Natasha Kandiç, një dritare shprese, në  botën e dyerve të mbyllura

Ende ruan mesazhet kërcënuese: “Kurva e ushtarëve kroatë”.

Kjo grua, që vrapoi për gati dy dekada pas të drejtave të njeriut dhe të vërtetës, pa e menduar dy herë jetën e vet, quhet Natasha Kandiç.

Në një intervistë për “Shqip” në Top Channel, ajo rrëfen historinë e saj dhe shpresat për një Serbi tjetër. Një histori me dhimbje dhe çaste që nuk mund të lexohen. Një zë tjetër, larg margjinave. Gruaja që nuk mund të heshtte përpara krimeve dhe padrejtësisë, rrëfen  letrat dërguar mikut inekzistent ne internet, kur gazetat nuk pranonin ta botonin.

E vetmja serbe e  pranishme në Kuvendin e Kosovës më 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë.

Ajo, që për vite të tëra ka qenë në kërkim të kufomave dhe dëshmitarëve, vazhdon të mbrojë viktimat në gjykatë. Ajo ka lëvizur nga gërmadhat e Bosnjës dhe Kroacisë, tek trupat, foshnjat, krimet e mëdha në Kosovë.

Shumë herë është kërcënuar dhe tani kjo nuk përbën më një lajm në jetën e saj. Është vënë kundër nacionalizmit në fushatat e qirinjve për paqe e deri te fjala e fundit e drejtësisë. Një mur me mirënjohje, falënderime dhe çmime. Një grua që meriton përkulje. Ajo është heroina që sfidon mitet e tradhtisë. Është gruaja që nuk ka frikë. Është një dritare shprese në botën e dyerve të mbyllura për besim. Është një shembull nga Serbia, se edhe ti mund t’ia dalësh, të revoltohesh, të ngresh zërin kundër sistemit, kur ai të gënjen.

72 vjeçarja vazhdon punën e saj, pavarësisht se grupet nacionaliste e kanë dënuar me vdekje dhe gazetat pranë tyre shkruajnë: – Natasha Kandiç, gruaja që nuk ekziston.

Znj. Kandiç, si keni filluar të merreni me  krimet e luftës dhe si u gjendët në Kosovë gjatë bombardimeve dhe luftës?

Kam filluar të merrem me Kosovën gjatë viteve ’90. Hera e parë, sfida e parë me Kosovën ka qenë kur në Serbi kishte filluar tërë ajo propagandë politike për heqjen e autonomisë së Kosovës dhe të Vojvodinës dhe krijimin e një Serbie si të barabartë me republikat e tjera. Atëherë u krijua një grup intelektualësh, në fakt kanë qenë edhe intelektualë të Beogradit dhe të Prishtinës, që duhej të merrej me çështje të ndryshme dhe të vërtetonte se çfarë po ndodhte në të vërtetë, a ishin të vërteta ato që thoshin politikanët serbë, që shpërngulja e serbëve në Kosovë kish kaluar me një presion të madh, që kish pasur maltretime, dhunime, uzurpime të pronave. Unë kam qenë në atë grup dhe detyra ime ishte të analizoja shkrimet e medieve dhe të shikoja se cilat ishin shkrimet dominuese, qëndrimet që mediet i jepnin si qëndrime të redaksisë por që në fakt ishin të politikanëve.

Ky libër, që quhet Lëmshi i Kosovës, është mbaruar diku në korrik 1991, në kohën kur autonomia e Kosovës u hoq, kur Sllovenia doli nga shteti federativ i ish-Jugosllavisë dhe qysh në atë kohë e kishim të qartë se ky libër tregonte atë që po ndodhte. Pra, përkundër fakteve, është zhvilluar një propagandë politike që ka pasur për qëllim të bindë njerëzit që në Kosovë po ndodh diçka që në fakt nuk po ndodhte, gjë e cila pranohej në Serbi. Politikanët kanë ditur dhe kanë gjetur mënyra për të bindur banorët se si në Kosovë zhvillohet një terrorizëm. Në atë kohë ishte një shprehje e njohur siç është anti-revolucioni. Pas kësaj, unë fillova të merrem rregullisht me të drejtat e njeriut në Kosovë. Ka ardhur një kohë e ndërrimit të të gjithë shqiptarëve nga të gjitha institucionet, kur shqiptarët lëshuan shkollat, Universitet dhe filloi një situatë krejt tjetër kohe, kur fillon një udhëheqje e Kosovës përmes policisë. Në vitin 1992 është formuar Fondi për të Drejtën Humanitare që në atë kohë sistematikisht ka përcjellë të drejtat e njeriut.

