Nëse Oliver Ivanoviç do të ishte vrarë 25 vjet më parë, Milosheviç do ta kishte shfrytëzuar dhe, sot në darkë shtëpitë e Kosovës do të ishin nën ankthin e paramilitarëve që do iu trokisnin te dera. Në rrugët e Mitrovicës do dëgjoheshin hapat e çizmeve dhe krisma. Por kohët kanë ndryshuar. Në Mitrovicë shqiptarët që u telefonuan ishin ende në gjumë dhe lajmin e morrën nga telefonuesit nga Tirana. Në Beograd është një djalë pragmatist si Vuçiç i cili ka mësuar se rruga e mentorëve të tij, Sheshel dhe Milosheviç të çon vetëm në Hagë. Rrugë e cila t'a jep mundësinë të të ngrenë këngë me guslë, por pas vdekjes. Ndaj është bërë më pragmatist.
Kjo vrasje ka pak gjasa të jetë shtyrë nga ekstremistët shqiptarë. Komandantët e luftës kanë halle të tjera. As Rusia nuk ngjan të ketë gisht, llogjikuar me mendje të ftohtë. Pasi në Beograd askush nuk është entuziast të djegë veten për Moskën dhe Moska ka të tjera halle afër kufirit të saj. Dhe as klima botërore nuk është ajo që mundëson nxitjen e një konflikti.
25 vjet më parë , kasta e komunistëve të ish Jugosllavisë donte një breg mbijetese dhe gjeti nacionalizmin. Bota ishte në kaos nga rënia e Bashkimit Sovjetik dhe pak veta kishin vullnet të merreshin me një cep të humbur të Ballkanit. Derisa pamjet e Srebenicës prekën amerikanët; dhe më vonë kolonat e refugjatëve kosovarë shkaktuan ndërhyrjen e NATO-s duke sjellë paqen në rajon.
Dorëzimi i kriminelëve të luftës nga palët ndërluftuese ndodhi bashkë me rënien e ideologjive të vjetra si komunizmi dhe nacionalizmi dhe një brez i ri pragmatist erdhi në fuqi në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Të cilët prunë frymën e globalizmit e shoqëruar me mungesën e parimeve. Ivanoviç ishte një mishërim i këtij tranzicioni kompleks, ndërthurur në një person. Nga fajkua, ai ishte bërë një pionier i bashkëpiunimit me shqiptarët. Me gjasë fryma e tij më shumë ka shkaktuar bezdi në segmentë kriminalë lokalë që iu intereson një Mitrovicë në gjendjen aktuale, ku mbretëron mungesa e pushtetit dhe Beogradi nuk ka fuqi juridike, ndërsa Prishtina është e frikësuar të ushtrojë sovranitetin e saj.
Gjithsesi më shumë sesa sinjal për konflikte të reja, vrasja e Oliver Ivanoviç duhet të shërbejë si argument për stabilizimin e kësaj treve të veriut të Kosovës. Mitrovica nuk mund të lihet një konflikt i ngrirë në zemër të Evropës. Njohja e sovranitetit të Prishtinës mbi këtë krahinë duhet të jetë kusht për Beogradin në bisedimet e tij me BE, ashtu siç demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është kusht për Kosovën që të hapë negociatat për në BE. Konfliktet etnike duhet të marrin fund.
Përpara 25 vjetësh vrasja e Oliver Ivanoviç do të mjaftonte të shkaktonte një banjë gjaku. Sot, në mbrëmje është harruar dhe lajme të tjera kanë marrë krahë. Ngjan se Ivanoviç është një vrasje e sjellë nga kohë tashmë të harruara, por që tregon se sa i paqetë është ky gadishull dhe se nuk duhet lënë në vetminë dhe harresën e tij, pasi e ka shumë të lehtë të ringjallë demonët e së shkuarës./dritare.net