Nga Gilman Bakalli
“E vetmja gjë, të cilës nuk i rezistoj dot, është tundimi” –thotë Woody Allen. Nëse pakkush mund t’i rezistojë tundimit, akoma më të paktë janë ata që i rezistojnë tundimit për të shkatërruar njerëz në emër të moralit. E ka këtë anë të rrezikshme morali! Në emër të tij mund të bësh namin. Sidomos kur vjen puna për të ndëshkuar armiq e rivalë politikë. E ka këtë anë të rrezikshme edhe interneti. Është një lloj Hiroshime, sa i takon lehtësisë së papërballueshme, me të cilën ti shkatërron jetë njerëzore. Shtyp një buton avioni, diku mijëra kilometra lart në qiell dhe poshtë teje bëhen hì qindra mijëra jetë njerëzish. Shtyp butonin “send” të tastierës diku në cepin e errët të një dhome dhe nuk arrin ta shquash dhimbjen e viktimës, që brenda disa sekondash ua ke hedhur për ushqim qindra mijëra hienave online. I kemi parë këto hiena para do kohësh nëpër rrjete sociale, kur, në emër të moralit, iu vërsulën gazetarit Sokol Balla dhe politikanit Dritan Prifti. Po i shohim edhe këto ditë nëpër portale online duke iu ndërsyer deputetes maqedonase Ermira Ahmeti. Dhe e gjitha kjo, në emër të moralit!
Janë bërë e bëhen luftëra të shenjta në emër të moralit. Edhe ata që janë kundër abortit apo aktit seksual paramartesor, në emër të moralit flasin e veprojnë; edhe ata që rrëmojnë në jetën private të një deputeteje si Ermira për ta rrënuar atë si individ e politikane, në emër të moralit e bëjnë! Në emër të moralit, kundërshtarët e abortit, me argumentin e mbrojtjes së jetës së individit, vrasin mjekun. Në emër të moralit, puritanët e portaleve online, të vet-emëruarit si mbrojtës të higjienës në ngrehinën e moralit, denigrojnë individin për një devijim nga norma, arsyet e të cilit ende s’i dimë. Mos harroni që edhe ajo breshëria e gurëve mbi kokën e asaj vajze të shkretë iraniane që e akuzonin për tradhti bashkëshortore, mbi bazën e disa parimeve morale bëhej, sigurisht! Kujt i shërben ky dënim publik? Nga kush duan të na mbrojnë fundamentalistët moralë me agresivitetin e tyre publik? Nga vetja e tyre? Morali nuk e justifikon dot mjetin! Kujt i shërben një moral që ushtrohet me koston e dehumanizimit të qenies njerëzore! Ka gjithmonë diçka çnjerëzore në ato situata sociale kur vendos të veprosh ekskluzivisht në emër të një rendi më të lartë, suprem – qoftë princip, maksimë apo normë. Mendoni pak kundërshtarët radikalë të abortit në Amerikë, të cilët në mënyrë të përsëritur e marrin në dorë të drejtën për të vendosur për të tjerët. Jo rrallë ata kanë vrarë mjekë, të cilët kanë kryer aborte. Vrasje të cilat i kanë kryer në emër të shenjtërisë së jetës për të gjithë, edhe për ato që ende s’kanë lindur!!!!
Duket se shoqëria e ka të pamundur të jetë edhe morale edhe humane! Epo dikush duhet të flasë jo vetëm në emër të moralit, por edhe “në emër të të dëmtuarve” nga morali ynë i dyfishtë, hipokrit dhe agresiv i fundamentalistëve moralë, të cilët duan me çdo çmim të imponojnë idealet e tyre. Sepse thelbin e çdo sistemi moral e përbën elementi human.
Rasti i Ermirës dhe linçimi i saj publik nxjerr në pah edhe një problem tjetër themelor: Të jesh i ndershëm/e ndershme është thjesht një vlerë ndër vlerat e tjera. Dhe sigurisht aspak vlera supreme! Rasti i Ermirës ngre edhe problemin e vlerës që kanë normat në shoqëri: Ato duhen respektuar, sigurisht, por nuk duhen marrë kaq seriozisht. E aq më pak duhen marrë seriozisht në kurriz të dinjitetit njerëzor. Çdo virtyt moral, edhe urdhëresa e 7-të (“ti nuk duhet të vjedhësh!”), kthehet në një mizori kur merr statusin e një rregulli me fuqi të pakufizuar. Kush do të mundte të ishte përjetësisht i drejtë, i ndershëm, i sinqertë, empatik e kështu me radhë? Fundja, kush do të donte edhe po të mundte?!
Një shembull simpatik që ilustron se sa e rrezikshme do të ishte ta merrje moralin ekstremisht seriozisht dhe në dëm të humanizmit, jep shkrimtari anglez William Makepeace Thackeray (1811–1836). Në një shkrim me titullin On being found out të vitit 1861, ai analizon konceptin e një shteti ku mbisundon e vërteta dhe drejtësia absolute.
“Imagjinoni sikur çdokush që bën një padrejtësi të zbulohet, të kapet dhe të ndëshkohet për këtë. Mendoni pak për gjithë ata djem nëpër shkolla që duheshin ndëshkuar paq…. pastaj mësuesit e tyre me gjithë drejtorët… Imagjinoni edhe gjeneralin e përgjithshëm në pranga pasi ka qenë edhe ai dëshmitar i ndëshkimit të të gjithë ushtrisë së tij… para se të pranonte fajin, do ta kapnim edhe peshkopin dhe do ia këpusnim edhe atij ca shpulla e shkelma. Pas tij mund t’i vinte radha edhe atij ofiqarit të lartë që e ka emëruar atë…Grushtet s’kanë të sosur, dora të paralizohet nga gjithë ato padrejtësi që ajo duhet të ndreqë. Sa i gëzuar jam që nuk zbulohemi të gjithë dhe po e përsëris, të dashur vëllezër, protestoj që secili prej nesh duhet të marrë atë që meriton!”
Cili nga fundamentalistët moralë të portaleve online do të gëzohej po të shihte çdo ditë prozhektorin moral të shoqërisë t’i drejtohej vetes së tij? Sa do mund t’i rezistonin dritës verbuese së këtij prozhektori vetja dhe bëmat e tij? Duhet t’i japim të drejtë Thackerey-t. Plotësisht! Dhe të pranojmë qetësisht se asnjë sistem normash sociale nuk mund t’i ekspozohet totalisht një transparence të plotë sjelljeje pa u budallallepsur e tëra. Një shoqëri, e cila e ngre sistemin e saj moral mbi bazën e një imazhi të idealizuar të njeriut rrezikon ta kthejë moralin në një armë të rrezikshme sociale. Një shoqëri që zbulon dhe e ndëshkon disproporcionalisht individin për çdo sjellje devijante, sado e vogël qoftë ajo, do ta shkatërronte sakaq vlefshmërinë e normave të saj./mapo.al