: të paskan vrarë, të paskan vrarë, pa e ditur se ku ishte. Fantazma e të shoqit nuk lëvizte nga vendi, qëndronte shtangur si një shtatore e gdhendur ne mermer të zi. E errët, e lagur, e palëvizshme, paksa e kërrusur përpara, me krahë të lëshuar. Shpatullat e mëdha ia mbulonte një xhaketë e vjetër ushtarake, e mbërthyer me kopsa deri në fyt. Pantallonat e gjera të përbaltura deri në gju, por të shkurtra, ia zbulonin nyjat e këmbëve pa çorape, të rrasura në një palë këpucë të vjetra.

Të paskan vrarë o i shkretë, tha prapë Daiza Zaharia dhe shtoi: Zoti të mëshiroftë!

MUZIKE

Daiza Zaharia. Është tregimi i fundit në rend që mbyll librin KOHE PËR NUSE të tregimtarit Lazër Stani. Daiza është protagonistja. Është një histori e largët prej këndej, e kohës që mbërriti menjëherë pas luftës së dytë botërore. E kam fjalën për historinë e padër Anton Harapit. Që të mos e kapnin komunistët ai u fsheh në pyjet e Pultit në Dukagjin e prej andej në shtëpinë e një fshatari. Besimtar padyshim, një ndër ata që nuk kish për ta tradhtuar kurrë as Zotin e as zëdhënësin e tij. Në atë shtëpi fshati, mesa duket paskësh patur një kthinë, diku pas oxhakut, që pak mundësi kishte të zbulohej prej të panjohurve. E megjithatë, Anton Harapi u gjet, e zbuluan, e arrestuan e më pas e pushkatuan, kurse strehuesit e tij i burgosën e më pas i vranë dhe ata.

Kush e denoncoi Anton Harapin? Thuhet se ishin një palë proteza. Me gjasë, ai i kishte harruar në një vazo me ujë, mbi parvazin e dritares, para se të mbyllej në vendfshehjen e vet pas oxhakut. Dhe gjatë bastisjes  së shtëpisë ato nuk mund të mos binin në sy. Paskëshin qenë dhëmbët falsë që e zbuluan. Por zëra të tjerë thoshin që historia e protezave ishte thjesht një sajesë, një trillim kryekëput, për të mbuluar denoncuesin e vërtetë.

Historia mund të jetë kështu por edhe mund të mos jetë kështu: Nuk është kjo hollësi biografike e jetës së Anton Harapit qëllimi i tregimtarit. Personazhi historik është thjesht zanafillë. LAZER STANI kërkon të rrëfejë tjetërçka në tregimin e tij DAIZA ZAHARIA.

Kërkon të rrëfejë për DAIZËN, këtë grua të jashtëzakonshme dhe për këndvështrimin e saj sa njerëzor aq edhe mbinjerëzor…

***

Në tregimin e LAZËR STANIT, DAIZA ka mbetur e vetme në shtëpi. Pasi kanë marrë Anton Harapin e fshehur në shtëpinë e tyre, kanë arrestuar burrat: të shoqin e Daizës dhe kunatin. 8 vite burg kanë kaluar porse dënimi është me 101 vjet. Pra, ndarje e përjetshme e burrit me gruan. Por asaj i jep paqe fakti që ata: ajo, i shoqi, kunati, u përpoqën ta shpëtonin priftin. E ndërsa nuk mundën deri në fund, do të dënoheshin bashkë me të.

Teksa Daiza është vetëm në shtëpi, e vetme, bota rrotull, e ftohtë dhe e largët, e sheh vëngër. Merret me mend: është historia e të gjithë të dënuarve të regjimit gjatë diktaturës komuniste.

Por, papritmas Pjetër Zaharia lirohet nga burgu. Ajo nuk e pret, ama një muzg, paparashikueshëm, ai i shfaqet te dera e oborrit me pamjen e tij të mjerë. Aty për aty, Daiza kupton që nuk paskësh qenë kjo çfarë kish dashur. Si është e mundur? Lirimi i të shoqit e bën atë të vetmin fajtor. Të vetmin të dyshuar. Ankthi i Daizës është i tjetërsojtë qysh prej këtij çasti përballë siluetës së qullur të të shoqit, por është i tmershëm gjithashtu… Dyshimi, i papërballueshëm.

LEXO DHE :  Bllokimi i rrugëve/ Basha në Milot, policia thirrje: Tubim i paligjshëm

***

-Duhet të më besosh – i tha Pjetri të shoqes që po rrinte përballë tij, ulur në një kolltuk të vjetër, me duar të lëshuara në prehër. – Duhet të më besosh se unë nuk e tradhtova priftin, – përsëriti përvuajtur, lutës.

-E di se nuk e tradhtove, e mohove, – ia priti shkurt e shoqja. – Ndryshe, si të liruan!?

-Edhe unë nuk e di se çfarë i shkrepi në kokë kryeministrit, – tha Pjetri me një zë të këputur. – Ta kam thënë pra, por ti nuk do të më besosh.

