Myslim Murrizi nuk ka nevojë për mbrojtjen e PS-së

Nga Dritan Hila

Muslim Murrizin e kam njohur si personazh publik kur rrjetet sociale publikuan një video ku ai shante një polic rrugor në Tiranë.

Ngjarja po ndodhte ditët kur ishte ngritur çadra e famshme.

Ndoshta nga tensioni apo teoritë komplotiste me të cilat jemi rritur ne shqiptarët, Myslimi mendonte se qeveria e kishte venë në shënjestër dhe po e persekutonte, ndaj ju shfry një polici.

Mu duk gjë e shëmtuar. Madje ishte e shëmtuar.

Ngjarja ndodhte pak ditë pasi Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, i PS, ishte filmuar duke i bërtitur i një hallexheshe që po e priste tek dera e bashkisë, se do ti fuste portofolin në gojë.

Nxitur nga këto ngjarje bëra edhe një artikull me titull “Lushnja nuk ka shpresë”, ku thelbi ishte se si nga PD ashtu edhe PS, ishin vënë në krye njerëz të dhunshëm.

Më vonë, pas zgjedhjeve, në një nga emisionet e mia, nuk e mbaj mend nëse e nisi PD si përfaqësues të saj në debat apo e thirra unë, prisja që pas emisionit të ikte, ashtu sikurse bëjnë shumica e politikanëve qe prezencën në media e quajnë detyrë ushtarake dhe jo marëdhënie njerëzore. Por pranoi ftesën për kafe. Biseda ishte pa asnjë lloj ngërçi. Që nga ajo herë kemi ndejtur dhe dy herë të tjera për kafe pas emisioneve, dhe konstatimi im është se personaliteti i Murrizit është i njëjti si në publik edhe në jetën private: reaktiv, me gjuhën me kolorit, antikomunist genuin, dhe larg klishesë së lalës, që qarkullon.

Nga shumë politikanë që kanë ardhur në studion time, ai është nga të paktit që nuk përdor gjuhën e drunjtë që ju mëson partia, apo nga ata qe sot cilësohen se “fusin kasetën” në ligjërime. Qëndrimi që ka mbajtur ndaj temave nuk ka qënë ai i ngurtë i PD, por ka pasur edhe nuancat e tij personale, çka e bënte simpatik për publikun dhe kjo pasqyrohej me ndjekshmërinë. Dhe nuk ishte me dy qëndrime: një para kamerave dhe një tjetër jashtë saj.

LEXO DHE :  Alban Skënderaj dhe Miriam Cani publikojnë këngën e dhimbshme për nënat që nuk jetojnë më

Kur PD dogji mandatet, një parandjemjë më thoshte se Myslim Murrizi nuk do ti nënshtrohej kollaj. Nuk e mendoja deri tek refuzimi. Por nuk u habita kur e bëri.

Në perceptimin tim, qëndrimin e tij më shumë sesa ndikim i teorive komplotiste të blerjes nga ana e PS, e lidh me karakterin e tij abraziv dhe kryeneç.

Tani që zaret jane hedhur dhe Myslimi e ka kaluar Rubikonin e vet, ka nisur fushata partiake për ta përdorur.

Nga një krah është partia e tij e origjinës e cila e përjashtoi menjëherë dhe ka nisur bombardimin mediatik. Është e kuptueshme pasi në një betejë frontale që ka nisur i duhen rradhë të shtrënguara dhe të dekurajojë të tjerët që mund të mendojnë të ndjekin shembullin e tij. Nuk e di a është produktive pasi  një parti që kërkon konsensus nuk është nevoja të linçojë njerëz. Në historinë e saj PD është mësuar të blejë deputetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës apo të kooptojë ata nga partia rivale. Për mos folur pastaj per shkëmbim deputetësh. Ndaj nuk ka pse e bën ndaj dikujt që realisht është i djathtë.

Sa i takon PS, ndihma më e madhe që mund ti japë Murrizit, është që mos nxjerrë në mbrojtje të tij, eksponentë të saj që jo vetëm nuk i ngjanë Murrizit si karakter, por nuk kanë karakter fare. Mbrojtja që i bën PS Murrizit jo vetëm që nuk është diversion në rradhët e PD, por ndihmon atë në etiketimet që i bën si tradhëtar dhe dekurajon të tjerë që kanë në mend ta bëjnë, pasi do sulmohen si spiunë.

Sa për ata që jamë ende në llogoret partiake, dua të sjell vetëm një fakt historik. Në vitin 1814, një e treta e deputetëve francezë të mbretërisë së restauruar pas rënies së Napoleonit, ishin ish revolucionarë te 1789-ës që kishin përmbysur mbretin dhe tashmë ishin në rradhët e tij./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.