Një nga gjërat më të kënaqshme për mua ka qenë kur një herë kam marrë një telegram nga Fehmi Agani për një raport tonin që kishte ndjekur se çfarë po ndodhte në vitet 1994-1995 pasi një numër i madh njerëzish ishte ftuar në biseda informative dhe më pas ne folëm me një numër të madh të këtyre njerëzve. Në atë kohë e kemi parë se çdokush që ka pasur një bindje politike dhe ka besuar se Kosova duhet të bëhet Republikë, ka bartur pasoja të mëdha, është burgosur, është marrë në pyetje, më pas është shpallur terrorist e kështu me radhë. Ne kemi bërë një raport të detajuar, të dokumentuar, të saktë dhe preciz dhe më kujtohet telegrami i Fehmi Agonit, i cili thoshte se e ka lexuar dhe nuk ka asnjë gabim në asnjë të dhënë dhe që ky ka qenë raporti më i mirë që është publikuar ndonjëherë për Kosovën.

Normalisht ne vazhduam. Në 1997 është hapur zyra në Prishtinë dhe Nora Ahmeti ka qenë drejtuese e saj. Menjëherë pas fillimit të bombardimeve, zyra është thyer dhe janë marrë kompjuterët. Unë e kam pasur shumë problem sesi personeli i punësuar do të dilte nga Prishtina sepse ka qenë shumë me rëndësi që të largoheshin. Një pjesë shkuan në Maqedoni, një pjesë erdhën me mua për në Beograd dhe më pas për Mal të Zi dhe një pjesë për Hungari. Në atë kohë, gjatë bombardimeve të NATO-s, kam qenë shumë shpesh në Kosovë dhe kam parë atë që nuk mund të shihej përmes televizorit, ajo që vështirë mund të merrej me mend. Kam parë atë frikë, atë polici që jo vetëm është sjellë si një forcë, një formacion që ka të drejtë mbi gjithçka por edhe ato plaçkitjet, përndjekjet e banorëve. Kështu që për mua ka qenë e vështirë të hesht dhe kam konsideruar se duhet të flas. Kur jam kthyer nga Kosova, çdo herë kam shkruar shkrime të shkurtra që i kam quajtur si letra miqve. Askush nuk ka dashur t’i publikojë por unë i kam hedhur në internet në mijëra adresa për mijëra  njerëz.

Çfarë keni parë, çfarë ka ndodhur gjatë asaj kohe dhe si ka qenë situata në atë kohë në Kosovë dhe në Serbi?

Së pari, kam parë përndjekjen e njerëzve, kam parë njerëzit nga Vushtrria dhe ndalova e i pyeta pse po iknin. Na përndoqën, thanë. Pastaj i pyeta, ku shkoni? Ata nuk e dinin dhe thoshin që do të mundoheshin të shkonin diku në Shqipëri ku do t’i lejonin të kalonin. Më pas kam shkuar në fshatin Bela Crkva, por edhe aty njerëzit ishin përzënë dhe duhej të largoheshin. Kanë qenë gjëra evidente. Ka pasur një frikë të madhe, njerëzit nuk kanë mundur të dalin nga shtëpitë, dëgjoheshin zëra vazhdimisht se dikush është vrarë. Pastaj dëgjoj që në Krushë një numër i madh njerëzish ishte vrarë. Normalisht në atë kohë nuk kam guxuar të shkoja sepse kushdo që shkonte në Krushë, mendohej si dikush që ka shkuar për të hetuar diçka, për të shkuar tek dëshmitarët. Gjithçka e kam shkruar në letër. Por ka qenë një situatë e mbushur më frikë, me pritje të vazhdueshme që dikush do të të trokasë në derë, do të shtije, një frikë dhe një pritje e vazhdueshme. Kjo ka qenë gjendja e një frikë të madhe sa që me 17 mars, kur është shpallur pavarësia, më është dukur sikur u bë një ndërprerje formale e kësaj frike.