-Askush nuk të beson, – tha e shoqja pa e këqyrë në sy. – Askush nuk të beson. A nuk e shikon se nuk na e shkel njeri pragun? Veç të pafetë kanë zënë e na vizitojnë, na shohin si të sojit të tyre.

-Kurrë mos besofshin, – tha Pjetër Zaharia duke ngritur zërin. – Por dua që ti të më besosh. Nuk e tradhtova priftin, nuk e spiunova kurrë, nuk pranova të bashkëpunoj edhe pse unë e di se ç’kam hequr, çfarë nuk provuan mbi trupin tim.

U ngrit nga minderi ku ishte ulur, erdhi rrotull nëpër shtëpi, u ndal para ikonës së Shën Mërisë, u përkul, bëri kryqin…

-Ti e di, – tha duke iu drejtuar ikonës së shenjtores, – se unë as tradhtova as mohova. As unë nuk e di pse më zgjodhën pikërisht mua mes grupit të të burgosurve që do të vizitoheshin nga kryeministri. Ne, e shumta 10 të burgosur ishim, na rreshtuan në oborr, nën mbikëqyrjen e rreptë të gardianëve dhe na paralajmëruan: nëse këputnim ndonjë broçkull në sy të kryeministrit, do të na piqnin në hell.

Kryeministri u ndal para meje, më këqyri një copë herë me vëmendje. Sytë i kishte të skuqur, hallkat rreth syve të nxira. Edhe pse dukej i lodhur, prapë e patën dëgjuar tek qeshte me zë të lartë shungullues me drejtuesit e burgut, të cilët si me komandë ia kthenin të qeshurën në kor. Kjo na lehtësoi disi edhe pse frika nuk na shqitej. Në këtë botë ka plot vrasës së qeshur. Më në fund, kur trupi po më dridhej si në ethe nën zhbirimin e syve të tij, më pyeti se çfarë kisha bërë që gjendesha në burg.

-Me ato që kam bërë duhej të më kishin vrarë, – iu përgjigja kryeministrit.

-Çfarë ke bërë? – këmbënguli kryeministri.

-E meritoja vdekjen!

-Fol pra, ç’dreqin ke bërë?

-Kam strehuar atë Antonin, priftin, – i thashë, i bindur se aty për aty dhashë përgjigjen e gabuar, dhe se kjo do të më kushtonte, në mos jetën, të paktën disa muaj kalbje në birucë.

Kryeministri më këqyri nga koka te këmbët, ulëriti:

-Idiotët e drejqit!

U kthye nga shpura e vartësve që e shoqëronin dhe urdhëroi:

-Lirojeni!”

***

Pjetër Zaharia u lirua, por ky mesa duket nuk është shpëtimi për gruan e vetmuar, të cilën më së shumti e bren dyshimi për mëkatin e mundshëm. Mëkatari është aty, përballë saj, fle në të njëjtin shtrat me të? Apo përkundrazi, kushedi ku fluturon i lirë, e burri përballë saj është krejt i pafaj? Çfarë është duke kërkuar ajo? Pse nuk është e kënaqur nga mbushja e boshllëkut shkaktuar nga vetmia?

Daiza Zaharia është një shtegtim në humbellat e nënvetëdijes së njeriut. Çfarë kërkon njeriu nga jeta? Si e pret apo si e jeton njeriu fatin e vet? Çfarë rëndësie ka për njeriun, dinjiteti? Në ç’mënyrë mund të jetohet pa të? A mund të jetohet tek e fundit? Çfarë e bën shtyllën vertebrore te njeriut ta mbajë qenien superiore drejt e në këmbë?

…Nuk do t’ua rrëfej këtë tregim, nuk dua t’ua zbuloj subjektin. Por, nuk e teproj aspak nëse e gjykoj si një kryevepër.

Në fakt i gjithë vëllimi me tregime KOHË PËR NUSE, i shtati libër që mban në kopertinë emrin e Lazër Stanit, është një stacion i epërm jo vetëm në krijimtarinë e autorit por edhe në letërsinë shqipe të kohëve të fundit.

KOHË PËR NUSE është një libër ku përzihen bukur realiteti tokësor me atë onirik, ku nuancat e realizmit magjik i japin një shije të jashtëzakonshme.

Edhe pse mirëfilli letërsi, libri është aty këtu i stërpikur me ngjarje vërtet të ndodhura. Por, si për të vërtetuar një shprehje të SHALAMOVIT se ndonjëherë jeta reale është kaq e jashtëzakonshme sa ia kalon çdo trillimi, edhe LAZËR STANI është kapur, aty këtu, në ndonjë çengel autobiografik. Edhe historia e Daiza Zaharias, siç e thashë, ka në gjenezë arrestimin e Anton Harapit, por ajo është thjesht fara, prej nga mbin më pas një lule e cila ia vlen të kundrohet e të admirohet./dritare.net

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.