Ndre Legisi: Statusi i PS është kthyer në paçavure. Rama nuk mund të na zëvendësojë me Koçon
Dritare.net
Ai akuzon Ramën se ka zëvendësuar anëtarët e kryesisë së PS-së si të deleguar nëpër rrethe, me deputetë si Koço Kokëdhima, gjë që sipas tij nuk mund të bëhet.
“Besoj që media ka qenë prej kohësh e sensibilizuar në lidhje me mënyrën se si funksionon asambleja, kur mblidhet dhe si mblidhet, mënyrën se si ka funksionuar kryesia, mënyrën se si Edi Rama ka caktuar disa individë të pazgjedhur në strukturat e PS-së, si të deleguar nëpër qarqe, për të ndjekur dhe monitoruar procesin e zgjedhjeve në parti dhe të kongresit. Kjo është një gafë e jashtëzakonshme, për arsye se duhet të shpërndaheshin anëtarët e asamblesë e kryesisë që të monitoronin procesin. Unë jam anëtar i kryesisë. Blushi është gjithashtu anëtar i kryesisë. Ka të tjerë anëtarë kryesie, që natyrisht nuk janë të caktuar, por po marr rastin e mikut tonë, Koço Kokëdhima (e di që nuk i mbetet hatri), por nuk mundet që ai të zëvendësojë një anëtar të zgjedhur të kryesisë, pavarësisht se ai është deputet. Në statutin tonë, deputeti ka pozicionin e tij si i zgjedhur nga populli dhe janë
përcaktuar roli dhe pjesëmarrja e tij në strukturat e partisë", ka thënë Legisi.
Ai ka folur gjithashtu edhe për zhvillimin historik të PS, duke thënë se gjithmonë janë respektuar rregullat dhe vetëm tani po shkelen.
"Ne nuk jemi nga ato parti që i kemi pas kryetarët nga 20 apo 25 vjet pa qarkulluar. Ne jemi një parti që patëm kryetar historik, patëm një kryetar tjetër, kur zoti Nano ishte në burg, ishte Servet Pëllumbi. Më vonë kemi pasur zotin Majko si Sekretar të Përgjithshëm, në kohën kur Nano dha dorëheqjen. Më vonë ka ardhur prapë Nano. Jo se them se ka qenë perfekte mënyra e funksionimit dhe organizimit të partisë, por ka pasur një debat brenda strukturave të PS-së. Ka pasur disa rregulla të shkruara, të cilat kanë funksionuar në 80-90% të tyre. Në këtë rast nuk ka funksionuar asgjë, as në 10% të tyre”, thotë Legisi në një intervistë për “GSH”.