Fatkeqësisht në Serbi nuk ka pasur asnjë zë të gatshëm për ta thënë atë që me dekada ka ndodhur. Ky ka qenë një presion nga viti 1990 deri në 1999. Me bombardimet e NATO-s erdhi ndarja përfundimtare dhe është parë që s’ka asnjë lidhje institucionale dhe që Serbia ia ka dorëzuar Kosovën bashkësisë ndërkombëtare. Pas kësaj nuk ka fjalë për atë që Kosova mund të quhej si një vend që i takon Serbisë.

Çfarë do të mbani mend më së shumti nga ajo kohë?

Nga ajo kohë do të mbaj mend këtë frikë. Kurrë nuk kam parë frikë më të madhe sesa tek njerëzit në Kosovë. Më kujtohet gjatë kohës së bombardimeve, te miqtë e mi, unë kam arritur në atë mënyrë që dikujt i dërgoja një porosi, më pas ata hapnin derën ndryshe askush nuk ka dalë në rrugë, të gjithë kanë ndenjur në banesa të mbyllur, kanë pritur nëse vjen policia, çfarë do të ndodhe. Askush nuk ka mundur të vendosë të niset për diku, të niset për Maqedoni për shembull. Do të mbaj mend ato biseda pas dyerve të mbyllura. Më kujtohet që shpesh kam kaluar nëpër disa oborre për të arritur te miqtë e mi dhe gjithnjë jam befasuar sesi në secilën shtëpi gjithnjë mund të gjendej diçka e mirë për të ngrënë për darkë apo drekë. Më kujtohet që te disa miq të mi arkitektë në Prishtinë, një pasdite ka qenë kështu.

Ka qenë 7 maji, dita kur në fakt është vrarë Fehmi Agani. Në shtëpinë e tyre kishte ardhur një njeri dhe thoshte se një grup që ka dashur të shkonte me tren për në Maqedoni është kthyer nga Fushë Kosova dhe që të gjithë ndodhen diku në qytet. Dhe, se në mes tyre ka qenë edhe Fehmi Agani. Por, askush nuk e ka parë më pasi janë kthyer në Prishtinë. Ditën tjetër jam kthyer në Mal të Zi duke mos e ditur çfarë ka ndodhur. Por, pas dy ditësh e kam kuptuar që në atë kohë Fehmi Agani është ndarë dhe është marrë. Ky ka qenë momenti më i tmerrshëm, ashtu sikurse kur me 24 mars më ka zgjuar Nekibe Kelmendi rreth orës 2:00 dhe më thotë që e kanë marrë Bajramin dhe fëmijët dhe më pyet çfarë të bëj. I them thirre policinë, ajo më tha se i ka marrë por ata thonë se nuk dinë asnjë gjë. E pyes a njeh dikë nga sigurimi i shtetit. Gjithnjë kam menduar çfarë ka bërë më pas. Në shtëpinë e saj ka qenë nusja me dy fëmijët e vegjël dhe Bajrami me dy djemtë është marrë. Pas dy ditësh ajo është ftuar të shkojë në spital pasi që ishin gjetur trupat. Mendoj se kjo thirrje e saj, fjalët për marrjen e Bajramit, do të më mbesin përgjithmonë në mendje.

Me kë tjetër keni qenë në kontakt ne Kosove, atë kohë?

