Mësuesit e gjimnazit "Faik Konica": Zv.ministrja Nora Malaj u bëri presion nxënësve
Dritare.net
Nga Dritare.net
Më 14 nëntor , rreth 25 mësues së bashku me drejtorin dhe nëndrejtoreshat e gjimnazit jopublik “Faik Konica”, janë pushuar nga puna.
Sipas tyre, urdhëri i ardhur nga pronari i shkollës, Alfred Gjata, ka qenë pa paralajmërim paraprak dhe një ditë pasi u pushuan nga puna, procesi mësimor do të drejtohej nga një staf i ri.
Gjithçka nisi me përjashtimin e drejtorit të gjimnazit “Faik Konica”, Jetmir Aliçkaj, që sipas mësuesëve ishte i padrejtë dhe pa arsye konkrete. Edhe pse pronari i shkollës, Gjata, ka thënë se drejtori dhe zv. drejtoresha kishin vonuar aplikimin e projektit gjerman në shkollë. Gjë të cilën, Aliçkaj e ka përgenjështruar duke thënë se ata ishin iniciatorw që kishin bërë të mundur marrjen e lejes për këtë projekt dhe që projekti kishte filluar që ditën e parë të shkollës.
Me largimin e stafit drejtues, edhe stafi pedagogjik do të largohej nga puna.
Tre mësues të larguar nga shkolla “Faik Konica”, tregojnë për dritare.net, si nisi konflikti dhe përse më shumë se 25 mësues zëvendësohen në një kohë prej 24 orësh, nga një staf i ri.
Ma. Eriola Gjini, mësuese sociologjie dhe edukimi për karrierën, thotë se Alfred Gjata, e kishte paramenduar më parë për t'i pushuar nga puna, pasi stafi e nisi vitin e ri shkollor pa kontrata pune.
“Kërkuam një rritje, e cila në të vërtetë ishte më tepër simbolike, prej 20 mijë lekësh të rrogës sonë dhe na u bë e ditur se kjo kërkesë e jona ishte miratuar. Por në momentin që ne morëm rrogën, pamë që nuk kishte asnjë shtesë të bërë atje.
Në 14 nëntor, drejtori i shkollës Jetmir Aliçkaj, shkon te pronari për të folur mbi këtë gjë. Por z.Alfred Gjata, mohoi se kishte rënë dakort për një vendim të tillë dhe aty pushoi drejtorin.
Me arrogancën më ta madhe na tregon derën edhe ne, stafit pedagogjik.
Të nesërmen kur shkojmë ne në shkollë, për të bërë një takim me pronarin, por edhe nxënësit e prindërit, ne shohim që të gjithë mësuesit ishin zëvendësuar. I shihnim teksa ecnin në korridore me regjistra në dorë. Por si mund të ndërrohet stafi në 24 orë, e të gjendet një staf i kualifikuar? Prandaj kjo na bën të besojmë që pronari e ka menduar që më parë për të na pushuar nga puna.
Tjetër gjë e rëndë është që ne nuk kemi kontrata, çdo vit bënim kontratën. Por këtë vit kishim që në muajin shtator kur nisi viti akademik, ne kemi qenë pa kontratë.”
Për ta mungon transparenca dhe i bëjnë thirrje mediave dhe institucioneve përkatëse t'i një vëmendje më të madhe, pasi kjo çfarë ndodhi me ta është shenja e një sistemi arsimor të dështuar dhe me shkelje të rënda ligjore.
“Është e turpshme që kanë ardhur tre media, intervistojnë , por asgjë nuk publikohet. Për të mos folur për heshtjen e institucioneve arsimore, të cilëve iu interesoi vetëm që nxënësit të hynin në klasa e të mos bojkotonin më mësimin.”- tha për dritare.net Eriola.
Ndërkohë Dallandyshe Ago, mjeshtre sporti, edukim fizik, tha se Zv.ministrja, Nora Malaj, i ka bërë presion nxënësve për të hyrë në mësim.
