Media zvicerane reportazh për Shqipërinë e bukur

“Gjiri i Vlorës në jug të Shqipërisë, vetëm disa kilometra nga Greqia, aty arkeologët kanë lënë që të takohen. Atje ku gurët që rrihen nga dielli ruajnë me xhelozi sekretin e tyre të varrosur”, përshkruhet ndër të tjera në dokumentarin e realizuar nga Radio Televizioni Zvicerian për zonën arkeologjike të Orikumit.

Dokumentari pasqyron udhëtimin e arkeologëve të Universitetit të Gjenevës në Shqipëri por edhe misionin e tyre të veçantë në bashkëpunim me homologë të tyre nga Tirana.

E ftuar për të komentuar këtë reportazh në Radio Televizionin Zvicerian,  për udhëtimin e arkeologëve, të cilët janë angazhuar të bëjnë gurët të flasin, ato të zonës së Orikumit, në jug të Shqipërisë dhe përpiqen gjithashtu të zbulojnë enigmën e historisë së rrënjëve tona,  ishte Albana Krasniqi drejtoreshë e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë.

E pyetur se cili është qëllimi i institucionit që drejton prej 10 vitesh, Krasniqi shprehet se “qëllimi kryesor është integrimi i popullsive të huaja që vijnë në Zvicër, në fillim ishte për popullsitë ballkanike që vinin nga Ballkani në periudhën e luftës”.

“Por, aktualisht, pas gati 20 vitesh eksperiencë, kemi vënë në dispozicion të personave me leje qëndrimi dhe të migrantëve të tjerë, eksperiencën dhe ekspertizën tonë dhe aktualisht kemi më shumë se 45 kombësi të ndryshme që frekuentojnë kurset dhe mësimet tona”, thekson Albana Krasniqi.

Më tej reportazhi prej mëse 1 orë, pasqyron gjurmët e udhëtimit të arkeologëve nga Gjeneva në  Jug të Shqipërisë.

“Guri është jeta, mbi të gjitha për arkeologët sepse ne i bëjmë gurët të flasin dhe qëllimi i arkeologjisë është që të transmetojë njohurinë tek njerëzit, pra arkeologjia nuk është një punë në izolim. Është e vërtetë që na jep kënaqësi, përpiqemi të kuptojmë atë që zbulojmë. Por më e rëndësishmja në jetën e një arkeologu, ose të paktën në jetën time është që të ndajë njohuritë, zbulimet me publikun”, shprehen ata.

“Zona arkeologjike e Orikumit është pjesë e një bashkësie gjërash. Laguna, malet dhe më pas të gjitha së bashku deri këtu tek Kisha e Marmiroit, që është një kishë e vogël bizantine e rrethuar nga një gjelbërim i jashtëzakonshëm, insekte, zogj, ka një paqe… personalisht e pëlqej shumë këtë vend. Ideja për të kombinuar historinë dhe mjedisin ka lindur mjaftueshëm shpejt dhe mjafton të shëtisësh këtu për ta kuptuar përse. Kjo godinë është ndërtuar me material të marra nga qyteti i vjetër i Orikumit. Qoftë metalet, gurët e ndërtimit, kërkohet ajo që jep territori dhe atje gurë të prerë ka shumë. Ekziston gjithashtu kërcënimi që të vijnë buldozerët dhe betoni që mund të shkatërrojnë këtë parajsë të dytë”, shprehen përshkruhet në dokumentar.

LEXO DHE :  Politika e shishes së Gjorgje Martinoviqit

Duke treguar për gërmimet e tyre, ata shprehen se “në fillim punuam mbi një teatër, pastaj në një burim, ndërsa tani flasim për fortifikime byzantine. Në fakt, Orikumi është një zonë shumë e pasur. Është një vend i vogël por me një trashëgimi shumë të pasur, jo vetëm materiale, por edhe jomateriale. Kemi ilirët, grekët, romakët, bizantinët, osmanët, venecianët e gjithë kjo duhet të shihet si një pasur dhe duhet të drejtohemi në të ardhmen me gjithë trashëgiminë tonë të së kaluarës.”

Një tjetër arkeologe rrëfen në këtë reportazh edhe për vizitën e tyre në fshatin Dukat të Vlorës.

“ Po shkojmë të shohim fshatin e Dukatit. Në fakt kjo është për mua edhe një mundësi që të shikoj fshatin e origjinës së punëtorëve. Janë 4-5 që vijnë çdo ditë të bëjnë këtë rrugë mes maleve për të ardhur të gërmojnë me në në zonën e Orikumit. Jam arkeologe, kam përfunduar masterin tim për arkeologji në Universitetin e Gjenevës. Vij nga Friburgu, por jam me origjinë shqiptare nga Maqedonia”, tregon ajo.

Orikumi është një zonë shumë e veçantë, me detin në njërën anë dhe lagunën në tjetër, me kafshët, zogjtë, peshqit që ajo ruan. Ndodhet një bazë ushtarake shumë e rëndësishme për Shqipërinë, sot një bazë e NATO-s. Pra është një zonë që përfaqëson shumë gjëra.

I.M/ Përktheu: Gent Sinani -atsh



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.