Kanë qenë miqtë e mi. Më kujtohet që shumë shpesh në atë kohë e kam parë Dukagjin Goranin, që ka mbetur në Prishtinë, Avdyl Ramën, që fatkeqësisht ka vdekur pas luftës menjëherë. E kam takuar dhe herën e fundit dhe e pashë që nuk ishte mirë, e kam pyetur çfarë ke por më tha që ka një dhimbje koke, asnjëri nga ne nuk dha rëndësi. Më pas, 3-4 javë pas luftës, vdiq. Jam munduar të shkoj deri tek Veton Surroi, i cili ishte në Prishtinë, por kam menduar se është më mirë të mos e kërkoj. Shpesh kam qenë te prindërit e Nora Ahmetit. Më pas kam marrë vesh se gruaja e Baton Haxhiut ka mbetur tek prindërit në Prizren dhe ai më është lutur nëse mund ta sillja në Prishtinë dhe të ikin për në Maqedoni. E kam gjetur por ajo ka vlerësuar se është më mirë të mos lëvizë me fëmijët dhe ka pritur ardhjen e forcave ndërkombëtare.

Një nga ditët më të çuditshme ka qenë kur kam shkuar në Gjakovë. Mendoj se ka qenë 14 qershor. Më 12 qershor kanë hyrë forcat ndërkombëtare në Prishtinë, ditën tjetër kam shkuar në Prizren dhe atje ka qenë një festë e madhe. Por, kam dëgjuar që edhe 2-3 ditë KFOR-i nuk do të futej në Gjakovë. Kam shkuar atje pasi gjatë gjithë kohës së bombardimeve nga NATO ka qenë e mbyllur dhe askush nuk është lejuar të futet atje. Unë kam tentuar por ka qenë e bllokuar, policia nuk ka lejuar të shkohet në atë rrugë. Kam shkuar në spital ku kam parë një situatë të tmerrshme, ku mjekët prisnin të vinin formacione të ndryshme paramilitare, kishin mbledhur pará dhe të luteshin për jetët e tyre. Pastaj më janë lutur të gjej KFOR-in që të vijnë në qytet pasi prisnin se do ndodhte diçka e tmerrshme. Unë kam shkuar por kam qenë në mëdyshje si t’i gjej, kush do të më dëgjojë mua nëse u them se duhet të shkojnë në Gjakovë. Diku në rrugë, mes Gjakovës dhe Prizrenit, jam takuar me njësinë italiane Garibaldi dhe aty ka qenë një gjeneral me një kapelë gjigante me pupla dhe i thashë që po vija nga Gjakova, ku ka frikë të madhe, policia është ende aty dhe njerëzit mendojnë se do të ndodhë një hakmarrje e madhe. Ai tha se detyra e tyre ishte të shkonin në Pejë por pastaj më dha dy xhipa me ushtarë që të më shoqëronin e të shikonin vet se çfarë po ndodhte atje. Kur arritëm, u thashë mjekëve që të lajmëronin njerëzit të dilnin nga bodrumet dhe shtëpitë e tyre pasi kjo do të kishte ndikim dhe policia do të dorëzohej e do të vinte njësia e KFOR-it. Dhe kjo ndodhi vërtetë.  Për një moment Gjakova ka ndryshuar, njerëzit dolën me lule nëpër rrugë…

LEXO DHE :  Kuçova baza e NATO-s, Rama tregon rritjen e buxhetit për Forcat e Armatosura

Çfarë ka ndodhur në fakt brenda Gjakovës kur ka qenë e mbyllur?

Ka pasur tmerrësisht shumë vrasje, është djegur pjesa e vjetër, Çarshia. Në Chabrat ka pasur vrasje, në qendër ku janë vrarë rreth 100 veta, më pas në fshatra, në Meje. Në varreza kanë qenë ata që janë vrarë por pak ditë para ardhjes së forcave ndërkombëtare varrezat kanë mbetur të zbrazëta. Pra, policia ka ardhur dhe ka hapur varret duke marrë kufomat. Askush nuk ka pasur ide se sa njerëz kanë mbetur në Gjakovë kështu që në momentin kur kanë filluar të dalin në rrugë u shokova kur pashë sa njerëz kishte. Kjo ngjarje në Gjakovë ka treguar në fakt se çfarë do të thotë kur një numër i madh njerëzish dalin në rrugë dhe tregojnë që nuk kanë frikë. Madje, edhe policia u frikësua, kjo ndodhi kur njerëzit dolën me lule në rrugë. Brenda gjysmë orë është ndryshuar situata plotësisht. Nga Gjakova e zbrazur me njerëz të fshehur që nuk kishin guxuar të dilnin për një momentin është bërë një qytet me plot njerëz që përshëndesnin me dorë, që mbanin lule dhe kjo tregoi se asaj frike të madhe dhe asaj lufte i erdhi fundi.