“Zëvëndësiministrja ka shkuar në shkollë dhe ka ushtruar terror te nxënësit që refuzonin të bënin mësim pa u zgjidhur ky problem, duke thënë që le të bëhet mësim, të merren mungesat e të përjashtohen ata që nuk hyjnë në mësim. Nuk është kjo gjuha që duhet përdorur me ta, në fillim duhet të hysh në brendësi të situatës, të flasësh me ta e t'i dëgjosh.”
Dr. Rajmond Pengu, mësues ekonomie ka thënë për dritare,net se e vetmja mënyrë që stafi të rikthehet në shkollën “Faik Konica”, është nëse drejtori Jetmir Aliçkaj rikthehet në pozicionin e tij.
“Ne do të kthehemi në shkollën Faik Konica, nëse rikthehet drejtori Jetmir Aliçkaj.
Ne kërkojmë që kjo shkelje e rëndë që është bërë, të njihet ligjërisht nga organet kompetente. Si ka mundesi qe shteti nuk kontrollon sistemin arsimor dhe nuk do t'ia dijë për problemet te privati, duke pasur parasysh fatin e mësuesve që hidhen në rrugë për një kapriço dhe nxënësve. Mendoni pak për ata nxënës, sa të çorientuar që ndjehen tani, veçanërisht maturantët, pasi si mëson një mësues nuk e bën një tjetër.”- thotw mesuesja per dritare.net.
Reagimi ka qenë i menjëhershëm edhe nxënësit të cilët kanë organizuar edhe një peticion që kërkojnë kthimin e mësuesve në shkollë dhe drejtorit të tyre, por sipas mësuesëve ai nuk është marrë parasysh nga ana e pronarit. Ndërkohë sipas mësuesëve, disa prindër kanë bërë çrregjistrimin e rreth 30 nxënësve nga shkolla.
“Shkolla nuk kuptohet pa mësuesin, nuk është e rëndësishme që nxënësit të jenë brenda në klasë, pasi kjo nuk do të thotë që bëhet mësim. Nxënësit prandaj kanë ngritur zërin, pasi edhe atyre I’u duket një padrejtësi e madhe, që pasi kanë krijuar një raport aq të fortë me ne, ashtu siç edhe ne me ta, tani të zhvillojnë procesin mësimor me një staf të ri, që nuk e njohin fare.
Nuk ka prind që e çon fëmijën e vet në një shkollë ku nuk njeh stafin mësimor dhe ne na marrin çdo ditë prindër që na pyesin. Kjo pasi ata e kanë krijuar besimin te ne dhe e dinë sa të kualifikuar jemi. Ne madje kemi të dhëna që familjarët po i heqin fëmijët nga shkolla vetëm për këto arsye, pasi shkollën “Faik Konica” e ka ngritur stafi pedakogjik dhe puna e drejtorit, por tani që asnjë prej nesh nuk është, ne dimë që të paktën 30 nxënës janë ç'rregjistruar.
Në një situatë ku nuk ka transaperencë të plotë, mësuesit shprehen se çështja e shkollës “Faik Konica”, duhet të shihet si një problem që prek gjithë shoqërinë, pasi ngjarje të tilla mund të ndodhin përsëri.
“Kjo situatë e “Faik Konicës” nuk është vetëm një çështje e shkollës, këtu dalin në pah problematikat që ka shoqëria shqiptare, marrëdhëniet privat-publik, marrëdhëniet me institucionet shtetërore dhe në fund zgjidhja, që në të vërtetë zgjidhje nuk ka. Kjo ngjarje është një turp për arsimin shqiptar dhe frika ime është që ky rast mund të përsëritet nesër dhe ne nuk duam që gjëra të tilla të ndodhin përsëri. Kjo është dhe një nga arsyet përse ne do ta çojmë deri në fund.”- përfundon Eriola./ dritare.net