Meta takim me zv. kryeministrin e Kosovës, diskutohet çështja e Rrugës së Kombit

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Fatmir Limaj, në lidhje me bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë. Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Presidenti Meta bën me dije, së pjesë e diskutimeve ka qenë edhe çështja e “Rrugës së Kombit”. “Mirëmbajtja dhe rritja e standardeve të lëvizjes dhe sigurisë është shumë e rëndësishme, por çdo vendim në këtë drejtim duhet të jetë i mirë studiuar dhe i konsultuar, në mënyrë që ky korridor kombëtar jetik të gjenerojë edhe më shumë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët tanë”, shkruan Ilir Meta.

Statusi i plotë:

Ishte kënaqësi të prisja sot Zëvendëskryeministrin e Kosovës, z.Fatmir Limaj, për të shkëmbyer mendime për rritjen e bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë.

Ndamë të njëjtën bindje se Rruga e Kombit është investimi më madhor që kanë bërë dy vendet tona, e cila ka ndihmuar ndjeshëm rritjen e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve dhe qytetarëve tanë.

Mirëmbajtja dhe rritja e standardeve të lëvizjes dhe sigurisë është shumë e rëndësishme, por çdo vendim në këtë drejtim duhet të jetë i mirë studiuar dhe i konsultuar, në mënyrë që ky korridor kombëtar jetik të gjenerojë edhe më shumë zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët tanë. V.D/Dritare.net/

Komentoni