Tani jemi nëntë vjet pas asaj lufte dhe është përvjetori nga koha e bombardimeve. Në Serbi flitet që qëllimi i bombardimeve ka qenë krijimi i shtetit të NATO-s në Kosovë. Ku po shkon Serbia dhe a është ende vështirë për ju të thoni të vërtetën dhe a është vështirë për ju, liberalët, Chedomir Jovanoviçi etj?

Sikurse në çdo shoqëri pas lufte, e vërteta vështirë të pranohet. Më së paku, ka të tillë që dëshirojnë të dëgjojnë këtë të vërtetë dhe gjithmonë e më e vështirë është të përcaktohesh për këtë të vërtetë, pasi ajo flet për gjëra të vështira. Sa i përket Serbisë, pas ndryshimit të Sllobodan Millosheviçit po ecën në rrugë shumë të mirë në këtë moment. Në maj të vitit 2001, pushteti i zgjedhur ka publikuar të dhënat për varrezat masive, se një numër i madh i kufomave janë transportuar në Serbi për të fshehur gjurmët e vrasjeve. Kjo që ka bërë qeveria e re në krye kryeministrin Xhinxhiç, është diçka shumë e rëndësishme. Por, edhe në këtë rast ka pasur frikë për të folur pasi nuk ka qenë në tërësi demokratike pasi brenda saj ka pasur një pjesë që kanë qenë shumë të afërt me Sllobodan Millosheviçin. Edhe sot, ka akoma një pjesë të madhe njerëzish që nuk besojnë se në Serbi ka pasur varreza masive, që mbi 800 trupa shqiptarësh të Kosovës janë hedhur këtu në kohën e bombardimeve të NATO-s.

Ka të tillë që nuk besojnë. Madje edhe mes politikanëve ka nga ata që nuk mendojnë se pas luftës ka ardhur koha të krijohen marrëdhënie të mira. Unë personalisht mendoj se pushteti i sotëm nuk ua do të mirën serbëve, që serbët e Kosovës as që i interesojnë dhe prapë flitet për njëfarë territori dhe mendoj sesi mund të shfrytëzohen këta serbë vetëm që qeveria të përfitojë. Nuk ka asnjë nga këta politikanë në pushtet që mendojnë se çfarë është më e rëndësishmja në këtë moment pra, që e rëndësishme është të krijohen marrëdhënie të mira me Kosovën, që të ndihmohen serbët  në mënyrë që të jetojnë në një rreth shoqëror me njeri-tjetrin, të integrohen, që serbët dhe shqiptarët të jenë miq dhe që nga të dyja anët të nxjerrin të gjitha faktet për të kaluarën. Është e vërtetë që formacionet serbe, policia dhe ushtria dhe grupet e ndryshme vullnetare të formuara nga polica, kanë kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve. Janë bërë krime të tilla masive që shumë fshatra kanë mbetur pa meshkuj, shumë familje po ashtu pa meshkuj.

Po ashtu, edhe shoqëria kosovare do të duhet të përballet me atë që ka ndodhur pas atij qershori të ’99-ës kur ekstremistët në Kosovë konsideruan se fitorja u jep atyre të drejtën që Kosovën ta konsiderojnë vetëm si shqiptare dhe që serbët nuk duhet të jetojnë aty. Nga qershori deri në dhjetor 1999 një numër i madh i serbëve është vrarë, një numër i madh është zhdukur dhe ekziston një shifër që në atë kohë flitej prej 3500 serbë të vrarë dhe të zhdukur. Normalisht kjo i ka shërbyer pushtetit në Serbi, që tërë atë që ka ndodhur para saj ta ndryshojë më një tezë që shqiptarët, me mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare, kanë përndjekur dhe vrarë serbët. I kanë përndjekur në mënyra të ndryshme megjithatë, ajo që është e saktë është se shumicën e serbëve nuk i kanë përndjekur shqiptarët pasi shumica e tyre kanë shkuar së bashku me policinë dhe ushtrinë kur edhe ushtria dhe policia janë detyruar të largohen në pajtueshmëri me marrëveshjen e Kumanovës.

