Ndihma shtetërore, ja sa para do të marrin bizneset private për shërbimet publike!

Qeveria brenda vitit do të ofrojë ndihmë financiare në formë kompensimi për biznesin që ofron shërbime publike. Qeveria vendosi që ndihma nga shteti do të jepet vetëm për spitalet private, urgjencat, linjat ajrore dhe detare, aeroportet dhe portet. Vendimi është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë, ku për bizneset që plotësojnë kriteret për të përfituar ndihmë shtetërore do të vihet në dispozicion një fond prej 2,1 miliardë lekësh.

Sipas vendimit të qeverisë, ndihma shtetërore në formën e kompensimit do të jepet për spitalet që ofrojnë shërbime mjekësore, duke përfshirë edhe shërbimet e urgjencës. Kompensimi do të jepet edhe për aeroportet, me kushtin që dy vitet financiare të mëparshme trafiku vjetor të mos ketë kaluar 200 mijë pasagjerë. Ndihma do të ofrohet edhe për portet, ku përfituesit e kompensimit duhet që në dy vitet e fundit të mos kenë kaluar trafikun e 300 mijë pasagjerëve. Ndërsa për linjat ajrore dhe detare të brendshme, kompensimi do të jepet vetëm në rast se ato nuk u kanë shërbyer 300 mijë pasagjerëve në vit në dy vitet e fundit.

LEXO DHE :  Si do jetë moti, martë 21 gusht

Shpërndarja e ndihmës shtetërore do të shtrihet edhe për kompanitë që ofrojnë shërbime publike, me karakter social, të shëndetit, përkujdesjes ndaj fëmijëve, integrimit social, integrimit në tregun e punës apo banesave sociale. Kompanitë që do të përfitojnë ndihmë nga shteti do të pajisen me mandatin e shërbimit publik. Përveç kësaj, vendimi përcakton se ndihma në formë kompensimi për shërbimet publike është e lejueshme për periudhën e kohëzgjatjes së mandatit të shërbimit, në rastet kur kompensimi për shërbimet publike nuk e kalon shumën vjetore prej 2 085 000 000 lekësh.

Në rastin kur mandati jepet për një periudhë më të gjatë se një vit, shuma vjetore llogaritet si mesatare e shumës vjetore të kompensimit gjatë periudhës së mandatit. Qeveria ka vendosur që lista e shërbimeve publike që ndërmarrja do të kryejë të jetë e përcaktuar në mandatin e shërbimit publik, duke përfshirë edhe territorin ku ofrohet shërbimi. Në parim, mandati nuk e kalon një periudhë dhjetëvjeçare, përveç rasteve kur ofruesi i shërbimit detyrohet ose angazhohet të kryejë një investim të rëndësishëm, të papërdorshëm, i cili ka nevojë të amortizohet për një kohë më të gjatë.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.