Mbyllen kërkimet: Nuk ka makina të tjera në liqenin e Shkopetit
Dritare.net
Por burime pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër pohuan dje se nuk do të ketë kërkime të tjera në liqenin e Shkopetit, pasi misioni i palombarëve është mbyllur javën e kaluar, me nxjerrjen nga thellësitë e ujit i 3 makinave tip “Benz”. Banorë të zonës së Ulzës këmbëngulin se një “Benz” me ngjyrë të kuqe ka rënë në liqen dhe se pjesë të makinës janë gjetur në brigjet e tij. Pohimet kontradiktore të institucioneve shtetërore tregojnë se çështja e makinave të hedhur në liqenin e Shkopetit fsheh mistere dhe se hetimet duhet të thellohen.
Në fakt, mjetet e gjetura në thellësi të liqenit të Shkopetit nuk korrespondojnë me targat që Policia zbuloi në breg të liqenit. Një peshkatar i Ulzës i tha Policisë se kishte konstatuar gjurmë të “rrëshqitjes” së një makine nga rruga nacionale Burrel-Milot, në vendin e quajtur Vabli. Në brigjet e liqenit u gjetën targat e mjetit AA 969 ND, të raportuara të vjedhura nga një qytetar i Lushnjës, si dhe pjesë të tjera të makinës. Kërkimet për katër ditë mundësuan nxjerrjen e tri makinave të tjera, por jo atë që u fundos e fundit. “Benz” at me targa AB 220 T, AA 587 CP dhe FF 562 u nxorën nga thellësitë e liqenit të Ulzës dhe u dërguan në mjediset e Komisariatit të Policisë Mat. Në dy raste rezulton se makinat ishin të vjedhura në Karbunarë dhe Kolonjë të Lushnjës në fillim të këtij viti.