Kanë shkuar të gjithë ata që kanë qenë të përzier në krime të ndryshme, qoftë edhe kur i kanë treguar policëve dhe ushtarëve shtëpitë ku ndodhen shqiptarët apo kur kanë qenë të mobilizuar në njësi dhe kanë kryer krime. Por, është dëm i madh që ende nuk ka serbë në Kosovë që do janë të gatshëm të hapin këtë kuti të errët për të cilën duket se janë betuar të mos flasin. Pa këtë hapjen serbo-shqiptare, për çështjet e së kaluarës, është vështirë të vihet deri tek marrëdhëniet më normale. Por, në këtë moment, preokupimi shkon tek plani më ekstremist i qeverisë në një mënyrë jo normale, të pa civilizuar, jopolitik, jodemokratike. Po tentohet të krijohet një gjendje kaotike në Kosovë me mjete të ndryshme, me tentime për të vendosur një tren që shkon nga Serbia në Kosovë. Rezultat i kësaj ka qenë që serbët nga Fushë-Kosova, të cilët kanë shfrytëzuar një tren, nuk mund ta shfrytëzojnë më sepse nuk është më. Është bërë një tentativë për marrjen e pikave kufitare, që ka zgjatur një ditë, por UNMIK-u ua ka kthyer një ditë më vonë. Kemi një qeveri plotësisht budallaqe, të marrë, e cila tenton në të njëjtën mënyrë si në 1991-1992, të prodhojë kaos dhe dhunë dhe këtë ta shpallë si një fitore të sajën.

Shpresoj dhe dua të besoj, që në mes të serbëve në Kosovë, do të ketë të tillë që nuk do ta pranojnë këtë, që pavarësisht presioneve nuk do të lëshojnë pe duke nënshkruar marrëveshje me institucionet e Serbisë me pretendimin se zgjidhja e tyre se do të rrinë në shtëpi dhe do të marrin rrogat. Është një kohë kur duhet të krijohen marrëdhënie të mira mes shqiptarëve, serbëve, romëve dhe boshnjakëve dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në Kosovë.

A merrni ende mesazhe kërcënuese dhe a është vështirë të flitet për këto gjëra?

Ka kaluar një muaj nga mitingu “Kosova është Serbi” dhe duket se pak ka ndryshuar. Politika qartësisht tenton të vendosë sovranitet në enklavat serbe. Kërcënohen individët që thonë se për çfarë duhet e gjithë kjo. Është një tentativë për të tërhequr vëmendjen më këto aksionet, me trenin e me gjëra të tjera. Qeveria e Serbisë është shumë negative dhe punon kundër të gjitha parimeve që një shtet e obligon të punojë në krijimin e të mirës dhe stabilitetit. Sot, nga Serbia provokohet dhuna, provokohen incidentet, sot Serbia i dërgon porosi ekstremistëve që janë të lirë të shkojnë në Kosovë të krijojnë rrëmuja sepse kjo është normale dhe e lirshme.

Pse shkuat në ditën e Pavarësisë në Kuvendin e Kosovës dhe çfarë patë?

