Kongresi i Partisë Socialiste prodhoi më shumë politikë se sa pritej. Duke qenë se ishte një Kongres i paralajmëruar si një formalitet burokratik, ai në të vërtetë arriti të bëhej një Kongres real për shumë arsye. Por mbi të gjitha, dhe për fuqinë që ka e majta tradicionale shqiptare për debate reale.
Së pari, Partia Socialiste arriti të ndërtojë një statut të ri, i cili në të vërtetë e lidh ngushtë fatin e udhëheqësit të partisë, me aftësinë e tij për t’i çuar në fitore pushteti. Kështu që, të gjithë ata që mendojnë se Edi Rama ka çimentuar të ardhmen në PS me këtë statut, në të vërtetë ka i vënë pikëpyetje të ardhmes së tij, nëse ai humbet zgjedhjet.
Së dyti, Blushi legjitimoi veten si kundërshtar i Edi Ramës në parti, dhe i rrethit politik të tij, duke marrë atë që nuk do ta merrte kurrë, nëse Kongresi do ishte bërë në vitin 2013, apo nëse do të procedohej me zgjedhje formale për kryetar. Ai ka sot pas vetes më shumë se mbështetësit e tij, kundërshtarët e Edi Ramës për 100 arsye.
Së treti, në asnjë parti tjetër të madhe në Shqipëri, nuk ka pasur ndonjë debat të tillë, rreth shkeljeve statuore, me kaq shumë këmbëngulje. Kjo është një kulturë e re për partitë poltike shqiptare, ku statutin nuk e njeh askush, ndonjëherë as kryetarët. Për shembull në PD nga prilli i 2005, zgjedhejt e reja për parti përfunduan në vitin 2013 dhe Topalli e Bode dorëzuan në korrik të 2013, detyra që i kishin marrë nga Kuvendi i prillit 2005. Deputete si Hafizi dhe Dade, treguan se kultura e debatit është ende pjesë e Partisë Socialiste dhe kjo është shenjë e mirë.
Së katërti, Kongresi demonstroi një parti të rinuar socialiste, me fytyra tërësisht të reja, por ata që diktuan llogjikën politike të Kongresit ishin figurat politike tradicionale të saj. Qëndrimi i Majkos për zgjedhje të parakohshme lidhur me reformën në drejtësi, qëndrimi i Braçes ndaj koncesioneve, qëndrimi i Ruçit ndaj historisë së PS, fjalimi i Ilir Metës dhe nevoja për një të majtë të bashkuar etj, ishin elementët më politik të Kongresit, që tregon se në politikë nuk mund të emërohesh, por duhet të lësh gjurmët e tua. Kongresi po ashtu frenoi përpjekje klienteliste për të eksperimentuar struktura klanore brenda partisë, siç është rasti i Kokëdhimës
me projektin pilot të rajonit të Jugut.
Së pesti, socialistët po dëshmohen si forca me mbështetjen më të madhe perëndimore në Shqipëri. Një ditë para Kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri i tyre është ftuar zyrtarisht në Shtëpi të Bardhë, dhe kjo është hera e parë që një kryeministër i Shqipërisë është ftuar zyrtarisht në Shtëpi të Bardhë si kryeministër. Si president është ftuar Sali Berisha në dhtator të vitit 1995, por si kryeministër askush, pavarësisht se mund ta kenë vizituar Shtëpinë e Bardhë për vizita pune. Dhe kjo është një avantazh i së majtës shqiptare dhe një shenjë e zhdukjes së paragjykimeve historike që ekzistojnë për të nga Perëndimi.
Tani mbetet të shikohet se si do funksionojë politikisht Partia Socialiste me mandatin e ri, që lidh të ardhmen e kryetarit, me të ardhmen e kryeministrit. Duhet të shikojmë nëse kundërshtarët e Ramës brenda partisë, do luftojnë tani e tutje si socialistë për ta rrëzuar nga kryetar Ramën, që të bëhen kryeministra, apo si opozitarë për ta rrëzuar nga kryeministër, që të bëhen kryetar./gazetatema.net