Ndodhi në Amerikë/ Kushërinjtë pushojnë shqiptaren nga puna, pse foli shqip

Foto ilustruese

Nga Luna Ruvina

Kisha dëgjuar deri tani vetëm nga shqiptarë që kanë emigruar në Greqi, apo Itali që, për shumë arsye, zgjedhin të mos flasin shqip jashtë shtëpisë, por ndodhka edhe në vende si Amerika. Një shoqja ime, një vajzë e bukur, me dy diploma e një qerre shkollë, zgjodhi të shkonte në Amerikë së fundmi. Derisa të rregullohej në një punë që i shkonte për shtat, ishte sajuar disi në kompaninë e ca të afërmve të vet, të cilët me shumë mund e punë, kanë arritur të ngrenë një biznes që sa vjen e rritet.

Teksa me shumë bujari të afërmit i kishin ofruar këtë mundësi, si biznesmenë me eksperiencë disavjeçare tashmë në një vend si Amerika, kishin bërë të qartë edhe se çfarë prisnin prej saj, se çfarë duhet të bënte dhe çfarë jo. “Kemi disa punëtore shqiptare, – i kishin thënë, – por s’do t’u flasësh shqip në asnjë mënyrë.”

Natyrshëm, dikur shoqes sime, e cila e ka anglishten po aq të rrjedhshme sa edhe shqipen, i kishte shpëtuar goja dhe diçka kishte thënë shqip. Për të mos u ngrënë hakun, herën e parë ia kishin falur. Ama, kur kishte ndodhur edhe një herë tjetër, nuk kishin toleruar më. Aty ishte mbyllur marrëdhënia e biznesit mes tyre. Ata me siguri do ta kenë pasur një, apo disa arsye, por sado që e kam vrarë mendjen, s’kam arritur t’i kuptoj./dritare.net

*Historitë e këtij blogu janë të gjitha reale. I trilluar është vetëm emri i autores.

Komentoni