Unë kam shkuar sepse Fondi për të Drejtën Humanitare ka zyrën atje, ku punojnë kryesisht shqiptarë. Për ta kjo ka qenë një ditë shumë e rëndësishme, ka qenë e rëndësishme që dikush që drejton organizatën të jetë me ta atë ditë. Kur kam shkuar në Prishtinë, shumë miq kanë thënë më pas se për ne do të ishte me rëndësi dhe do të ishte shumë mirë që të ishe në Kuvend, të shihje se si duket kjo shpallje e pavarësisë. Unë e kam pranuar. Kam konsideruar se ajo që është me rëndësi për ta, për viktimat, është me rëndësi edhe për mua dhe më pas kam shkuar atje dhe jam ulur në atë galeri. Pranë meje kanë qenë miqtë e mi Veton Surroi, Ylber Hysa. Më duket se ka qenë një çast i mirë, një çast që për mua nuk ka qenë i ri. Unë këtë fitim të pavarësisë e kam kuptuar që ka ndodhur në qershor ’99, kur policia dhe ushtria serbe kanë marrë urdhër të tërhiqen dhe kur kanë pushuar së funksionuari të gjitha institucionet serbe. Ajo ditë, ajo situatë në Kuvendin e Kosovës, më është dukur bukur. Ishte një sallë e bukur, të gjithë kanë qenë të veshur bukur, në atë mënyrë edhe janë sjellë. Mysafirët kanë qenë të gëzuar që kanë pasur mundësi ta përcjellin këtë. Kishte buzëqeshje në fytyrat e të gjithë atyre që morën pjesë. Më pas, një festë në rrugë dhe nga ana tjetër një pamje nga Beogradi që dukej e errët.

Më vjen keq, shumë keq që në mesin e politikanëve serbë nuk ka pasur asnjë që të kuptonte se është në interesin e Serbisë që akti i pavarësisë të mos merret si një veprim kundër Serbisë por si një akt që do të ndihmonte në vendosjen e një bashkëpunimi të ri. Ekziston një situatë e rëndë, një situatë negative dhe nëse zgjedhjet në Serbi sjellin që këta që janë në pushtet, pasi kanë humbur kuptueshmërinë, të humbasin edhe votat dhe zërin e tyre atëherë, kjo do të ishte pozitive për Serbinë dhe për serbët në Kosovë. Por, nëse mbetet ende shprehja “Kosova është Serbi”, nëse Serbia vazhdon të merret me Kosovën në këtë mënyrë, kjo s’do të jetë mirë për askënd.

Çfarë prisni nga zgjedhjet dhe çfarë prisni të ndodh në Serbi apo në Kosovë, që shqiptarët dhe serbët të jenë fqinj të mirë dhe kur mund të ndodhë kjo?

Në këtë moment shqiptarët janë shumë të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe tolerantë përkundër Serbisë e cila dërgon tone negative, pamje negative, asgjë miqësore madje, as ndaj serbëve nuk ka asgjë miqësore por vazhdimisht flet për territore dhe kthim të sovranitetit. Ajo që unë do të doja është që në zgjedhje të fitojnë forcat pro evropiane, të cilat publikisht do të luftojnë, do të mbështesin dhe  paraqesin marrëdhëniet e mira me fqinjët, gjë e cila është me rëndësi në situata të tilla. Të provohet të vendosen marrëdhënie të mira me shqiptarët, të integrohen serbët dhe shqiptarët të tregojnë solidaritetin e tyre. Kjo është ajo që unë do të doja. Nuk shoh vërtetë një gatishmëri nga pala serbe që diçka e tillë të fillojë në Kosovë dhe kam frikë se kjo situatë, të them armiqësore nga ana serbe, do të vazhdojë me rritjet të negativitetit edhe pasi të mbarojnë zgjedhjet dhe pasi të krijohen koalicionet paszgjedhore. Nga Presidenti i Republikës kam pritur më shumë. Jo vetëm që ai do të ndërpriste koalicionin ku nuk i takonte të rrinte por edhe që do të zgjidhte një rrugë tjetër, një rrugë të re që shkon nga integrimi dhe miqësia në rajon. Por, këtë nuk po e shoh. Kam një frikë të vazhdueshme që kjo njëanshmëri do të vazhdojë dhe do të jetë në fuqi edhe për shumë kohë./Dritare.net

*Më datën 31 janar 2018 senatori amerikan Roger Wicker dhe përfaqësuesi Eliot Engel nominuan Natasha Kandiçin dhe Fondin për të Drejtën Humanitare për Çmimin Nobel për Paqe 2018. FDH, themeluar nga Natasha Kandiç, është sot i vetmi institucion i besueshëm që ka dokumentuar luftën në Kosovë dhe krimet e bëra në të.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.