Ndriçim Xhepa rrëfen frikën më të madhe për djalin e tij Martin
Dritare.net
Ai nuk ka rendur pas njerëzve me prestigj, nuk është treguar mendjemadh, arrogant ndaj më të vegjëlve, apo edhe atij brezi të ri, që ndoshta edhe nuk e njeh. Përkundrazi! “Unë kam pasur njohje dhe me punëtorë të thjeshtë, pijanecë, intelektualë, gazetarë, politikanë, kam pasur njohje kudo ku më ka çuar puna. Nuk kam përtuar dhe kam qëndruar me kënaqësi, kjo ndoshta më ka dhënë prekshmërinë e shumë natyrave. Më ka dhënë një plus për të dhënë tipa dhe karaktere nga më të ndryshmit që profesionit tonë i bëjnë mirë”, tregon Çimi.
Për Xhepën më prezente ka qenë sfida; përballë një emri të madh që mbante në supe, “paragjykimit” të zakonshëm kur je i biri i dikujt, por që falë punës së tij brenda një kohe të shkurtër ai gdhendi emrin e tij. Sot etalon i aktrimit. Frymëzues dhe një sfidë determinuese për breza të tërë që do të vijnë.
Frikë apo Siguri? Si e sheh të ardhmen Ndriçim Xhepa?
Teksa shëndeti e ka sfiduar jo pak herë, frika nga vdekja për të është si per gjithsecilin nga ne. “Një temë që gjithsekujt mund t’i lëvizë në kokë. Njeriu është një krijesë, që do të jetojë”, thotë ai.
E vetmja pasiguri që ndjen është koha që ka përballë pikës së tij të dobët, Martinit. “Nuk do ta quaj trembje se sa një lloj keqardhje nëse nuk do të kisha dhe disa vite të mira me detyrën kryesore dhe ndjesinë, që djalin ta çoj në një moshë që të bëhet i vetëdijshëm në të gjitha drejtimet dhe të jetë i përcaktuar se çfarë drejtimi mori në jetë. Të kem kënaqësinë ta shikoj në një profesion që ai do të ishte i kënaqur!”