Mes stomatologjisë dhe Botërorit/ Fjoralba, vajza që sfidoi modelin e gazetares sportive
Dritare.net
E bukur dhe plot talente!
E kemi dëgjuar kaq shumë këtë shprehje, aq sa kemi filluar të dyshojmë në vërtetësinë e saj kur shohim ekrane të mbushura me fytyra të bukura, por që nuk përcjellin asnjë lloj vlere. Thjesht kukulla që mbushin hapësirën mediatike e që shërbejnë për të kënaqur syrin, vetëm kaq…
Por, përtej mbingopjes me këtë fasadë, ekziston edhe një realitet tjetër, i përfaqësuar nga femra që përveç bukurisë, zotërojnë edhe vlera, që i bëjnë ato, në fund të fundit, të dobishme për një shoqëri të varfër nga pikëpamja intelektuale.
Femra që të frymëzojnë! E këtu nuk e kam fjalën për femrat që kanë bërë historinë e botës, por për ato vajza që çdo ditë mundohen t’ja dalin duke punuar fort, për ato vajza si Fjoralba Ponari.
Emri i Fjoralbës nuk është i panjohur, pasi ajo ka qenë pjesë e “The Voice Kids” së pari si konkurente, e një sezon më vonë, edhe si prezantuese.
Prej 14 qershorit, 24-vjeçarja Fjoralba Ponari do të jetë shoqëruesja e Edi Manushit, gjatë këtij sezoni në “Top Arena”, një emision që i dedikohet Botërorit.
E lindur në një familje mjekësh, Fjoralba ka vendosur të ndjekë profesionin e babait të saj, duke u diplomuar në Stomatologji, e duke e ushtruar prej disa vitesh këtë profesion.
Duket se bukuroshja ka vendosur të sfidojë veten dhe të tregojë se vullneti dhe pasioni janë çelësi për t’ja dalë në jetë: duke qenë prezente në ekranet tona çdo mbrëmje, por njëkohësisht duke vijuar dhe profesionin e saj, prej të cilit, pavarësisht rritjes së famës, nuk do të heqë dorë.
Brishtësia që shfaqet në pamjen e saj të jashtme, në fakt është një gënjeshtër e aparencës, pasi Fjoralba përfaqëson vajzat me karakter të fortë, ato të cilave nuk u mungon as talenti, as dëshira për të punuar.
Stomatologjia dhe bota sportive janë kthyer tashmë në dy pjesë të pandashme të bukuroshes që dëshiron t’i bëjë të gjitha.
Fjoralba nuk është imazhi tipik i një gazetareje sportive: ajo ka zgjedhur t’i japë një tjetër frymë emisionit sportiv, e siç thotë ajo në intervistat e realizuara në programe të ndryshme, nuk do të dalë nga natyra e saj serioze, e për publikun do vijë e veshur sport, ashtu siç i pëlqen të jetë edhe në jetën e përditshme.
A është Fjoralba një model i ri i gazetares sportive? Sigurisht që ajo ka vendosur të “thyejë” disa rregulla të vendosura më parë, e të thyejë modelin “klasik” të gazetareve sportive (me të cilat na është lodhur syri).
Po t’i hedhësh një vështrim profileve të rrjeteve të saj sociale, zbulon se Fjoralba ka dhe një tjetër pasion: pikërisht udhëtimet dhe duket se bukuroshja e “Top Arenës” është më tepër e fokusuar t’i prezantojë publikut gjërat që ajo di të bëjë dhe jo bukurinë fizike.
Duket se Fjori premton..
Imazhi i vajzës që me zërin e saj fitoi zemrat e publikut, vajzës që me përkushtimin në profesion i dha një arsye më shumë për të buzëqeshur njerëzve, tashmë ka vendosur një tjetër sfidë.
Fjoralba nuk dëshiron ta krahasojnë me të tjerat dhe duket se ka vendosur t’i shkojë deri në fund “punës” me origjinalitetin e saj.
A do ia dalë vallë ajo?/Dritare.net/